E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Braktisja” e Bekim Fehmiut

16/06/2010 Të aktronte, për të prej kohësh nuk kishte asnjë kuptim dhe nuk do të thoshte asgjë. “E keqja” e kishte mpirë dhe zhveshur nga përgjegjësia e detyra si artist dhe me sa duket, jo vetëm. Në këtë pikë, “të ikte” dukej se ishte zgjidhja për artistin e njohur Bekim Fehmiu. Pasi braktisi aktrimin, aktori shqiptar me famë botërore vendosi të braktisë edhe këtë jetë. Ai është gjetur i vetëvrarë ditën e djeshme në Beograd dhe lajmi konfirmohet edhe nga autoritetet serbe.

Artisti, që dikur e shihte aktrimin si bekim e që kishte pasion për pikturën, theksonte se arti kishte qenë mesazhi që kishte sjellë. “Po të mos kisha qenë aktor, do të isha dentist ose piktor. Në të vërtetë, më pëlqen të pikturoj. Mendoj se edhe nëna ime, Dija, ishte e bekuar duke lindur tetë fëmijë dhe që i la të gjithë pas, por ka lënë edhe shtatë nipër dhe tre stërnipër”, do të shprehej aktori në një intervistë të tijën vite më parë. Por, edhe pse e pranonte që kishte pasur fat në jetë si individ dhe si familje, Fehmiu “e vuante” thellë vështirësinë e të jetuarit në rajon dhe gjendjen e Kosovës. “Jeta e njerëzve në rajon, sidomos në Kosovë, nuk është aspak e lehtë. Për vite me radhë kam refuzuar të luaj dhe mendoj se do të vazhdoj ende. Për shkak të gjithë kësaj të keqeje të madhe, kam humbur çdo lloj sensi detyre dhe nuk ndiej asgjë për aktrimin. Nuk dua të luaj më”, do të nënvizonte artisti.

I lindur në Sarajevë, Bosnjë-Hercgovinë, Fehmiu vetëm disa ditë më parë, më 1 qershor, kishte shënuar 74-vjetorin e lindjes.

Kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në degën e dramës në Beograd. Karrierën profesionale e filloi në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës. Pas mbarimit të studimeve është anëtar i Ateliesë 212 dhe i Teatrit të Dramës së Beogradit, ku punoi për gati 10 vjet. Nga viti 1967 deri më 1981 punoi si aktor i lirë dhe u kthye sërish në atelienë 212, duke u angazhuar paralelisht në Teatër dhe filma në Jugosllavi dhe shtete të tjera evropiane, kryesisht në Itali, duke interpretuar krah aktorëve mjaft të njohur, si: Irena Papa, Ana Mofo, John Huston, Klaudia Kardinale, Olivia de Hallivand, Massimo Girotti, Ingrid Thulin, etj., si dhe nën drejtimin e regjisorëve të njohur Franco Rossi, E.M. Salerno, Rajmond del Balco etj. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Një personalitet në fushën e kinematografisë ballkanike, që ka një kontribut të madh në kinematografinë botërore.

Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Filloi të bëhej i famshëm në mesin e viteve 60, në sajë të interpretimit të rolit të Halil Begut në filmin “Roy” (1966), për të cilin edhe u nderua me çmim në Festivalin Jugosllav të filmave artistikë.

Ka interpretuar rreth 45 role në filma dhe po kaq në skenë. Filmi që e bëri të njohur emrin e tij në Jugosllavi dhe në Evropë ishte “Mbledhësi i puplave” me regji nga Aleksandër Petroviç, më 1967, me të cilin konkurroi edhe në Festivalin e Kanës dhe u nderua me çmim.

Pas këtij filmi mori shumë oferta për të punuar në Evropë dhe në SHBA. Karrierën ndërkombëtare që e kishte filluar me një rol episodik në filmin “Morgan” A Suitable Case for Treatment” (1966) e vazhdoi me filma në role kryesore. Ka interpretuar rolin e Uliksit në filmin italo-gjermano-jugosllav “Odiseja”, prej të cilit u nxor filmi i Franco Rossit “Aventura e Uliksit”.

Vijoi me filmat “Adventures” dhe “La spina dorsale del diavolo”, një western i vitit 1971. Pas tij interpretoi në “Dezertori”, “Bora e fundit e pranverës”, “Libera, amore mio…” me partnere aktoren e njohur Klaudia Kardinale.

“Dëshmitari duhet të heshtë”, “Leja për vrasje”, “Salon Kitty” me regji të Tinto Brass, “E diela e zezë” me regji të John Frankenheimer, “E gatshme për gjithçka”, “Aventurieret” me partnere Ana Mofo, John Huston, “Zëri”, një film mbi rininë e Nënë Terezës, ku luan rolin e babait të Gonxhe Bojaxhiut, “Fëmija me emrin Isak” etj, janë disa prej filmave ku ka interpretuar. Pas serialit të njohur “Përgjithmonë Xhulia” (Disperatamente Giulia) pasoi një heshtje e gjatë e thyer vetëm pas 10 vjetësh me një tjetër serial, bashkëprodhim italo-franko-gjerman “Zemra dhe shpata” ose “Tristani dhe Izolda” më 1999.

Ndër filmat e fundit ku interpretoi është “Balada për një mbret” me partnere për të disatën herë të njohurën Irena Papas.

Më 1972 vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Për të është realizuar edhe një dokumentar nga Kinostudio, “Bekim Fehmiu në Shqipëri” (1972).

I martuar me aktoren serbe Branka Petriç, ishte nga ata njerëz që nuk e braktisi asnjëherë Beogradin dhe nuk iu tremb të qenit shqiptar. Baba i dy fëmijëve, njëri prej tyre, me emrin Uliks është aktor dhe jeton në SHBA.

Në Serbi është botuar libri me kujtime i Fehmiut “Shkëlqim dhe frikë”.

(Mbështetur në librin “Shqiptarët në kinematografinë botërore” të studiuesit A. T. Hoxha)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›