E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vërtetat (por edhe kundërthëniet) e një monisti

Zoti Marko Dajti është kryetari i Partisë së Punës të Riorganizuar. Në një intervistë e kam parë emrin e partisë së tij me shtojcën “të Ridimensionuar”, në mos gaboj. Kjo, sidoqoftë, është e parëndësishme.  Por rëndësia e daljes publike të tij pas zgjedhjeve të 28 qershorit, qëndron në faktin se ai i kundërvihet Edvin Ramës, duke e quajtur ish-kryetarin e PS-së si grabitësin e votave të partisë së tij, në këto zgjedhjet e fundit parlamentare. I pyetur sesi e gjykon thirrjen e Ramës përdaljen në rrugë, ai kësaj pyetjeje i përgjigjet në mënyrë të ngjeshur, që tingëllon thuajse si një aforizëm: - “Kësaj i thonë të akuzosh familjen tënde si hajdute”. Kryetari i Partisë që doli pa asnjë mandat, shpjegon se “PS-ja, qysh nga 2005-a, nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje, të përgjithshme apo të pjesshme e ai, Rama, mundohet të justifikoje humbjet”.
Marko Dajti flet hapur dhe shkoqur, se grabitjet e votave partisë së tij nuk i janë bërë nga PD-ja, por nga PS-ja. Argumenton se PS-së iu la të bënte zgjedhjet, si edhe “Kodin Zgjedhor, por edhe menaxhimin e tyre, gjer në përfundimin e numërimit”. Rama lodhet kot për të kërkuar hajdutë. Pra. Rama kërkon të mos mbajë premtimin për dorëheqje, në rast humbjeje. Kjo fjalë e fundit përdoret gjithandej në shprehjet e Marko Dajtit. Ai i quan “përralla”, përçapjet e kryetarit mandatprerë të PS-së, për të rrëzuar Berishën përmes udhës së bojkotit: -“Berisha nuk rrëzohet me bojkot. Aq më tepër që tani zgjedhjet janë certifikuar nga BE-ja”. Citojmë ende: - “Raporti (i faktorit ndërkombëtar) është i lexueshëm dhe ka dy anë: E para, një mësim për socialistët, që duhet të kthehen në Parlament. Dhe e dyta, është një shuplakë e fortë pas kokës Edi Ramës; por ai - mesa duket - e ka trurin akoma të mpirë. Sepse ashtu goditi edhe PPSHR-në”. Jo vetëm kaq, do të mund të shtohej, por edhe e interpretoi Raportin, sikur miratonte bojkotin!  I zhveshur gjer në këtë shkallë nga racionaliteti, nuk është një metaforë ajo që e portretizon si narcis, nga shumë pena analistësh. Është një portretizim i njëmendët!
Protesta e Dritan Priftit në Fier nuk është e vetmuar, pra. Ai i doli përpara së keqes, ndërsa votat po i vidheshin nga PS-ja e Ramës, nën kujdestarinë e dorës së fortë të Gramoz Ruçit dhe të  një koorte të xhindosur rreth tij. Kandidati për deputet i Partisë Republikane në Berat, i zuri mat atje, në selinë zgjedhore,  numëruesit socialistë, që nuk respektuan kohën për regjistrim, por nuk arriti dot të imponohej për rinumërimin, siç ndodhi me z. Prifti në Fier, i cili për pak sa nuk mbeti pa mandat! (nga babëzia e Ed Ramës).
Dhe këta komisionerë të devotshëm, që i dhanë vota të pamerituara Edvinit, nuk vonuan të akuzoheshin, pastaj, nga i pangopuri, për t’u bërë kryeministër plus kryebashkiak = Führer demokratik(!). Sipas Dajtit, Berisha nuk i ka vjedhur votat, por ia siguroi Rama, me politikën e tij: - “Por edhe sikur të ishte e kundërta, unë do të shkoja në Parlament, për t’u përballur atje me atë” - vëren politikani më i ri  i vendit. Mbase nuk iu kujtua se Rama iu shmang kryetarit të PD-së edhe në debatin publik parazgjedhor që Berisha i kërkoi gjatë fushatës elektorale.
Sipas Dajtit, tani Ramën po e braktisin edhe e majta europiane,  edhe Internacionalja Socialiste . Dhe tani i kanë mbetur farsat demagogjike në familjen e tij politike: -A mendoni se zgjedhjet janë të parapërgatitura dhe Lakrori është përdorur nga Rama, sa për të aktruar një rol të caktuar nga ai? – është një pyetje që i bëhet zotit Dajti. Përgjigjja  është e thukët dhe ia vlen të riprodhohet: - Është e kuptueshme. Besoj se e kuptoni që Lakrori udhëton në një makinë me Ramën dhe mendoj se, gjatë rrugës, ai i mëson “leksionet” që duhet të paraqesë para partisë së tij!
Këtë bisedë publike të Dajtit po e mbyll me një përgjigje që mendoj se do të mbahet mend nga lexuesi që do të ketë rastin ta lexojë: -Si në PBDNJ, PR,PS,LSI etj. konstatohet njëfarë krize pakënaqësie nga individë brenda tyre. Cili është mendimi juaj?
