Kontrolli teknik i mjeteve, tenderi i koncesionit nën hetim

Prokuroria nisi hetimin pas denoncimit të një prej konkurrentëve që pretendon se fituesit janë favorizuar nga komisioni
Sekuestrohen praktikat e tenderit dhe kërkojnë nga Berisha kopjen e procesverbalit të propozuar në mbledhjen e qeverisë
TIRANË- Tenderi i dhënies me koncesion për kontrollin teknik të automjeteve, merret nën hetim nga Prokuroria, pas denoncimit të depozituar në Prokurori nga një prej subjekteve pjesëmarrëse në tender.
Mësohet se Njësia e Task-forcës në prokurorinë e kryeqytetit, nisi "hetimin" ndaj zyrtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Ata do të hetohen për mënyrën e përzgjedhjes së fituesit të tenderit për kontrollin teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove.
Lajmi konfirmohet nga të............................................ Prokurorisë së Përgjithshme, që saktësuan se kallëzimi është dhënë nga një kompani e përjashtuar nga anëtarët e këtij komisioni, duke shpallur fitues kompaninë zvicerane "Societe Generale de Surveilance" (SGS).
"Pas këtij denoncimi janë kryer një sërë verifikimesh të ndryshme të shkresave zyrtare dhe korrespodencës së Ministrisë së Transporteve me ofertuesit. Janë marrë deklarimet e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Transporteve, me cilësinë e personave që kanë dijeni,- thanë burimet.
Më tej ata pohuan se janë sekuestruar praktikat ligjore të ndjekura nga anëtarët e komisionit, procesverbali i ditës së hapjes së zarfeve ku më pas është shpallur fituesi, si dhe një kopje e kontratës së nënshkruar nga ministri i Transportev dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe zv/presidenti i kompanisë "SGS", Jacques Vollenweider në shtator të 2009. Sipas prokurorisë, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të pyetur në prokurori, kanë mohuar se në përzgjedhjen e fituesit ka pasur favorizim.
"Të gjitha veprimet, që nga hapja e procedurave të tenderit, verifikimi i tyre, pranimi i dokumenteve të ofertuesve, hapja e zarfave të firmave konkurruese e deri në ditën e shpalljes së kompanisë fituese, janë kryer të bazuara në ligjin për koncesionet, vendimet e Këshillit të Ministrave si dhe bazën ligjore të prokurimeve publike.
Në asnjë rast nuk është kryer ndonjë veprim favorizimi i kompanisë fituese. Tenderi është bërë publik dhe transparent kundrejt konkurrentëve,- mësohet të jenë shprehur vlerësuesit e ofertave.
Sipas tyre, në ditët në vazhdim pritet një verifikim i hollësishëm i dokumenteve të sekuestruara, që më pas të arrihet në një konkluzion nëse ka elemente të veprave penale të "shpërdorimit të detyrës"; "ushtrimit të ndikimit të personave që ushtrojnë funksione publike" ose atë të "pabarazisë në tendera".
Konfirmohet se është kërkuar nga kabineti i kryeministrit Berisha dorëzimi i procesverbalit të mbledhjes së qeverisë në ditën kur me propozim të Ministrisë së Transporteve është miratuar marrëveshje koncesionare me firmën fituese.
Në shtator të 2009 është firmosur marrëveshja për kalimin në koncesion të ndërmarrjes së Kontrollit Teknik të Automjeteve tek zvicerianët e "Societe Generale de Surveillance". Ajo duhet të kryejë për 10 vjet në Shqipëri shërbimin e kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve. Sipas kontratës, 5 % e të ardhurave do kalojnë në llogari të buxhetit të shtetit.
Deri para nënshkrimit të marrëveshjes, kontrolli i detyrueshëm teknik për automjetet është zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor. Për tenderin e kontrollit teknik patën konkurruar dy kompani, firma franceze "SAS-SAKAR" dhe zviceranja "SGS" që u shpall fituese.
"SAS-SAKAR" firmë Franceze
SGS", firmë zviceriane e cila u shpall fituese