E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matematika, u ngujuan dje hartuesit e testit

TIRANE-Ashtu si ka ndodhur për provimin e parë të detyrueshëm të maturës, atij të lëtërsisë, ku hartuesit e tezëz janë ngujuar një javë më parë, e njëjta procedurë është ndjekur edhe për provimin e matematikës. Rreth orës 10:00 të mëngjesit të së mërkurës hartuesit e tezës së matematikës kanë hyrë në ambientet e AVA-as për të dalë mëngjesin e datës 15 qershor, pra pas 7 ditësh. Sipas drejtuesve të ministrisë së Arsimit edhe në këtë provim pritet të marrin pjesë rreth 41 mijë maturantë. Uniformat blu do të qëndrojnë në gatishmëri për mbarëvajtjen e procesit 24 orë, ditë- natë, ndërkohë që në bazë të rregullores së maturës hartuesit e tezës nuk do të kenë asnjës lloj komunikimi, me përjashtim të rasteve emergjente, ku të vetmit persona që do të njoftohen do të jenë ministri i Arsimit dhe zv/ministri.
Ndërkohë kreu i Arsimit Myqerem Tafaj ka deklaruar se edhe për provimin e dytë të maturës shtetërore janë marrë të gjitha masat. Ndërsa mësohet se teza finale do të jetë e nivelit mesatar, ku do të gjejnë veten edhe nxënësit e mirë, edhe të dobëtit. Testi përmban kërkesa me zgjedhje, pra me alternativa dhe ushtrime që kërkojnë zgjidhje dhe arsyetim. Të përfshirë në tezë do të jenë të gjitha nivelet e nxënësve. Ndërsa gjithçka që lidhet me pyetjet, do të jetë brenda programit, kërkesave të programit orientues të shkollës së mesme të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në provimin final maturantët do të duhet të zgjidhin një test që përmban 25 pyetje, prej të cilave 13 do të jenë me alternativa, kurse të tjerat do të kërkojnë patjetër shtjellim e zgjidhje.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›