Bojken Lako: E ardhmja ime tani do jetë vetëm muzika
Zhgënjimi nga Festivali i Këngës në RTSh, kënga e re e hedhur në treg dhe projekti për albumin e grupit të ri “Bojken Lako dhe brezat”
Pasi ka shkelur thuajse të gjitha rrugët e artit fillimisht si kitarist, e më pas si këngëtar, kompozitor e në fund si regjisor, Bojken Lako ka vendosur që tashmë t’i rikthehet asaj që ai bën më mirë: muzikës. Vetëm pak ditë më parë ka hedhur në treg këngën e re të titulluar “Tirana AAA” bashkë me grupin e ri që sapo ka krijuar në bashkëpunim me ish-studentin e tij Albi Xhepa dhe po përgatitet për albumin e ri të grupit “Bojken Lako & brezat”. Kishte 2 vjet që i mungonte tregut muzikor një album me këngët e tij, por Lako thotë se e ardhmja e tij do të jetë vetëm muzika e ndërsa ëndrra e tij për të bërë një film do të mbetet edhe për shumë kohë e tillë.
Sapo keni hedhur në treg një këngë të re të titulluat “Tirana AAA”. Një këngë që duket se ndiqet nga ritme patriotike?
Kënga “Tirana AAA” është kompozuar para 1 viti e gjysmë për studentin tim të “Star Akademi” Albi Xhepa, me të cilin dhe kam bashkëpunuar për këtë këngë. Ishte pjesë e strukturës së atij programi, që ne të kompozonim një këngë për studentët që kishim në patronazh. Kemi punuar gati 3 muaj për ta përgatitur këtë këngë. Por kënaqësia ime ishte që ta këndoja atë bashkë me Albin, por dëshira jonë ishte që të bënim dhe një videoklip me imazhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Për këtë shfrytëzuam disa pamje të Alket Islamit. Kënga “Tirana AAA” (që mund ta gjesh edhe YouTube) duket sikur ka një tekst të thjeshtë, që rrotullohet vetëm rreth Tiranës, por në të vërtetë nuk ka lidhje vetëm me Tiranën, por me dashurinë për vendin tënd dhe për njëri-tjetrin. Ky është mesazhi që unë dua t’i përcjell brezit të ri me këtë këngë. Unë në një farë mënyrë u dashurova me brezin e ri që punova gjatë gjithë vitit në një program televiziv, që titullohet “Promo Zonë”. Siç është ajo vajza në klip që kërcen “free stile”, sipas mënyrës së vet, pa marrë mësime nga pedagogë. Apo ajo vajza tjetër që bën grafike nëpër mur. Ajo është një grafiste autodidakte dhe pavarësisht se ajo që bën në video është një lloj arti i ndaluar, sepse etiketohet si rrugaçëri, unë ia lejova vetes që të bëj një akt vandal për të shkruar nëpër mure emra qytetesh që janë shqiptare edhe pse ndodhen jashtë kufijve tanë si Prishtina, Janina, Shkupi, Mitrovica etj. Është kjo ndjesi që më erdhi nga brenda. Në këtë kontekst kjo nuk është një këngë patriotike, por një ndjesi e brendshme e imja. Është e rrymës danc-rrok, një rrymë që aplikohet shumë në Angli. Në fund të fundit, kjo nuk është një këngë për t’u kuptuar, por për t’u ndjerë.
Një këngë që dominohet nga melodia dhe jo nga teksti, a nuk do tingëllojë si e huaj për publikun shqiptar?
Unë po përgatis një album me disa miq të mi dhe kemi një vit që punojmë. Këngët që do të përfshijmë në këtë album kemi vendosur të mos kenë shumë tekst, shumë filozofi, që të kuptohet jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga një gjerman, italian amerikan etj. Kënga “Tirana AAA” është pjesa e parë e këtij albumi, që ka vetëm një fjali: “Shumë shpejt kalova përmes vendit tim dhe u mbusha me mirësi dhe bukuri”. Kaq është teksti i këngës dhe pjesa tjetër pasohet nga emra qytetesh shqiptare. Ka ardhur momenti që publiku të ndjejë dhe të mësojë muzikën më shumë sesa tekstin e një kënge.
Publiku ka krijuar tashmë një imazh si rroker për Bojken Lakon, por me këtë këngë dhe me këtë album vini me një imazh të ri artistik. Nuk e shihni si risk këtë?
