Brahim Gjoçi, shqiponja e Lurës kreshnike
Mes bashkëluftëtarëve më me zë të Elez Isufit, ai është ndër kryesorët
Krah Elez Isufit, figura e Brahim Gjoçit, bëri emër që i kaloi kufijtë e Lurës. Ai u bë i njohur në Dibër e Lurë, Mirditë e Tiranë, Shkodër e deri në Kosovë. Lufta dhe përpjekjet e tij për Shqipërinë e bënë të njohur me figura të shquara të kombit si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Mustafa Kruja dhe dhjetëra të tjerë që u dha besën dhe mbeti besnik me idealet e tyre
Krejt Lura, një bastion malor, mes masivit të pyjeve të Lurës, një hap nga Mirdita e paprekur nga invazionet e huaja, e kishte ruajtur të pastër lirinë dhe të pa prekura zakonet e urta, besën e bujarinë e Bajrakut të Lurës. Në këtë kreshtë malesh “ku ditët janë të shkurtra dhe me re, lindën burra që nuk u dhimbset jeta”. Po kështu lindën burra që bën emër jo për vete po për Lurën, për Dibrën dhe për gjithë Shqipërinë.
Në këtë katund të vogël, por me emër të madh, rreth viteve 1849, lindi Brahim Gjoçi. Vinte nga një familje e nderuar dhe me traditë të fortë, që ishte shquar gjithmonë si liridhashëse dhe atdhetare. Brahimi u rrit me këtë frymë dhe u burrërua mes këtyre maleve. Brahim Gjoçi, siç u thirr gjithë jetën, ishte lurasi tipik, me një fisnikëri të rrallë, me një shpirt të madh dhe buajr, me një mendje të kthjellët dhe me një guxim të pashoq. Shumë shpejt nisi të shquhej në kuvendet e burrave për këto cilësi të rralla që në vitet e mëvonshme formuan te Brahim Gjoçi prijësin e denjë dhe luftëtarin e guximshëm, në ngjarjet e mëdha për t’i dalë në krah Shqipërisë.
Lidhja e Brahim Gjoçit me Elez Isufin, veç marrëdhënieve të hershme gjaku, bazohej edhe me idealet për çështjen kombëtare. Ata mbetën në krah të njëri-tjetrit në ato vite të stuhishme të mbijetesës së Shqipërisë. Ndër bashkëluftëtarët më me zë të Elez Isufit, Brahim Gjoçi është ndër kryesorët. Disa vargje të poetit japin më qartë imazhin e këtij unioni: “Lurë, moj, hape derën/zemrën sot ta mbushi/ t’ka ardhë në konak/ trimi Elez Isufi” apo: “Brahim Gjoçi mor ku je/të shkrep syri dritë rrufe/ Dil, o Brahim Gjoçi/ lesho një vikamë/ Dhe shih si po të vine/ të gjithë malet pranë”.
Krah Elez Isufit, figura e Brahim Gjoçit, bëri emër që i kaloi kufijtë e Lurës. Ai u bë i njohur në Dibër e Lurë, Mirditë e Tiranë, Shkodër e deri në Kosovë. Lufta dhe përpjekjet e tij për Shqipërinë e bënë të njohur me figura të shquara të kombit si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Mustafa Kruja, Ramiz Daci dhe dhjetëra të tjerë që u dha besën dhe mbeti besnik me idealet e tyre. Në vitet e stuhishme që erdhën për kombin, Brahim Gjoçi, në krye të lurasve ishte në qendër të ngjarjeve të mëdha për t’i dalë zot Shqipërise. Në kryengritjen e vitit 1992, ai u shqua si kapedan trim, ku mori pjesë dhe në pagëzimin e parë. Që nga kjo ai, inkuadrohet krah Elez Isufit dhe do të jetë i pranishëm e aktiv në kryengritjet kundra serbëve, të viteve 1913, 1918, 1920-1921 dhe pa u ndarë deri në fund. Veçanërisht Brahimi shquhet në luftën e Lurës.
Brahim Gjoçi, ka një jetë të pasur dhe të pastër. Duke e ndjekur në ngjarjet e rëndësishme historike, ku ai mori pjesë, figura e tij na shfaqet me përmasat e një atdhetari dhe politikani të guximshëm. Kronikat e atyre viteve, shkruajnë me respekt dhe admirim për të. Ofensiva e egër serbe në vitet 1992, mbi Dibër e më gjerë, u shkallëzua dhe me kryengritjen e Mirditës. Rreziku që i kanosej shtetit shqiptar ishte tepër i madh dhe me pasoja për fatin e vendit. Elez Isufii kishte paraprirë këtij rreziku dhe i pati kërkuar qeverisë së Tiranës që në Lurë, si një pikë strategjike të dislokohej një qendër ushtarake. Kur ngjarjet e Mirditës dolën në rendin e ditës “…provoi se Elez Isufi me parashikimin që bëni për të përqendrue një fuqi në Lurë,… kishte parashikue gjëndjen dhe kishte qenë i zoti të zbulojë të nesërmen”.
