E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani-Salihi, golat shqiptarë në Evropë

 

Leonard Karaj

Shënojnë që të dy. Erjon Bogdani, në fitoren e Kievos në kampionat ndaj Xheno-as, ndërsa Hamdi Salihi, në Kupën e Austrisë ndaj modestëve të St Veit/Glan.Erjon Bogdani ka realizuar golin e parë sezonal me fanellën e Kievos. Në fitoren që veronezët arritën në fushën e tyre ndaj Xhenoas 3-1, Er-Bomber, i cili u aktivizua si titullar shënoi golin e dytë për skuadrën e tij në minutën e 7-të. Ishte një aksion i shpejtë i vendasve me autor brazilianin Luçiano, i cili pasi mori krahun e djathtë të sulmit krosoi mirë në zonë dhe aty Bogdani i ndodhur i vetëm në zonën e rreptësisë shënoi golin e dytë. Dy minuta më parë se sulmuesi kuqezi të realizonte, pati fituar edhe një penallti e kthyer në gol nga Mikele Markolini. Ndërkohë që në pjesën e dytë për të ruajtur edhe rezultatin trajneri i Kievos, Di Karlo e zëvendësoi Bogdanin (minuta 63) nga Pablo Granoche. Ndërkohë nuk ka mundur të bëjë ende debutimin e tij, Blerim Xhemaili me skuadrën e tij të re, Parma. Këta të fundit fituan minimalisht në fushën e tyre ndaj Palermos.  Ndërkaq, thuajse në të njëjtën orë me ndeshjet në Serie A, në Austri Rapidi i Vjenës ku luan sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi fitonte thellë jashtë fushës së vet 1-5 ndaj St. Veit/Glan në Kupën e Austrisë. Dhe natyrisht në takimin me golin nuk kishte sesi të mungonte edhe sulmuesi kuqezi. Hamdi Salihi realizoi golin e katërt për skuadrën e tij në minutën e 50-të. Kjo ishte ndeshja e parë që sulmuesi i kombëtares shqiptare zhvillon me skuadrën e tij të re në Kupën e Austrisë si edhe si titullar. Shkodrani ka debutuar në kampionat, duke shënuar golin e barazimit javën e kaluar ndaj Salzburg dhe në mesjavë në UEFA League. Me fitoren ndaj St. Veit/Glan, Rapid ka siguruar kalimin në turin tjetër të këtij kompeticioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›