E Diel, 1 Nëntor 2026

Brad Pitt, udhëtim në kohë

"Jeta e personazhit tim është shumë e çuditshme dhe anormale. Në mënyrë paradoksale, gjithçka rrjedh me shpejtësi, transformimet fizike shënojnë ngjarjet", thotë i sigurt Brad Pitt. Divi hollivudian flet për filmin e tij të ri, në të cilin shpesh është e vështirë ta njohësh, thuajse nuk ngjan fare me yllin e ditëve të sotme. Në film, Brad Pitt është i shëmtuar, me shumë rrudha dhe me flokë të rëna. Kjo sepse "Jeta e çuditshme e Benjamin Button" është historia e një djali që ka lindur i moshuar, pamja e të cilit ngjan me atë të një 80-vjeçari, por që me kalimin e viteve, vetvetiu vjen duke u rinuar. Një lloj udhëtimi në kohë me një cikël jetësor të ndryshëm nga ai "njerëzor". Filmi i drejtuar nga David Fincher risjell në skenë faqet e paharrueshme të një tregimi të shkurtër (në vitin 1922) të Francis Scott Fitzgerald, "jetuar" nga një grup yjesh.

Brad pretendon për shumë më lartë: flitet për një çmim të mundshëm "Oskar", si filmi më i mirë. Në mes qëndron një histori e madhe dashurie; është një tregim epik si "Titanic"-u. Zakonet dhe çdo panoramë e inkuadruar të çojnë në breza të ndryshëm, duke bashkuar të shkuarën dhe të tashmen. "Është e vërtetë, duke xhiruar filmin nga Nju Orlens në Paris, nga Nju Jorku në Londër, kam menduar shpesh për fjalët e T.S. Eliot ‘e tashmja dhe e shkuara së bashku janë pjesë e asaj të ardhmeje‘, për sagat e tij mbi krizën e kulturës perëndimore, por edhe për atë që shkroi Mark Twain, sepse ky është një tregim i rrënjosur në tokë dhe në botën e Amerikës, ndaj çdo njeri është përgjegjës për kohën dhe fatin e tij", thotë regjisori. Në këtë film, ai ka përdorur të gjithë imagjinatën dhe krijimtarinë. Në fillim, fytyra e Benjaminit është e gjitha me rrudha, por me kalimin e viteve ajo fillon të rinohet. Dashuria e përjetshme për Daisy-n (interpretuar nga Cate Blanchett) nuk shuhet kurrë: gruaja plaket dhe në fund të filmit mban në krahë Benjaminin që, në mënyrë të pashpjegueshme, është bërë një fëmijë. Ishte e paimagjinueshme se si kishte ndodhur kjo, sepse përkrah tij kishte jetuar momente pasioni, dhimbjeje, gëzimi. Së bashku kishin sjellë në jetë edhe një vajzë.

"Është e rëndësishme (dhe sidomos sot, në epokën tonë shkencore dhe teknologjike) që të gjesh në portrete vlerën më të thellë të letërsisë", thekson autori, i cili kishte udhëhequr Pitt në filmin "Seven" dhe "Fight Club". Kritikat e para amerikane për regjisorin Fincher kanë qenë të mira: është shkruar se filmi i tij është "kinema e vërtetë në traditën e madhe". "Kam dashur të tregoj historinë e udhëtimit në jetën e një burri dhe një gruaje, nën sfondin e ngjarjeve të mëdha, dy luftërave, periudhës së Depresionit, shpresës së rilindjes, rebelimeve dhe idealizmave të të rinjve, këngëve të "Beatles", kundërkulturës, vetmisë, dëshpërimit që mund të kontrollosh superstrukturën e kohës. Çdo kornize apo fragmenti të tregimit i është kushtuar një përkujdesje ekstreme", shpjegon regjisori. Një histori e gjatë 167 minuta, nga lufta e madhe e uraganit "Katrina". Të shumta kanë qenë edhe skenat e xhirimit në Nju Orlins. "Dëshiroj që fëmijët e mi të rriten në këtë vend", thotë aktori. "Në çdo sekondë të ekzistencës së tij, në rrethana të veçanta, Benjamini ndjen peshën e lindjes, braktiset nga i ati në një lagje të Nju Orlins, ndërkohë që nëna është duke dhënë shpirt pas lindjes, sepse ajo fytyrë me rrudha e të birit që e kishte pritur me aq padurim, e terrorizonte. Benjamini u rrit nga një grua zezake, e cila e gjeti në shkallët e pensionit të saj të vjetër, që e drejtonte vetë në Nju Orlins. Protagonisti mëson shpejt se mund të pranohet nga tjerët dhe të jetojë në harmoni me dikë vetëm për një çast", shpjegon autori.

Rinia e tij mashtruese dhe plakja e pamundur, do ta largojnë gjithmonë nga ato që, në rrjedhën normale të kohës, ecin me ritme ndryshe. Daisy dhe Benjamini takohen në pensionin që drejtonte nëna adoptuese e të sapolindurit të braktisur. Daisy e adhuron atë bashkëmoshatar kaq anormal, do ta shohë të endet rrugëve në kërkim të kuptimit të ekzistencës së tij, ndërkohë që ajo, vite më vonë, do të vendosë të studiojë balet klasik në Nju Jork,

por pa harruar që t‘i thotë çdo natë, para se të shtrihet "natën e mirë Ben". "Nuk e dimë kurrë se çfarë na rezervon fati, çfarë sekretesh fsheh për ne, por në këtë gamë ngjarjesh sociale dhe private, dashuria ndoshta është pika e vetme që mund të të ndalë", thotë Cate Blanchett, gruaja që mbi shtratin e saj të vdekjes i jep së bijës ditarin e Benjaminit. Prej vitesh Hollivudi kërkon që të sjellë në skenë historinë magjepsëse (e rishkruar për kinemanë nga Erich Roth), por kostoja ishte shumë e lartë, kishte vështirësi në transformimin e protagonistëve, komplikimi i kësaj historie gjithmonë e kishte mënjanuar këtë projekt. Për ta realizuar janë bashkuar dy studiot e prodhimit më të fuqishme, "Warner Bros" dhe "Paramount". Në galerinë e personazheve, kur Benjamini jeton në luftë, ose kur takon Daisy-n, një grua e emancipuar me të cilën dashurohet marrëzisht, zbulohen dalëngadalë aktorë të mëdhenj. Dy prej tyre janë Taraji P. Henson, një nga aktoret më të vlerësuara afro-amerikane, dhe Tilda Swinton, figura e parë femërore që i mëson Benjaminit dialogun e vërtetë mes një burri dhe një gruaje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›