Ngjarjet e Mirditës 1921, ishin një krijim i rrezikshëm i serbëve në përçarjen e shqiptarëve. Për të shuar këtë zjarr të rrezikshëm, Tirana ngarkon Elez Isufin të hyjë në marrëveshje me kapedanin e Mirditës për të filluar bisedimet. Elez Isufi ngarkoi Brahim Gjoçin si ndërmjetës, që të hynte në fjalë me krerët e Mirditës për kohën e takimit, vendin dhe kushtet e tyre. U ra dakord që takimi të bëhej në kullën e Mardhocit. Rrugës për në Lurë, Elezit i erdhi fjala se një ushtri e madhe serbe e mercenare të prirë nga Halit Lleshi, kaloi Drinin dhe po i ngjitet Lurës, ta shtrojë atë dhe të kalojë në Mirditë për të shpëtuar republikën marionete, këtë vegël “serbe”. Kapedani i Mirditës i inkurajuar nga kjo ushtri, e luan fjalën dhe nëpërmjet Brahim Gjoçit, refuzon takimin e planifikuar me Elezin te kulla e Mardhocit. Pjesëmarrës në atë ngjarje, Ismail Strazimiri, na jep një tablo reale të atyre episodeve luftarake. Më 30 korrik 1921, “qeveria serbe, kish përgatitur kryengritjen e Mirditës, me qëllim që t’u ndihmojë dhe t’u japi kurajë mirditasve, nisi për atje një fuqi prej 1000 vetësh nën komandën e Halil Lleshit, Tafë Kazis e Selim Nokës …….”
Në vendin e quajtur “Kroi i Gëlqeres” nji grusht dërnjanë me në krye Dik Xhelilin e Misin Ahmetin, u dha betejë forcave serbe. Lufta u ndez ashpër … U dha alarmi në Reç, Dardhë e Lurë. Nuk vonoi erdhi Sheh Halimi me reçjanë, Brahim Gjoçi me luras dhe kapiten Jaku me repartin e tij.
Beteja te “Kroi i Gëlqeres” është një nga luftërat më të ashpëra dhe më të përgjakshme”, ku serbët dhe mercenarët e tyre u thyen dhe u mundën keq dhe në panik të plotë, u tërhoqën përtej Drinit. Malësorët e Reçit, Dardhës, Lurës dhe njësia ushtarake, në këto luftime, treguan një heroizëm të rrallë që influencoi në ndryshimin e raporteve të luftimeve të shoqëruara me sulme në gjithë vijën e mbrojtjes. Lana e Lurës, ku Elez Isufi kishte shtabin e përgjithshëm të operacioneve ushtarake mbeti një kala e paprekur e lirisë dhe qëndresës.
Mbas kësaj disfate, serbët vunë në lëvizje trupat e rregullta dhe sulmuan vijën mbrojtëse në shumë drejtime. Kjo bëri që të influencojë edhe të ashtuquajtur Republika e Mirditës, e cila kërkonte një shteg për t’u bashkuar me forcat serbe. Duke vlerësuar këtë rrezik “qeveria çon një fuqi të komandueme nga Sufë Xhelili, Murat Kaloshi, Osman Lita, Brahim Gjoçi dhe komandant Ali Riza Topallin. Kjo fuqi, mësyu dhe me trimërinë që tregoi u fut në Orosh nga ana e Selitës.
Në këtë mënyrë, kryengritja e Mirditës u shua dhe bashkë me të dhe Republika marionete e Mirditës, kjo pjellë e keqe e armiqve të Shqipërisë dhe kryesisht e serbëve, ra menjëherë dhe Mirdita u bashkua me qeverinë e Tiranës. Lufta e Lurës, një nga faqet më të lavdishme të historisë shqiptare shënon dhe fundin e okupimit serb, ne Dibër, zë shumë pak vend në historinë e shkruar të Shqipërisë. Ajo qe një luftë e përgjakshme dhe e pabarabartë kundra egërsisë serbe. Heroizmi dibran dhe në veçanti Reçi, Dardha dhe Lura, që mbajtën peshën kryesore, u ballafaquan me këtë luftë jo vetëm me një ushtri të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë dhe shumë herë më të madhe në numër, por u detyruan të përballojnë edhe urinë, të ftohtin dhe mungesën e armatimit dhe municionit.
Konkluzionet e kësaj lufte i jep me një sintezë të hollësishme Elez Isufi nga Lama e Kolecit në letrën e dërguar deputetit të Dibrës, Z. Kristo Daka, që mban datën 13 nëntor 1921. Në vlerësimin që u bëhet prijësave popullorë që udhëhoqën këtë luftë, emri i Brahim Gjoçit mori gradën e kapitenit.
