Braçe si kamikaz, flet për tokë të djegur e të përvëluar dhe për revolucion si ai i 97-s

Erjon Braçe vazhdon me agresivitetin e tij virtual në rrjetet sociale, duke thyer edhe çdo rregull logjik në artikulimin e akuzave të pakursyera. Dje fliste për tokë të djegur dhe të përvëluar, për një Shqipëri si ajo e pasuar nga revolucioni i kuq i ‘97-ës. Akuzat i adresohen kryeministrit Sali Berisha, por tendenca agresive e Braçes është në vijim të revanshit stalinist të Edi Ramës për ta shpallur Shqipërinë të falimentuar, me qëllim instalimin në front të aparatçikëve të nomenklaturës komuniste të cilët do t’i veshin vetes petkun e “shpëtimtarëve”. E gjitha një butafori që s’i heq asnjë presje prirjes së dhunshme të Edi Ramës, për të shtirë në dorë çdo cep të territorit shqiptar, duke filluar nga bregdeti. Në rolin e kamikazit është pajtuar Erjon Braçe për të ngritur alarmin se Shqipëria është djegur dhe përvëluar; apo se PD po na e dorëzon Shqipërinë si ajo e ’97-ës. Për këtë ka një përgjegjës, arsyeton Braçe dhe përgjegjësit janë Partia Demokratike dhe kryeministri Berisha. Në vijim të qëndrimeve dhe akuzave refraktare, Braçe ngre akuza ndaj ministrit të Financave Ridvan Bode, për raportim të shifrave të rreme lidhur me zhvillimet ekonomike në vend, gjë për të cilën kreu i financave tha se Shqipëria ka një trend pozitiv rritje ekonomike. Kjo e bazuar në sajë të të ardhurave në rritje, të cilat vetëm për muajin korrik rezultojnë me një suficit prej 400 milion lekësh në buxhetin e shtetit. Borxhi publik, tha Bode është tërësisht i menaxhueshëm, ndërsa u shpreh se ka një rënie të papunësisë nga 13,1 përqind në 12,8 % si dhe ka rritje të prodhimit të brendshëm bruto krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për Erjon Braçen e Edi Ramës këto shifra nuk qëndrojnë dhe raporton krejt të kundërtën e atyre të institucioneve shqiptare. Për Braçen dhe Ramën është më mirë dhe më lehtë të flitet për Shqipërinë e djegur dhe të përvëluar, për Shqipërinë e ‘97-ës, për të cilën janë autorë vetë, sesa për zhvillime dhe trende pozitive në ekonomi, punësim dhe turizëm.
Ministri i Financave, Bode: Ekonomia shqiptare ka trend rritjeje/Pavarësisht krizës globale dhe zgjedhjeve të qershorit, ekonomia shqiptare edhe këtë 7 mujor të këtij viti ka ruajtur një trend pozitiv ne rritje. Kjo ishte deklarata e fundit e ministrit të Financave, Ridvan Bode i cili deklaroi se vetëm për muajin korrik ka një suficit prej 400 milion lekësh në buxhetin e shtetit. Nëse do të ruhet i njëjti trend, kreu i financave thotë se borxhi është tërësisht i menaxhueshëm. Por ai foli me shqetësim për tejkalimin e të ardhurave nga ana e pushtetit lokal, çka ka thelluar deficitin. Ministri Bode pranon se ka një mos realizim të të ardhurave ne këtë 7 mujor të parë të vitit, por për këtë ka një shpjegim. Bode sqaroi dhe akuzat e bëra nga mazhoranca e re, se shitja e bonove të thesarit ndikoi në rritjen e borxhit publik. Duke folur për treguesit makroekonomik ministri Bode tha se ata janë pozitivë dhe se ka një rënie të papunësisë nga 13,1 përqind në 12,8 % si dhe ka rritje të prodhimit të brendshëm bruto krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.