E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vdesësh në rrugë “të klasifikuara” si të sigurta

01/09/2011  Zëdhënësi i policisë Gjirokastër Mullai: Bordurat metalike nuk mbrojnë

Mbrojtëset në rrugën drejt Tepelenës, të pavendosura mirë

GJIROKASTËR - Dy djelmosha përkatësisht 25 dhe 35 vjeç, dy javë më parë humbën jetën aksidentalisht në dy aksidente të ndryshme rrugore, në rrugën kombëtare Gjirokastër-Tepelenë, në jug të vendit. Fatkeqësisht jeta u tyre nuk u ndërpre për shkak të shpejtësisë, por për shkak të vendosjes gabim të strukturës metalike mbrojtëse. Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, thotë se dy aksidentet ishin fatale, pasi bordurat metalike nuk luajtën rolin e tyre mbrojtës. “Bordurat në vend të të mbrojnë, vrasin”, thotë shkurt Mullai.

Sipas tij, të gjitha bordurat metalike që ndodhen në rrugën kombëtare Gjirokastër-Tepelenë, me gjatësi 24 km, janë vendosur teknikisht gabim. “Fundoret e bordurave nuk duhet të qëndrojnë në ajër, por rrafsh me tokën. Ky gabim ka kushtuar jetë njerëzish dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi”, vlerëson Mullai, që shton se kjo situatë duhet të marrë fund menjëherë, ndërsa gabimi urgjentisht të rregullohet. Mullai specifikon se në qoftë se dy aksidentet rrugore që ndodhën dy javë më parë do të kishin ndodhur në kushte të tjera, viktimat sot do të ishin gjallë.

“Në momentin e përplasjes është konstatuar se fundoret e bordurave metalike kanë carë në dysh shasinë e automjetit, gjë që nuk i ka lënë asnjë mundësi mbijetese drejtuesve”, thotë Mullai.

Më tej, Mullai nënvizon se në përgjithësi aksidentet shkaktohen nga tejkalimi i shpejtësisë, mos respektimin e tabelave paralajmëruese, si dhe nga pakujdesia e drejtuesit të mjetit.

“Në jug të vendit, modernizimi i rrugës së re kombëtare ka nisur prej vitin 2000, por numri i viktimave është rritur ndjeshëm”, vlerëson Mullai. Sipas tij, gjatë këtij viti, kanë ndodhur nëntë aksidente rrugore, me 12 të vdekur dhe 25 të plagosur. “Në çdo pikë të rrezikshme janë vendosur tabela paralajmëruese, por fatkeqësisht kemi konstatuar se pjesa më e madhe e aksidenteve janë shkaktuar në rrugë që klasifikohen të sigurta”, specifikon Mullai. Rruga më problematike ngelet aksi rrugor Tepelenë-Ballsh. Pavarësisht mirëmbajtjes, ajo vazhdon të krijojë probleme për drejtuesit e automjeteve, deri në përfundim të autostradës së re Fier-Tepelenë që parashikohet të vihet në funksionim në vitin 2012. T. Skuqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›