E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati, gati... po rilexoj edhe një herë Marksin

Shkrimtari i njohur gjerman, i njohur për idetë marksiste, në një intervistë të dhënë për gazetën e majtë italiane "La Stampa", sqaron këndvështrimin e tij mbi krizën aktuale. Edhe pse dikur radikal i flaktë, është i bindur se bëhet fjalë vetëm për një zhvillim periodik të kapitalizmit, i cili "ka aftësi të pabesueshme për të mësuar e për t‘u përshtatur, si edhe pasi në horizont nuk vërehet asnjë alternativë tjetër"

Zoti Hans Magnus Enzensberger, a keni investuar para në aksione?

Jo, nuk më pëlqejnë. Edhe sallat e lojërave më interesojnë pak. Nuk arrij të qëndroj gjatë, shkoj, i humbas paratë sa më shpejt të jetë e mundur, për t‘u larguar sa më parë. Bursa ngjan pak me një kazino të madhe, nëse shihet këndi i shikimit të lojtarëve, nuk mund të jetë e tillë nga këndvështrimi i bankave.

Ju keni lindur më 11 nëntor të vitit 1929. Dy javë më pas, erdhi e premtja e zezë e Wall Street. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, ishit 16 vjeç. Brezi ku bëni pjesë e ka njohur kaosin. Ju ngjall mosbesim ajo që po ndodh?

Të qenit mosbesues është diçka e mirë. Të gjithë ata që janë treguar skeptikë në këtë periudhë, ia kanë hedhur për bukuri. Tani bankat përgjërohen: "Ju lutemi, kini besim te ne!". Sigurisht që e gjithë kjo krizë financiare nuk është shkaktuar nga rënia e besimit, por nga një naivitet në kufijtë e mallëngjyeses. Ai që tregoi besim te konsulenti i tij ekonomik, sot është i varfër.

A ju ka çuditur shpejtësia, pesha dhe dramaticiteti i kësaj krize?

Më shumë se gjithçka tjetër, më ka çuditur tronditja e njerëzve nga kriza. E gjithë kjo humbje kujtese ngjall kureshtje. Kush e njeh sado pak historinë e ekonomisë - një fije marksizëm nuk i bën dëm askujt - e di se si funksionon që prej 200 vjetësh. Xhon Lou, në vitin 1720, shkaktoi një flluskë gjigante me aksionet e kompanisë "Mississippi". Në atë epokë, Franca i shkoi tangjent falimentit të plotë. Lista është e gjatë: Meksikë, Azi, Argjentinë, Japoni. U harruan të gjitha këto?

Na jepni ndonjë ngushëllim.

Kjo dinamikë është pjesë e sistemit operativ të kapitalizmit, i përbërë nga cikle bumesh e rrëzimesh, entuziazmi e paniku. Deri para pak kohësh dominonte babëzia, sot mbretëron frika. Askush nuk e di se sa do të zgjasë. Nuk gjendemi përballë një falimentimi moral të bankierëve. Është e tepërt të mendosh se duhet të jenë bankierët mbikëqyrësit e moralit.

Nuk kemi mbërritur në fundin e kapitalizmit? Po privatizohen banka, papritmas shtetet hynë në lojë për të luajtur rolin e shpëtimtarit.

Ka qenë gjithnjë kështu. Marrëveshja e re, këjnesizmi, programe të gërshetuara... nga njëra anë, shteti është rival, nga tjetra shpëtimtar. Edhe ky është një cikël.

Krahasuar me sëmundjen që ka marrë sot ekonomia, krizat e mëparshme duken si të ftohura të lehta.

Krizat e mëparshme kufizoheshin në pak rajone. Dimensioni i krizës aktuale është global. Por sistemi ka mësuar nga e shkuara. Në vitin 1929, qeveritë qenë si të paralizuara. G7-a nuk ekzistonte dhe as Fondi Monetar Ndërkombëtar. Këtë mund ta konsiderojmë lajm të mirë.

Por kriza aktuale ka zhdukur sasi gjigante kapitalesh.

Nuk do të isha kaq i sigurt. Kapitali për të cilin flisni, realisht nuk ka ekzistuar kurrë. Ishte fals, tamam si një çek i pambuluar.

