Kosana Radojeviç, recital në TKOB
Pianistja malazeze, Kosana Radojeviç, ka dhënë dje në mbrëmje koncertin recital në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ajo ka sjellë pjesë nga kompozitorët, Johann Sebastian Bach, Ludvig Van Beethoven dhe Frederic Chopin. Koncerti që ka ardhur si bashkëpunim i TKOB me Ambasadën e Malit të Zi, ka sjellë në Tiranë pianisten Kosana Radojevic, e cila filloi shkollën e muzikës që në fëmijërinë e hershme. Pas mbarimit të shkollës së muzikës "Kornelije Stankoviç" në Beograd nën drejtimin e prof. Branka Dojcinovic, ajo studioi për piano në Akademinë e Muzikës në Podgoricë. Më pas vazhdoi studimet në Moskë në GMU "Gnjesinih". Pianistja, është fituese e shumë çmimeve për piano, në konkurset e nxënësve dhe studentëve si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Si soliste ka realizuar shumë koncerte si në Teatrin Kombëtar Malazez - Podgoricë, Teatrin Mbretëror "Zetski dom" - Cetine, Festivalin "Grad Teatar" - Budve, Qendra Kulturore e Malit të Zi - Paris, Akademia Serbe e Shkencës dhe Artit - Beograd, Salla e Koncerteve "Vatroslav Lisinski" - Zagreb etj. Aktualisht, ajo merret me studime të interpretimeve komperative në piano. Ka botuar veprat "Sfida e botës poetike të prelediumeve të Shopenit", si dhe "Hulumtime për kuptimin barcarole të Shopenit". Kosana Radojeviç punon në Akademinë e Muzikës në Universitetin e Malit të Zi në Cetine.