E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braktisin shkollën 0.4% e nxënësve

Braktisja e shkollës dhe analfabetizmi vazhdojnë të jenë të pranishme në shoqërinë shqiptare. Ndonëse jo të theksuara, krahasuar me vitet e mëparshme, ato janë në fokus të shqetësimeve që ngrenë herë pas here arsimtarët. Nga statistikat më të fundit që disponon Ministria e Arsimit, braktisja e shkollës në arsimin e detyruar 9-vjeçar shkon në 0.4%, ndërkohë që ata që vazhdojnë të mos frekuentojnë këtë sistem janë fëmijët e komunitetit rom e egjiptian, të cilët nuk janë të regjistruar pranë njësive vendore. “Shifrat e para kanë qenë relativisht rrëqethëse, të mëdha, edhe më shumë sesa 1% e nxënësve rezultonin braktisës. Në vitin e kaluar shkollor rezultonte 0.4% e nxënësve braktisës”, - thotë drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Ndërsa përsa i përket analfabetizmit, arsimtarët thonë se janë ngritur disa klasa në qytetet kryesore, si Tirana, Shkodra, Durrësi, Korça e Gjirokastra, që trajtojnë fëmijët që kanë probleme në të kuptuarin e programit mësimor. Krahas fëmijëve romë dhe egjiptianë që braktisin shkollën për arsye ekonomike, një grup tjetër janë dhe fëmijët e familjeve të ngujuara, të cilët si pasojë e fenomenit të gjakmarrjes janë të detyruar të mos shkojnë kurrë në shkollë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›