E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe kundër Ramës: Duhet të ishim në Kuvend

01/09/2011  Nënkryetari i grupit parlamentar socialist kritikon politikën e bojkotit nga PS-ja

“Duhet të ishte në Parlament për të kundërshtuar ligjet e miratuara muajt e fundit”

Pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar shkëndijat e para të debatit të ardhshëm në Kuvendin e Shqipërisë, i cili pritet të jetë i ashpër mbi ligjet që presin pjesëmarrjen e opozitës janë dhënë nga deputeti socialist Erion Braçe. Në një dalje publike Braçe kritikoi mënyrën e të bërit politikë nga Partia Socialiste, e cila sipas Braçes, duhet të ishte në Parlament për të kundërshtuar ligjet e miratuara muajt e fundit, siç ishte ai për Paketën Fiskale, ligjin për shembjen e Piramidës, si dhe ligjin e shumëdebatuar edhe gjatë këtyre ditëve atë të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. “Në fillim të muajit korrik, kur këto ligje mbërritën në Kuvendin e Republikës, ngjarja u përputh edhe me mbledhjet e Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe në ato mbledhje kam kërkuar që grupi i PS-së të kthehej menjëherë në Kuvend, sepse ishte momenti kur Sali Berisha po bënte të gjitha prapësitë ekonomike, financiare dhe politike. Kam parasysh Ligjin për Shembjen e Piramidës, për të cilin ne duhet të ishim në Kuvend, ku duhet të kishim parashtruar objeksionet tona; Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë që përveç përmbajtjes së tij skandaloze për fat të keq të të gjitha shqiptarëve, solli në evidencë një fakt shumë të rëndësishëm që votat vidhen edhe mes 71 ose 70 deputetëve. Ishin edhe ligjet e Paketës Fiskale që meritonin një kundërshtim të thellë nga opozita, nisur nga interesi i drejtpërdrejtë i qytetarëve shqiptarë”, – u shpreh deputeti i PS-së, Erjon Braçe. Ndër të tjera, nënkryetari grupit parlamentar të PS-së iu rikthye shqetësimit të dy ditëve më parë në lidhje me nevojën që drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ta marrë opozita. “Kam ndjekur gjatë këtyre ditëve të fundit debati që bëhet për Kontrollin e Lartë të Shtetit, por ka ardhur momenti që në këtë vend, ata që nuk përmenden në kabllograme si të korruptuar dhe që pjesa dërrmuese është e opozitës, të marrin drejtimin e këtij institucioni, si një element i rëndësishëm për të luftuar korrupsionin e Kryeministrit të vendit, i cili nuk ka as vullnetin e as dëshirën për të luftuar korrupsionin, për shkak të implikimeve të tij shumë të thella. Ka ardhur koha që opozita të kërkojë KLSH-në, jo për tu hakmarrë, por për të themeluar një kulturë të re nga ai institucion, të luftës kundër korrupsionit”, u shpreh dje socialisti Braçe.

PS, Balla: Berisha mban peng rezultatin në Shalë

Partia Socialistë akuzoi dje qeverinë se “po mban peng” rezultatin e zgjedhjeve në komunën Shalë, në qarkun Shkodër. Në një deklaratë për mediat, deputeti Taulant Balla lëshoi akuza në drejtim të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor për shkatërrimin e zgjedhjeve. “Pasi urdhëroi përdorimin politik të çdo institucioni shtetëror, pasi keqpërdori ditën e zgjedhjeve Policinë e Shtetit, me forca speciale dhe helikopterë, pasi i numëroi vetë votat nga Ristani i tij në Komisionin Qendror të Vjedhjeve, pasi të gjithë shqiptarët panë fitoren e kandidatit tonë edhe në komunën Shalë, Saliu nuk e pranon humbjen dhe po rivë në veprim skemën e vjedhjes në bashkëpunim të mandatit nga Kolegji dhe KQZ”,- deklaroi dje Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›