Kjo luftë frymëzoi mësuesin patriot Haki Sharofi të thurë atë këngë që në ato vite u bë kushtrimi i lirisë: “Drin o lum i gjanë, plaku i malësisë/ A ke me ja lanë Dibrën, Serbisë?/….. Lurë o vend i nalt, vend i trimërisë/ Atje u lind fjala, besa e lirisë ………”
Po Dibra i mbeti Shqipërisë, në saj të heroizmit dhe vetmohimit të malësorëve dibranë. Në këtë epos, Brahim Gjoçi ka pjesën e vet si luras dhe kapedan kreshnik.
Kur Shqipëria i siguroi kufijtë e vitit 1913, e gjithë vëmendja u kthye drejt Tiranës, ku po bëheshin përpjekje për konsolidimin e shtetit shqiptar. Elez Isufi, Bajram Curri që kishin dhënë gjithçka për të bërë Shqipërinë, ndiqnin me shqetësim debatet në Parlamentin e parë shqiptar, ku rivaliteti politik i ndezi ashpër. Ishte thirrja e një grupi deputetësh, përparimtarë, progresist dhe patriot, drejtuar Elez Isufit, midis të tjerëve dhe Brahim Gjoçi, që plaku akoma pa u ftohur grykët e pushkëvë të nisej për Tiranë. Kështu lindi Lëvizja e Marsit 1922, si një nevojë e krijimit të një shteti demokratik dhe përparimtar.
Krahas Elez Isufit si gjithmonë ishte dhe Brahim Gjoçi që mbështeti këtë lëvizje. Edhe marshimi për Tiranë, nisi pikërisht nga Lura e Brahim Gjoçit, i cili dha një kontribut të mirë në atë marshim tepër të rrezikshëm.
Sulmi mbi Tiranën ishte i rrufeshëm. Brahim Gjoçi, krahas Sufë Xhelilit ishte në ballë të luftës. Një plumb e merr trimin në gjoks, por ai nuk bie. Këtij akti, rapsodi i këndon: “Brahim Gjoçi një djal’ i ri/ i ra plumbi m’u në gji/M’u në gji e n’xhamadan/po u thot shokëve nuk kam gja”.
No comment! Brahim Gjoçi, si një demokrat i natyrshëm që mori pjesë në Lëvizjen e Marsit, mbështeti dhe mbrojti Revolucionin e Qershorit 1924, si një atdhetar i flaktë dhe një politikan demokrat, që e deshi Shqipërinë të fortë e përparimtare.
Vitet që erdhën, ky luras i urtë dhe i mençur, mbeti në Lurën e tij një burrë i nderuar dhe i respektuar, gjithmonë syçelë dhe me pushkën të ngrehur apo me peshën e fjalës së tij, kurdo që do ta thërriste Shqipëria.
Kur ngjitesh në Lanë të Lurës dhe mahnitesh me ato bukuri të rralla që Zoti krijoi, sjell ndërmend që pikërisht kjo perlë e rrallë e natyrës shqiptare, ka qenë bastoni i lirisë dhe qëndresës heroike dhe ndjen se mungon diçka. Po, mungon përpjestimi i atij akti të madh të shkrirë në një përmendore si simboli më i bukur, i lirisë, qëndresës dhe atdhedashurisë. Emri i Brahim Gjoçit meriton të jetë në ballë të kësaj përmendoreje!
Epilogu/Krej Lurë …1946! Operacioni i egër i brigadës së ndjekjes, kishte lënë gjurmë makabre në familjen e madhe të Brahim Gjoçit. Kullat e djegura, familja e internuar në kalanë e Beratit dhe burrat e dergjur burgjeve, jo pak, por tamam një skuadër … Në vitet që erdhën, lufta e klasave, kjo shpifje e egër, solli shpërbërjen e kësaj familje të madhe në Lurë. Shikimi i tij prej shqiponje ishte venitur. Verbëria i kishte marrë atë pamje të pastër dhe të kulluar si liqejt e Lurës, ku dikur pasqyrohej në to, shpirti i madh bujar i këtij malësori tipik, i kësaj shqiponje të maleve të Lurës. I vrarë në shpirt, por mbahej: qëndronte aty ball oxhakut si një copë shkëmbi që kishte nisur të ronitej. Disa vite më vonë, kur lexova “Koloneli Shabër” m’u kujtua Brahim Gjoçi. Kishin një ngjasi të çuditshme, kishin njohur lavdinë e fituar me gjak dhe mjerim e imponuar me dhunë. E megjithatë, ky burrë që më kishte lënë mbresa të forta që më kujtonin gjithmonë shqiponjën e maleve të Lurës.
Vdiq në mjerim në vitin 1954.
...