Vitet e fundit unë nuk i kam dhënë shumë kohë vetës për të jetuar vetëm me muzikën. Kam bërë shkëputje herë pas here, por sa herë që jam rikthyer kam qenë ndryshe nga hera e fundit. Unë kam kënduar danc, por dhe rrok dhe mendoj se imazhi si rroker ka qenë më shumë mediatik. Faktikisht ky është një imazh i krijuar, sepse unë kam lëvruar rryma të ndryshme.
Keni ngritur dhe një grup të ri muzikor “Bojken Lako & brezat”, pas grupit Bojken Lako & Thë Fish”. Përse kësaj radhe keni zgjedhur të rinjtë?
I vlerësoj shumë të rinjtë. Vitet e fundit kam punuar shumë me ta, kam kompozuar mbi 40 këngë për këngëtarë të rinj dhe kam bashkëpunuar me ta. Unë mendoj se po rritet një brez shumë i mirë artistësh që janë impenjativë dhe kanë interes për muzikën. Ne kemi shumë talente, por që nuk u krijohet mundësia që të promovohen. Vetëm për dy javë kërkime që ne bëmë nëpër gjimnazet e Tiranës, gjetëm elementë shumë të mirë. Nga eksperienca e mirë që unë pata me këta të rinj të talentuar menduam bashkë me mikun tim të kahershëm Trim Radoja (djali i Robert Radojës) që të ngrinim një grup të ri. Tashmë kemi krijuar një bërthamë, ku jam unë që kam lënë mënjanë kitarën dhe jam solisti i grupit, në kitarë dhe bas është Trim Radoja, që ashtu si dhe unë është tepër i pasionuar pas muzikës elektronike. Vokaliste është një vajzë e talentuar si Semi Jaupaj, që ka dalë nga “Star Akademi”. Kjo është një bërthamë treshe pastaj kemi dhe një vajzë që i bie tastierës, që quhet Klodiana Buzi dhe herë pas herë do punojmë edhe me Roland Fushën, baterist profesionist. Kemi orkestruar deri tani 11 këngë, nga të cilat disa janë të reja. I kemi promovuar disa prej tyre në koncerte që kemi zhvilluar në Kosovë dhe Shqipëri. Albumi do ta dalë së shpejti. I bie gati 2 vjet e gjysmë pas albumit tim të fundit të titulluar “Rrugë”.
Përfundimisht jeni rikthyer te muzika?
Them se tashmë kjo do të jetë e ardhmja ime. Vjen një moment që njeriu fokusohet në atë që mund të bëjë më mirë. Ëndrrat vazhdojnë deri në fund por mendoj se ka ardhur koha që të vendos. Kam dëshirë të sjell një muzikë ndryshe, pak më elektronike, jo tamam me staturën klasike të një grupi rroku, me një kitarist apo baterist apo kitarë, por shpesh herë kjo staturë do të ndryshojë, ku baza e ritmit mund të jetë edhe muzika e përgatitur nga një DJ. Njerëzit pa e ditur dëgjojnë gjithë ditën muzikë elektronike dhe nuk e kuptojnë.
Do largohesh nga Televizioni?
Jo, sepse Televizioni është një mënyrë për të jetuar. Por nuk është vetëm kjo, TV më pëlqen, sepse unë aty kam një program ku promovohet brezi i ri.
Të kthehemi pak në kohë, tek eksperienca juaj e fundit si regjisor i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. A arritët të jepnit gjithçka në atë festival?
Në përgjithësi ishte një përvojë shumë e mirë për mua dhe ishte kënaqësi që të isha pjesë e këtij Festivali, me mendimin se do të sillja një frymë të re. Pavarësisht se, kur mora përsipër ta bëja një gjë të tillë, kujtoja se do isha pak më i lirë në përzgjedhjen e materialeve muzikore, sepse fillimisht ashtu kishim bërë lloj marrëveshje me drejtuesit edhe pse jo të shkruar, që do të gjenim mirëkuptim përsa i përket materialeve muzikore që do të përzgjidheshin për këtë festival. Ndoshta jo me qëllimin për të bërë një festival alternativ, por për të gjetur elemente të reja që të mos ngeleshim në atë ujin që s’lëviz fare. Por pak nga pak gjatë rrugës dhe pastaj në fund e pashë veten se i përkisja vetëm paraqitjes vizive, të cilën unë besoj se e kurova ashtu siç unë doja dhe kishte njerëz që thonin se nuk duhej të ishte kaq moderne. Por nuk gjeta atë kënaqësinë që prisja, përsa i përket materialeve muzikore. P.sh. insistova që të kishte 2-3 grupe muzikore për të sjellë një frymë të re në Festival. Pra, nga kjo pjesë nuk ngela shumë i kënaqur, sepse nuk dhashë atë që mund të jepja, sepse nuk m’u dha hapësira e duhur për ta bërë një gjë të tillë.
