E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, përfundimisht vendos të bunkerizohet

Kryesocialisti në detyrë, këndon të njëjtin refren edhe në Gjirokastër

Kreu i selisë rozë e ka të pamundur të çlirohet nga kompleksi i humbjes së zgjedhjeve dhe si për të shlyer dështimin e vet, vazhdon të mbajë peng PS-në dhe 65 deputetët e mandatuar më 28 qershor. Edhe në Gjirokastër, është përsëritur i njëjti skenar me dy linja të ndryshme, fasada Rama-Lakrori, ku i pari paralajmëron bojkot pa afat, ndërsa i dyti propozon ndryshime statutore, duke shmangur përfundimisht vëmendjen nga rruga e evropianizimit të Shqipërisë. 

TIRANE – Kryetari mandatprerë dhe në menopauzë politike i Partisë Socialiste, Edi Rama, me sa po duket, po shkon drejt një vetë izolimi total, nga pamundësia për t’u përballur me socialistët e thjeshtë dhe me krisjet e formalizuara tashmë në selinë rozë.
Gjatë një turi takimesh me bazën socialiste dhe një dueti fjalimesh, aspak bindës dhe në pjesën më të madhe është një formalitet sajesash, për të realizuar interesin personal të Edvinit, atë të qëndrimit në krye të partisë me çdo kush, kryesocialisti nuk ka në mendje të tërheqë vendimin për bojkot të parlamentit, pa zgjidhur në radhë të parë këtë hall të madh, me gjithë ndihmën e Lakrorit. Kjo fushatë promovimi dhe programesh afatgjata, për drejtimin e Partisë Socialiste, është farsa e radhës që Edvini dhe hispanikët e tij kanë inskenuar që nga humbja e zgjedhjeve të përgjithshme, në mënyrë që të shporrë nga kryesia e partisë mendimin kritik, zërin e lirë, dhe demokracinë partiake në tërësi, si i vetmi drejtim, për të kapluar PS-në.
Kësisoj, kreu aktual i PS, sqaroi dje në Gjirokastër, një bazë ligjore mediokre, që sipas tij i jep PS-së gjithë të drejtën, për të kërkuar hapjen e kutive të votimit, pavarësisht se ky proces është certifikuar tashmë edhe nga ndërkombëtarët.
Ecejaket e Edvinit, nuk mund ta zbehin roli dhe perspektivën që i dhanë Shqipërisë, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Është e pafalshme, jo vetëm për Ramën, për deputetët e PS-së, por edhe për të gjithë votuesit e kësaj force politike, që vazhdojnë të besojnë broçkullat e një “kufome” politike të dekompozuar, që standardet i cilëson si masakër, votën si plumb pas shpine, dhe transparencën si korrupsion galopant.
“Ne jemi të detyruar përpara të gjithë atyre që na kanë votuar në 28 qershor dhe përpara Kushtetutës, e cila sanksionon liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, që të mbajmë një qëndrim të prerë, një qëndrim të vendosur dhe një qëndrim i cili ka të bëjë drejtpërdrejtë me kontestimin e legjitimitetit të këtij Parlamenti dhe ta kushtëzojmë hyrjen në këtë Parlament me plotësimin e disa kërkesave që janë në themel të Kushtetutës, në themel të jetës sonë demokratike, në themel të bashkëjetesës sonë demokratike në këtë vend”, u shpreh Rama, përmes një fjalimi, që si çdo herë, pati kontestime nga të pranishmit, të cilët i kërkuan kryesocialistit në detyrë që të japë shpjegime pse deputetët e votuar prej tyre nuk duken gjëkundi në sallën e kuvendit...
Ndërkohë, nga ana tjetër, makijazhi i kandidimit të Ramës, apo mburoja e prapavijës politike të tij, Maqo Lakrori, propozoi rregullime në statusin e PS.
Rama, i verbuar totalisht nga humbja e terrenit politik, u shpreh në vijim se forca politike që ai drejton është fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit, por rezultati real u është mohuar nga shteti në shërbim të pushtetit. Sindroma akute e tij, shkon deri aty sa situatën aktuale dhe dështimin e tij, e ka quajtur si një lojë të organizuar nga Fatos Nano, Sali Berisha e Ilir Meta, por sipas tij, kjo është bërë në kurriz të shqiptarëve.
Me tej, kreu në detyrë i PS-së, ka vënë në qendër të akuzave të tij, Mediat, të cilat i ka akuzuar për qëndrim të njëanshëm ndaj pushtetit.
Edhe një fakt që duhet theksuar tek kjo “rrumpallë” politike, është një traditë e re e takimeve të Partisë Socialiste, edhe në Gjirokastër, mediat janë nxjerrë jashtë ambienteve ku po zhvillohej takimi, duke mos lejuar pasqyrimin e plotë të debateve.
Për sa kohë ku individ nuk mbron demokracinë brenda partisë së tij, është e pamundur që procesi i konsolidimit demokratik të vijojë në mënyrë të ndershme, nëse ky “rrumpallë” politik, vjen në pushtet. Nostalgjia e tij e vetme është izolimi dhe bunkerizoi enverist dhe këtë po e realizon më se miri, pavarësisht se jo praktikisht, por në mënyrë abstrakte ka bërë Partinë Socialiste dhe veten e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›