-Anëtarësia e këtyre partive ka të drejtë. Mendoj se një komandant që humb shumë beteja duhet të largohet vetë, se pastaj fillojnë të dezertojnë të tjerët!
Lexuesi e kupton se nuk mund të mos jemi dakord me mendimet e zotit Dajti. Por duhet t’i përmbahemi edhe titullit që bën fjalë për kundërthëniet. Sepse njëra nga pyetjet ia çorienton mendimin koherent Marko Dajtit dhe e vë atë në kontradiksione. Pyetja nëse partia e tij dhe ajo e Hysni Milloshit a janë trashëgimtare të drejtpërdrejta të Partisë së Punës të Shqipërisë, thuajse e huton të intervistuarin. Për ata që nuk e kanë lexuar këtë intervistë, do të më lejohet të citoj një pjesë të gjatë të përgjigjes: “Ne jemi Partia e Punës së Shqipërisë, e organizuar që do të thotë se, pas shpartallimit fatal që  iu bë PPSH-së në kongresin e 10-të, anëtarët dhe simpatizantët tanë janë riorganizuar dhe vazhdojnë të riorganizohen me të rinj dhe të reja, me të njëjtin statut që kishte PPSH-ja e Enver Hoxhës. Ai ishte një statut demokratik që sot nuk e ka asnjë parti në Shqipëri. Te ne, sekretarim e Parë e zgjedh dhe e shkarkon Komiteti Qendror, i përbërë prej 71 vetash, që mblidhet të paktën një herë në tre muaj dhe jo si në partitë borgjeze ku kryetari gjoja zgjidhet me sloganin “një anëtar, një votë” nga anëtarësia, gjë që forcon pozitat e tij dhe pastaj anëtarësia nuk e heq dot. Në këtë mënyrë kryetari mund të bëjë çfarë të dojë me Partinë e tij,  që shkon majtas-djathtas, humbet zgjedhjet dhe nuk ikën (...). Për ne janë të shenjtë Programi dhe Statuti”.
Së pari nuk i jeni përgjigjur pyetjes. PPSH-ja ndërroi emër nga halli, jo nga malli, zotëri. Asaj i duhej të paraqitej si një parti pluraliste. Me ndihmën mefistofelike të R. Alisë, ajo do të duhej të ishte kolona e pestë në lëvijen demokratike antienveriste në vendin tonë. Përndryshe, do të katandisej si partia e Hysni Milloshit që s’ka marrë kurrë, edhe kur nuk i vidheshin votat, më tepër se 0,1 %. PPSH-ja as emrin nuk e vuri vetë. Asaj ia vuri emrin Stalini, në qoftë se nuk e dini. Sa për statutin demokratik të PPSH-së, ai i ngjante Kushtetutës staliniane, “më demokratikja në botë” (!). A mund të ketë një sistem demokratik njëpartiak? - që do të thotë vetë shkruaj, vetë vulos? Fjala monizëm, që nuk është e njohur vetëm në vendin tonë, këtë kuptim ka. Doemos, një kuptim përkeqësues politik.  “Te ne, sekretarin e parë e zgjedh dhe e shkarkon Komiteti Qendror”. Ju nuk e argumentoni dot partinë e E. Hoxhës, me të 99,99 % votat që merrte, me këngë e me valle, që në pikë të sabahut. Nuk e dimë ç’moshë keni dhe nëse keni votuar ndonjëherë në atë kohë diktature infernale. Pyetja që ju bëhet, me këtë rast, është: - A mundeshit dot të të mos votonit? A e dini çdo t’ju gjente? A e dini përse u arrestua sërishmi Zef Mala, për sfidën që të mos votonte? Këtë quani demokraci, ju?  Te ne, - thoni, - sekretarin e parë e zgjedh dhe e shkarkon Komiteti Qendror. Kjo nuk ka rëndësi sesi bëni ju, një parti siameze me atë të H. Milloshit. Por në partinë që ju keni marrë si model, ishte Sekretari i Parë ai që zgjidhte Komitetin Qendror dhe jo anasjellas! Enveri a nuk bënte ç’të donte me partinë e tij? Të akuzonte si antiparti se ishe liberal! (në këndvështrimin konservator). Pastaj i vinte radha që të akuzonte si konservator! (në një plenum tjetër). Kështu u dënuan të pafajshëm edhe në radhët tuaja, palé në “armiqtë”, që ishin të tillë edhe pse u arratis xhaja! (Sot xhajallarët po vriten për disa metra katrorë tokë, në atë masakrim të pronës së ligjshme që bëri Enveri. E.H.-a na mësoi me kufij të mbyllur. Thyerja e kufirit quhej krim (e përmbante kushtetuta këtë?). Mustafa Gjinishi u vra, me urdhër të Enverit. Të nesërmen u mbajtën tri ditë zie dhe u tha në proklamatë se u vra nga gjermanët! Ja cilit regjim po i këndoni ditirambe! Sot jemi pranë liberalizimit të vizave!
Na falni, por krahasimet na i detyruat ju!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›