E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Matës, një dëshmitare flet për makinën

16/06/2010 Te Krimet e Rënda një vajzë nga Zapodi është marrë dje në pyetje nga hetuesit

“Makina ishte e zezë dhe ecte shpejt, nuk ia pashë targat”

TIRANE- Gati një muaj nga zhdukja misterioze e vogëlushes 6-vjeçare Bleona Mata, prokurorët e Krimeve të Rënda ende vazhdojnë të mos kenë një autor dhe pistë konkrete se për çfarë, dhe si ka humbur kontaktet me familjen e saj vogëlushja nga Zapodi i Kukësit. Ditën e djeshme ata kanë marrë në pyetje njërën nga katër vajzat, e cila përballë prokurorit Anton Martini ka dhënë sqarime lidhur me një episod ku ka parë një makinë me ngjyrë të zeza, e cila largohej nga fshati me shpejtësi të madhe. Kjo gjë është fiksuar edhe në kujtesën e dëshmitares, emri i të cilës nuk u pranua të bëhej publik, e cila ka dhënë sqarime mbi makinën, të cilës nuk kishte mundur t’ia fiksonte targat. Për organin e akuzës ajo ka dhënë vetëm ngjyrën e makinës, e cila sipas saj kishte qenë e zezë dhe se ajo e kishte parë automjetin duke lëvizur me shpejtësi. Dëshmitarja ka sqaruar hetuesit se makina nuk i përket ndonjë personi që banon në fshatin Zapod, por ajo ishte e panjohur për të dhe se nuk ishte në gjendje të tregonte se kush ishte pronari i saj. Pas përfundimit të dëshmisë vajza është lënë sërish e lirë, ndërkohë që oficerë të Policisë së Shtetit dje kanë vazhduar me marrjen e disa dëshmive të tjera me qëllim zbardhjen e shkakut misterioz që rrethon zhdukjen e vogëlushes 6-vjeçare Bleona Mata. Prokuroria ka vënë në përgjim dhjetëra numra me qëllim marrjen e ndonjë të dhëne, por deri tani, kjo skemë nuk i ka funksionuar. Aktualisht hetimi është përqendruar vetëm tek vajzat që e shoqëronin vogëlushen në mal, ku akuza ka ngritur dyshime se ndonjëra prej tyre përfshirë këtu edhe hallën e Bleona Matës mund të ketë gisht në këtë çështje. Në mbështetje të organit të akuzës janë vënë edhe agjentët e SHISH, të cilët janë duke mbledhur informacione operative me qëllim hedhjen ndritë mbi këtë ngjarje të rëndë. Deri tani çështja vazhdon të jetë në mjegull, pasi Prokuroria nuk disponon asnjë provë, e cila do të inkriminonte ndonjë person që ka lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 21 maj në fshatin Zapod të Kukësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›