Të provojmë të pyesim autorin Hans Magnus Enzensberger, ish- marksist, çfarë mendon sot për kapitalizmin. Ka arritur në finish, jemi në një situatë pararevolucionare?

Përse ish-marksist? Në kutinë time të veglave gjej ende një levë a një vegël me origjinë nga ofiçina e zotit Marks, që më ngjan e përdorshme edhe sot. Gjej vështirësi vetëm te "subjekti revolucionar". Shesheve e rrugëve nuk gjendet shenjë e tij. Duket se i besojnë vetëm mediat, por nga ana tjetër, atyre u duhen tituj për faqet e para. Dhe titulli më i mirë është apokalipsi: rrënim, ndryshim epokal. Në këto raste, gazetarëve u vlon gjaku.

Ndoshta edhe marksistëve. Siç thotë Marksi, nëse mjerimi shtohet, afrohet ndryshimi.

Jemi shumë larg nga kjo situatë. E vetmja gjë e qartë është që kostot njerëzore do të jenë shumë të larta. Shumë njerëz do të humbasin para dhe kjo sigurisht që është e pakëndshme, por ka ndodhur gjithnjë kështu dhe ky përbindësh, me forma të panumërta që quhet kapitalizëm, është ringritur gjithnjë nga rrëzimet. Pasi ka një aftësi të pabesueshme për të mësuar e për t‘u përshtatur, si dhe pasi në horizont nuk vërehet asnjë alternativë tjetër.

Ju vetë dikur keni besuar te një alternativë tjetër.

Jam i mohuar në çështjet e besimit. Mund të them që është zbuluar se kapitalizmi di të martohet me gjithçka, si me demokracinë ashtu dhe me diktaturën, me fashizmin e me një parti kineze që e përkufizon veten komuniste. Duket se riprodhimi i kapitalizmit nuk ka të bëjë fare me regjimin politik. Për sa i përket krizave të tij periodike, po të mos kishin ndodhur, ky sistem ekonomik nuk do të kishte pasur kurrë mundësi të mësonte dhe nuk do të evoluonte. Do të kishte dalë prej kohësh nga skena, si sistemi ekonomik i Bashkimit Sovjetik. Kush ka parë me sytë e vetë një shoqëri që është me të vërtetë e rrënuar, e di shumë mirë si është gjendja: mjerim, uri, deklasim shoqëror. Sot njerëzit skandalizohen se rritja ekonomike ka rënë nën zero, sikur të ishte te pragu fundi i botës. Është e qartë që nuk ekziston vullneti për të kuptuar si funksionon kapitalizmi.

Ju kur e keni kuptuar?

Besoj pas luftës, në tregun e zi. Si shumë të tjerë, shisja cigare, bukë, gjalpë e armët e nazistëve që amerikanët i donin si trofe. Por si karrierë e mundshme dhe stil jetese nuk më tërhiqnin fare, kështu që hoqa dorë shpejt. Me standardet e atëhershme mund të konsiderohesha i pasur dhe isha në rrugë të mbarë për t‘u bërë milioner. Por nuk doja ta kaloja jetën si ata pasanikët e mëdhenj. Paraja është e bukur, por pak e mërzitshme.

Nga këndvështrimi politik, a mund të jetë ky çast një rast për ringjalljen e së majtës.

Cilës së majtë? Asaj të Lafontenit? Çavezit? Rul Kastros? Gjatë çdo krize, shpërthejnë profecitë e zakonshme, "ky është me të vërtetë fundi". Unë besoj se festa as ka ndër mend të mbarojë këtu.

Tendopolet e Nevadës apo të Kalifornisë të sjellin ndër mend romanin "Furia", të autorit Xhon Steinbek, si edhe vitet tridhjetë.

Çohet gjithnjë mendja te revolucionet botërore, se është gjithnjë diçka shumë më e bukur se mediokriteti i përjetshëm. Por nuk ka ndonjë prerje më të vogël? Në këtë çast, është populizmi më afër rrjedhës së ngjarjeve. Për populizmin, ky është një çast i mrekullueshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›