E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjisori turk, Nesimi Yetik, i pari në TIFF

Regjisori turk Nesimi Yetik, vlerësohet më i miri në "Tirana International Film Festival" në edicionin e gjashtë të konkursit të filmave me metrazh të shkurtër. Juria ndërkombëtare, e cila vendosi filmin më të mirë, përbëhej prej anëtarëve Davide Barletti, Kristaq Skrami, Naomi Uman, Silvio Maselli, Vasjan Lami, Veton Nurkollari dhe Ylli Pepo. Filmi i regjisorit turk "My mother learns Cinema" ("Mamaja ime mëson të aktrojë"), në katër minuta e ka përballur publikun me shtëpinë e mamasë së tij, të dalë jashtë mode. Ai kërkon t‘i mësojë asaj një nga emrat më domethënës së historisë së kinemasë. Edhe pse mamaja e tij është amatorja në këtë aktrim tresh të filmit, në këtë film me metrazh të shkurtër, ai synon që t‘i mësojë asaj emra si "Jean", "Godard", "Rabiner", etj. Me këtë pasion të madh për kinemanë, në këtë film të shkurtër, djali i mëson nënës disa nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë, ndërsa e gjen veten edhe përballë përgjigjeve të çuditshme të saj. "Mamaja ime mëson të aktroj", është vlerësuar edhe në Festivalin e Filmit të Triestes. "Annem sinema öğreniyor",(titulli në origjinal i filmit) është vlerësuar për thjeshtësinë e tij, për qartësinë dhe për sensin e hollë të humorit. I cilësuar si një himn për kinemanë, ky film është një shembull i mirë i të bërit kinema. "Mamaja ime mëson të aktroj" është një prodhim turk i vitit 2006. Që nga ajo kohë, regjisori turk e ka prezantuar filmin në festivale të ndryshme evropiane, ku edhe është vlerësuar. I lindur në vitin 1981, Nesimi Yetik ka studiuar për dramë në Universitetin e Ankarasë. Ndërkohë që për çmimin "The best fiction", u dhanë dy çmime speciale, që shkuan përkatësisht për filmat "Beijing Haze" të regjisorit J.P Chang dhe "On the line" (Në linjë), i regjisorit Reto Caffi. Filmi më i mirë i animuar, është "The bear‘s heand", i autores Marina Rosseti. Dokumentari më i mirë në TIFF, është vlerësuar "Zietek" me autorin nga Polonia, Bartosz Blaschke, si dhe "Left Behind" i gjermanëve Andreas Grafenstein dhe Fabian Daub. Ndërkaq, me çmimin e medias është vlerësuar filmi "Deep Transtion" (Tranzicion i thellë). Ai është një bashkëpunim mes regjisorit italian, Gabriele Pedone, dhe atij shqiptar, Elvis Eshja. Filmi më i mirë eksperimental, i ka shkuar "Carlos Catani", i regjisorit Mercos Meconi. Publiku gjithashtu ka pasur në dorë të vlerësojë filmin më të preferuar. Ai i ka shkuar "Yours Truly", (I yti përgjithmonë), i regjisorit Osbert Parker. Përveç filmave të huaj në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër, janë vlerësuar edhe filmat shqiptarë pjesëmarrës në festival. Më i miri prej filmave shqiptarë pjesëmarrës në konkurrim u vlerësua ai i regjisorit Ilir Harxhi, i titulluar "Stairs" dhe ai i Dionis Papadhimitrit "The firs day of classes". Përgjatë një jave në këtë festival ndërkombëtar të filmave me metrazh të shkurtër, morën pjesë rreth 82 filma.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›