E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braktisja e bojkotit vetëm do ta nderonte PS-në

Askush nuk është i pagabueshëm. Përkundrazi, gabimi është njerëzor. Të ngulmosh në gabimin, nuk tregon vlerë. Nuk është fisnike të zvogëlosh aspiratat e sovranit për hir të një qëndrimi, që ke gjykuar për një çast si të drejtë. Njeriu i kultivuar nuk fshihet prapa sedrës formale. Nuk lartësohet një parti që nuk vetëkorrigjohet. Nuk mbron interesat e sovranit ai që shkon ndesh me synimet e këtij. Njerëzit e shquar kanë çmuar edhe tolerancën si majën e trimërisë. Vetëm njerëzit meskinë, apo partitë e “asfiksuara” nga egoizmi i sëmurë i liderve të tyre, nuk shohin me sy kritik veprimet e veta. Duhet  përkushtim idealisti të përballosh një humbje. Sidomos kur ke deklaruar solemnisht një fitore të sigurtë. Lavdia e vërtetë nuk arrihet me kokëfortësi. Reflektimi ka “pjellë” burra të mëdhenj shteti. Nëse një lider ka probleme të brendshme në partinë e tij, duhet të ngrihet mbi to për të treguar se nuk bie pré e ambicies së vet meskine. PS-ja ka deklaruar shumë herë se misioni i saj më i lartë është aderimi i Shqipërisë në familjen europiane. Ky qëndrim, po të ndiqej prej saj me konseguencë, do ta ndihte të largonte sadopak dyshimin se ajo është vetëm vazhduese e veprës së “nënës” së saj. Nuk mund të ketë për PS-në qëndrim më demokratik se distancimi nga e kaluara komuniste, nga mentaliteti dhe paragjykimet klasore të kohës së mizorisë së asaj utopie të çmendur. PS-ja nuk ka hyrë endé në parlament, gjoja, me pretekstin e mbrojtjes së votës së lirë, të ruajtjes së besimit të sovranit te shprehja e lirë e vullnetit të tij. Mirpo “lufta” e PS-së nuk u pasua nga ndonjë reagim negativ i sovranit, i cili, përkundrazi, u entusiazmua nga arritja e një niveli të tillë të mirë, madje, shumë të mirë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk u panë komisionerë socialistë, që firmosën me përgjegjësí ligjore procesverbalet e hartuara bashkërisht në qëndrat e votimit, të protestonin se ishin detyruar për veprimet e tyre. Të gjitha institucionet e ngarkuara për gjykimin e drejtë e korrekt të votimit u shprehën unanimisht pro këtij rezultati, të legalizuar dhe nga organet eprore të gjykimit të krejt këtij procesi të rëndësíshëm. Ky mendim i përgjithshëm pozitiv i sovranit, i mbështetur dhe nga vlerësimet tepër inkurajuese të monitoruesve ndërkombëtarë, ka bindur edhe më skeptikun se bojkoti i PS-së nuk është i justifikuar. Kjo parti sigurisht nuk e ka pritur këtë rezultat, por ky iluzion i saj nuk përbën faj për sovranin, i cili të ndëshkohet me bojkot, duke ia penguar kështu aspiratat e tij madhore për liberalizimin e vizave dhe atë të integrimit në strukturat euroatlantike. Nuk zgjidhen problemet e brendshme të një partie, a të një lideri duke kërcënuar sovranin pse votoi për alternativën, që iu duk më e mirë. Demokracia nuk pyet për fatin e një njeriu, madje as të një a disa partive, përpara interesave madhore, të cilat i çmon drejt vetëm sovrani, intuita e tij kolektive gjeniale, e cila nuk ndodh që të gabojë. Të ngulësh këmbë në disa “kushte” në emër, gjoja, të një transparence utopike, nuk tregon as pjekuri politike, as seriozitet partiak, as vizion për të ardhmen e vendit, apo të vetë partisë që përfaqëson. Sovrani me heshtjen e tij kuptimplote e ka dhënë tashmë të plotë mesazhin se nuk pajtohet me bojkotin e PS-së. Nuk pranon ai se ia kanë vjedhur votat komisionerët e tij. Vetëm megalomania komuniste vinte në dyshim këdo. Demokracia beson në ndershmërinë e njerëzve që cakton, pa pretenduar të arrijë menjëherë idealen. Për bojkotin e socialistëve vetë masa socialiste është shprehur skeptike, duke mos besuar se kokëfortësia e PS-së do të arrinte deri në këto kufij. P.S.-ja u ngut, kur e mori këtë vendim, pa u shprehur endé monitoruesit ndërkombëtarë. Pa pritur vendimin e atyre, që nuk dinë të mbajnë anën e njërit, apo të tjetrit në kurriz të normave të shenjta të demokracisë. Pra, kur gjithë populli, gjithë komisionerët, gjithë institucionet e brendshme e të huaja shprehen me optimizëm realist për arritjet e standartit të këtyre votimeve; kur në Raportet serioze të monitoruesve ndërkombëtarë këto zgjedhje vlerrësohen si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, nuk është aspak e drejtë të ngulmosh që ato duhet të jenë doemos të niveleve ideale,  të atyre majave që dhe demokracitë e konsoliduara i kanë arritur me dekada, a ndoshta më gjatë. Kjo nuk do të thotë se, qoftë miqtë ndërkombëtarë, qoftë mazhoranca aktuale, apo qoftë dhe një qytetar i thjeshtë do të kënaqet me këtë nivel standarti të realizuar. Por kjo nuk arrihet duke kërkuar “asprën e Nastradinit”, apo, siç thotë populli “qiqra në hell”. Se, të kërkosh me ngulm rinumërimin e kutive të numëruara, të fotografuara, të pranuara si të “peshuara” ligjërisht nga të dyja palët kundërshtare, të pranishme në proces, do të thotë të ndëshkosh padrejtësisht sovranin, duke i bllokuar atij gjithë reformat madhore, nëpërmjet të cilave ai pret të realizojë aspiratat, që do t’ia justifikonin sakrificat e këtij tranzicioni të vështirë. Socialistët sjellin si “argument” se me bojkotin duan të mbrojnë besimin e elektoratit te zgjedhjet e lira e të ndershme. Dhe nuk llogarisin se ç’dëme të llahtarshme i shkaktojnë këtij besimi, duke shkelur me këmbë interesa dhe aspirata kaq të mëdha për të arritur qëllime kaq të vogla, të ditës, apo personale. Të kërkosh idealen duke shkatërruar vlerat e arritura, nuk është politikë konstruktive. Ky qëndrim kokëfortë i PS-së i ka detyruar njerëzit të mendojnë se prapa tij fshihen synime jo të pastra, interesa aspak madhore, madje, me të drejtë shkohet deri te dyshimi për qëndrime antikombëtare. Prandaj ka shumë rëndësi sot braktisja e bojkotit nga PS-ja dhe futja e saj menjëherë në parlament. Futja në kuvend jo kokulur, por me krenarinë e njeriut që di të ngrihet edhe kundër vetes, kur është puna për Shqipërinë, për aspiratat e saj, për realizimin e reformave transformuese, që kanë për të mbetur si gurë brilanti në historinë e këtij kombi të vuajtur !... 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›