Do ta merrje më përsipër për ta ndryshuar atë festival?
Ky është problemi. Në momentin që je gabimisht në një vend që nuk të lë hapësirë është e kotë, sepse ti gjithë energjitë ndërkohë mund t’i harxhosh të bësh një festival tjetër. Festivali i RTSH-së ka vlerat e veta, sidomos nga ana teknike dhe profesionale, sepse njerëzit që punojnë aty ishin korrektë dhe transmetonin një lloj kulture që dukej se ishin rritur në televizion. Por nuk kam ndërmend të rikthehem për ta ndryshuar, sepse ai ashtu e ka krijuar strukturën e vet. Nëse do të ndryshonte, atë e bën muzika dhe jo ndonjë gjë tjetër.
A e sheh më veten Bojken Lako te regjisura?
Jo më larg se 3-4 muaj shpreha dëshirën për të bërë një film, por është shumë e vështirë. Duke e parë këtu filmin si diçka pak të vështirë për ta realizuar, mendoj që këtë ëndërr ta lë pak mënjanë. Kinematografia është një industri shumë e vështirë, që duhet një punë 3-vjeçare përgatitore, duke lënë pas dore të gjitha punët e tjera, pra do një angazhim maksimal dhe në fund rezultati mund të mos jetë ai që ti pret.
A jeni tunduar ndonjëherë nga muzika komerciale, që ndoshta s’ka vlera artistike, por peshon shumë në vlera monetare?
Jo asnjëherë, kurrë. Por, gjithsesi, mendoj se ky problem që ka sot tregu muzikor është diçka kalimtare. Edhe në botë ka dy kategori: ata që prodhojnë muzikë shumë të mirë, e cila nuk ka atë fitimin që ka një muzikë komerciale dhe ata që prodhojnë muzikë për para. Por mua nuk më shqetëson fare ky fakt, se edhe muzika e mirë nëse do arrish t’i bësh publicitetin e duhur mund të sjellë fitime. Problemi gjithmonë qëndron te menaxhimi.
A do të pasohet albumi me një tur nëpër Shqipëri?
Po, kemi një projekt për të zhvilluar një tur koncertesh nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në ato qytete ku ka universitete, për ta përmbyllur me një koncert të madh te Qyteti i Studentit. Gjithashtu, në këto koncerte kemi si qëllim që të promovojmë grupet e të rinjve në çdo qytet që do të shkelim, e kam fjalën për grupet lokale. P.sh. nëse do jemi në Vlorë do të përzgjedhim 2-3 grupe nga Vlora për t’i promovuar.
Duket sikur keni marrë misionin për të promovuar brezin e ri. A nuk ju duket, ndoshta, një mision i pamundur, por padyshim vështirë në këtë Shqipërinë tonë?
Siç thashë, ne kemi shumë talente që nuk u krijohen hapësira dhe mundësi për të zhvilluar talentin e tyre. Për këtë qëllim kam prezantuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve një projekt për ngritjen e një qendre kulturore për të rinjtë. Ideja është për ngritjen e një qendre të madhe, ku të rinjve t’u krijohen të gjitha ato mundësitë teknikë që do një grup apo qoftë dhe një individ për të zhvilluar talentin. Njëkohësisht do të angazhoj edhe të rinj të Akademisë së Arteve që të vijnë aty e të punojnë këngë dhe video me çmime të ulëta për t’u promovuar në tregun muzikor. Pra, ky ambient do të promovojë këta të rinj, duke u krijuar mundësinë që jo vetëm të zhvillojnë talentin e tyre, por edhe të zhvillojnë koncerte recitale në mjediset e kësaj qendre. Pra, një herë në dy javë do të promovojmë nga një grup ose këngëtar, të cilët do të performojnë live për publikun. Nëse do kemi mundësi të gjejmë edhe ndonjë Televizion që të na japë hapësirën e vet televizive për t’i transmetuar këto koncerte, akoma më mirë, në të kundërt do të hapim një kanal në Youtube dhe do t’i hedhim atje.