E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Deklaratat e Ramës, mbështetje për huliganizmin

Partia Demokratike ka një interpretim krejt tjetër për editorialin e kryesocialistit Edi Rama dhe sidomos për pjesën ku ai bënte të ditur se protestat e qytetarëve në vendet e zhvilluara nuk i organizon opozita. Në një reagim të zëdhënëses, selia blu dënon këtë logjikë të ndjekur nga kryesocialisti Rama, duke e konsideruar atë si një mbështetje dhe thirrje e hapur për dhunë ndaj institucioneve. Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, në një dalje të posaçme për këtë çështje, ka akuzuar Ramën se me këtë gjuhë ka dalë në mbështetje të plotë të akteve të dhunshme të ndodhura së fundmi edhe në Londër apo Athinë. “Editoriali në media i z. Rama, është një shembull tjetër i lidhjeve të tij me të shkuarën, me të cilën qytetarët janë të lodhur.

Në këtë letër të hapur ai është në mbështetje të plotë të trazirave të dhunshme në Londër, Athinë dhe Paris, duke aluduar që kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Por, kur një drejtues që thur 21 Janarin dhe fton për dhunë të re, tregon se është në dëshpërim të thellë dhe, se ftesa e tij për dialog, kontraston me provokimin që i bën ai vandalizmit dhe zjarrvënësve, që janë shfaqur rrugëve të Londrës dhe qyteteve të tjera”, - tha Mustafaraj në deklaratën për shtyp. Më tej ajo ka folur edhe për vlerësimin që selia rozë i ka bërë raportit e ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit, duke e konsideruar atë të gabuar dhe joserioz. “Partia Demokratike vlerëson se z. Rama nuk gabon kur deklaron se raporti i ODHIR-it është më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë se kurrë. Por, fakti që ai pretendon se raporti ka justifikuar akuzat e tij absurde dhe të pabaza, tregon se ai nuk e ka lexuar këtë raport, ose e ka lexuar atë me syzet e shokut Ruçi”, - u shpreh Mustafaraj. Më tej ajo thekson se raporti i OSBE/ODHIR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, shpall zgjedhjet e 8 Majit si zgjedhje kompetitive, transparente, aspektet pozitive të të cilave janë bazë për progres të mëtejshëm. “Ky është vlerësimi më maksimal, më i qartë që zgjedhjet në Shqipëri kanë marrë për vite me radhë. OSBE/ODHIR nuk do të bënin kurrë këtë vlerësim, në qoftë se nuk do të ishin plotësuar standardet e garës së lirë dhe standardet e transparencës, kushte themelore këto, për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - tha zëdhënësja e PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›