Mjekët, ndalohen lëvizjet gjatë orarit të punës
Pipero: Nëse mjeku do të kapet apo do të vërtetohet se gjatë orarit të punës nuk është në vendin e punës dhe shkon e kryen një aktivitet tjetër, menjëherë i pritet kontrata e punës
Mjekët e spitalit më të madh të vendit, “Nënë Tereza”, që do të braktisin punën gjatë orarit zyrtar, rrezikojnë të mos jenë më pjesë e këtij institucioni shëndetësor. Duke marrë shkas nga situata e krijuar, ku mjaft bluza të bardha largohen nga spitali brenda orarit zyrtar të punës, për të shkuar në klinikat private ku ata ushtrojnë një punë të dytë, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur t’i thotë “stop” këtij fenomeni të jashtëligjshëm, që më së shumti rëndon në kurrizin e pacientëve. Për këtë arsye, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka nxjerrë urdhër me qëllim kontrollin e respektimit të orarit zyrtar të punës. Sipas këtij urdhri të ri, tashmë asnjë nga mjekët që punojnë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” nuk do të lejohet më që në orarin zyrtar të largohet nga klinikat e spitalit publik, për të shërbyer në klinikat private, ku janë të dypunësuar, në rast të kundërt riskon vendin e punës në spitalin shtetëror. Detajet e këtij rregulli të ri për bluzat e bardha në QSUT bëhen të ditura nga drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili deklaron se do të ketë penalitete për shkelësit e urdhrit. “Na ndodh shpesh që mjekët gjatë orarit të punës lëvizin nëpër klinika private, apo nëpër qendra shëndetësore private, apo në spitale private. Natyrisht mjekët tanë nuk janë të ndaluar të dypunësohen, apo të kenë një punë të dytë, por ky aktivitet duhet të kryhet pa cenuar kontratën me institucionet publike. Nëse mjeku do të kapet apo do të vërtetohet se gjatë orarit të punës nuk është në vendin e punës dhe shkon e kryen një aktivitet tjetër, menjëherë i pritet kontrata e punës”, - pohon Pipero. Një tjetër shkelje e konstatuar se është bërë nga mjekët ka të bëjë me abuzimin për shërbimin roje, pasi, sipas Piperos, është vënë re se shpesh ky shërbim u besohet specializantëve, të cilëve, sipas urdhrit të dalë, u ndalohet në mënyrë absolute të jenë primarë. Drejtoria Spitalore në Ministri dhe Drejtoria e QSUT-së do të rrisin kontrollet ndaj punës së mjekëve brenda orarit të përcaktuar në kontratë, ndërsa shërbimi i mjekut roje do të publikohet në saitin e çdo spitali.