Parlamenti miraton Ligjin për Transplantet
Në seancën e fundit plenare për këtë sesion, Parlamenti ka miratuar edhe ligjin mjaft të rëndësishëm të “Transplantit të indeve, qelizave dhe organeve në Republikën e Shqipërisë”. Në fjalën e tij, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi se ky ligj respekton direktivat europiane dhe është pjesë e një legjislacioni tërësisht bashkëkohor, duke mbështetur të gjitha llojet e iniciativave shkencore që hulumtojnë e veprojnë në këtë fushë. “Ligji mbështetet në disa mekanizma të shëndetshëm, siç është dhurimi vullnetar, krijimi i instrumenteve përkatëse, si Qendra e Transplanteve, por edhe në kontrollet nga organi këshillimor pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Ai përcakton mekanizma kontrolli shumë rigorozë dhe është përftuar nga eksperienca më e mirë europiane. Ky ligj vjen pas një kohe të gjatë, ndërsa edhe në Europë ka pasur jo pak debate të karakterit etik, filozofik e fetar. Së fundmi edhe ne jemi përfitues të një ligji që pasqyron eksperiencën më të mirë europiane, pas një pune shumë të gjatë dhe me ekspertë të TAIEX (Asistenca Teknike e Komisionit Europian), por edhe me ekspertë të Qendrës Europiane të Transplanteve”, - ka deklaruar kreu i Shëndetësisë. Për ministrin Vasili, miratimi i ligjit është një ngjarje pozitive, sepse shumë profesionistë shqiptarë kanë përparuar dukshëm në këtë fushë.
“Sot, në vendin tonë numri i transplanteve është i kufizuar, por nesër do të jetë më i madh dhe mundësia e të pasurit të një legjislacioni të tillë ua lehtëson profesionistëve punën dhe veprimtarinë e tyre trajnuese jashtë Shqipërisë, duke hapur njëkohësisht edhe fusha të tjera përveç transplantit tradicionalisht të njohur të organeve”, - është shprehur ministri Vasili. Sipas tij, tashmë shëndetësia shqiptare do të eci dhe në rrugën e transplanteve të indeve dhe qelizave, që shpesh janë jetike për disa patologji të rënda, ku rrugëzgjidhja e vetme është transplanti.