E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po nesër a do vijë Godoja?

Në vend të ceremonialit që pritet të zërë vend në skenë sonte, në kuadrin e 65-vjetorit të themelimit të Teatrit Kombëtar, regjisori Arben Kumbaro i drejton tri pyetje-sqarime Kryeministrit të vendit jo për lavditë e djeshme, po për problemet e sotme: Ligji, hetimi i Teatrit të Piramidës dhe administrimi aktual


Tri pyetje për Kryeministrin e Shqipërisë


Zoti Kryeministër


Sapo mora ftesën nga Teatri Kombëtar që ka mbushur një moshë të përafërt me atë të një pensionisti, vura re se në këtë përvjetor të radhës të këtij institucioni jetik për shqiptarët, ishit ftuar edhe Ju, ku do mbani ligjëratën kryeministrore sipas stilit "Siç i do mushka drutë!".


Duke përfituar nga ky shans se Juve më 28 Maj do ju shkojë mendja kithtazi, për shkak të detyrës, për Teatrin Shqiptar po përfitoj t'Ju bëj tri pyetje tejet të rëndësishme për jetën teatrore në vendin tonë dhe ndonjë koment të vogël për sqarim, tutje-tëhu:


Pyetja e Parë:
Kaq e paaftë është qeveria që Ju drejtoni sa nuk bëni dot një ligj për Teatrin?

Sqarim: Pasi thatë të 99-at kur ishit në opozitë për Ligjin "Për Teatrin" që bënë socialistët dhe që unë jam shprehur publikisht që ata e bënë atë punë gabim, Ju prej pesë vjetësh që qeverisni, nxirrni e rinxirrni të njëjtin ligj mbi tavolinë dhe, për më tepër, jeni të paaftë ta zbatoni. Kjo histori e Ligjit "Për Teatrin" ka dhjetë vjet. Me Ju në pushtet ka pesë vjet.


Pyetja e Dytë:


Kaq e paaftë dhe e korruptuar është qeveria Juaj sa nuk po mbaroni dot pas pesë vjetësh të vendimmarrjes Tuaj, Teatrin e Ri tek Piramida?


Për sqarimet e termave "korrupsion" dhe "paaftësi" në pyetjen time, ja kam bërë me dije boll herë administratës Tuaj. Jam krejtësisht i gatshëm ta bëj sërish këtë gjë po qe se më kërkohet.


Kam shkruar artikuj e kam folur në programe televizive për këtë çështje. Nuk kam pasur as përgjigjen më minimale për transparencë publike. Po Jua them publikisht që historia e Teatrit të Piramidës është një histori e pastër korruptive e qeverisë që Ju drejtoni. Ngrini një komision ekspertësh, jo dallkaukësh, dhe do vërtetoni fjalët e mia.


Pyetja e tretë:


Kaq e paaftë është qeveria që Ju drejtoni sa nuk gjen një drejtues disi më të përgjegjshëm për Teatrin Kombëtar në kuadrin e 65-vjetorit të tij?


Për këtë pyetje nuk mund të bëj asnjë sqarim. Nëse keni sy për të parë e vesh për të kuptuar realitetin përballë jush, nuk ka nevojë për koment. Nëse botën rreth jush e shihni me syrin e armikut të klasës dhe e dëgjoni nga megafoni i politikës partiake, atëhere ju ndiftë Perëndia!


Kultura s'ka asnjë lidhje as me partitë as me ndarjet njerëzore të çfarëdolloj klani, klase, race apo feje qofshin ata. Ajo është e vetmja strehë shpirtërore mes të gjallësh, që i bashkon njerëzit ngaqë ata janë të ndryshëm.


Po Jua bëj këto pyetje publikisht në shtypin e ditës ngaqë e di se protokolli nuk do ketë hapësirë për debat të lirë dhe Ju, si dikur Enveri, do përsërisni sërish se ne kemi aktorë të kalibrit botëror. Të mos më keqkuptojnë miqtë e mi aktorë.


Me ta kam ndarë e do ndaj shumë ëndrra e përpjekje në jetën time. Enveri dikur nuk përmendi asnjë regjisor. Ai regjisorët dhe dramaturgët i futi në burg. Sepse regjisorët dhe dramaturgët përfaqësojnë idetë në teatër.


Dhe ai donte një Teatër pa ide ku të përdoreshin aktorët si kukulla dhe dekor në raste përvjetorësh. Koha ka kaluar por realiteti është i njëjtë.
Teatri Kombëtar sot në 65-vjetorin e tij është i vetmi teatër në Europë që ka aktorë e s'ka regjisorë në organikën e tij.


Ngaqë edhe sot në teatër dhe pothuaj në shumë hapësira të jetës në Shqipëri, 20 vjet pasi është shembur diktatura, njerëzit e pushtetit kanë aversion me idetë dhe njerëzit që i bartin ato.


Zoti Kryeministër,


para 20 vjetësh Ju jeni ulur në lozhën e Teatrit për të parë një nga shfaqjet e mia. E kam fjalën për "Duke pritur Godonë" me autor Samuel Beket, një nga kryeveprat letërsisë botërore.


Pasi ikët Ju nga lozha unë kam 20 vjet që jam ulur aty, në atë lozhë për të parë shfaqjen "Duke pritur ëndrrën e një Shqipërie tjetër" me autor Klasën Politike Shqiptare. Shfaqja e Godosë mbyllej me frazën proverbiale të interpretuar nga aktori i mrekullueshëm e i papërsëritshëm i skenës shqiptare Agim Qirjaqi, që para pak javësh u nda nga jeta, duke lënë këtë frazë si monument kulture në kujtesën tonë shpirtërore:


"Po nesër a do vijë Godoja?"
Po nesër...? Zoti Kryeministër! Nesër? Nëse sot, kaq pak gjëra kanë ndryshuar pas 20 vjetësh.

Sinqerisht
Arben Kumbaro


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›