E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil 2014 Evropa pushtohet nga ethet

Europa vrapon drejt Brazilit. Në Kontinentin e Vjetër nisin sot ndeshjet kualifikuese drejt Botërorit 2014, me 9 grupe ku ekipet që do të klasifikohen të parat do të fitojnë direkt një “biletë” për në fazën finale, ndërsa tetë ekipet më të mira të vendeve të dyta do të luftojnë për katër vendet e mbetura.

Eliminatoret nisin menjëherë seriozisht, të paktën në Grupin D, ku Holanda pret në “Amsterdam Arena” Turqinë. Pas zhgënjimit në Euro 2012, “tulipanët” tashmë të drejtuar nga Luis van Gal nuk kanë në skuadër De Jong, Van der Vart e Afellai, ndërsa në sulm Huntelar pritet të jetë titullar përpara Van Persit. Gjithsesi Holanda mbetet favorite e grupit, ku kanidate për vendin e dytë duket Hungaria që do të përballet me Andorrën. Takimi tjetër është ai ndërmjet Estonisë dhe Rumanisë.

Grupi A duket më i hapur, me tre skuadra të ish-Jugosllavisë dhe dy të Mbretërisë së Bashkuar. Belgjika drejtuar nga Vilmots dhe me yllin Hazard luan kundër Uellsit në Kardif, ndërsa Kroacia e Stimak përballet me Maqedoninë, në pritje të “derbit” me Serbinë që dot debuton kundër Skocisë.

Në Grupin B, Italia e nis menjëherë me një sfidë të vështirë përballë Bullgarisë, Malta luan me Armeninë, ndërsa në datën 8 në Kopenhagen sfidohen Danimarka dhe Republika Çeke. Në Grupin C, me Suedinë që qëndron pushim, vëmendja është përqendruar te debutimi i Gjermanisë përballë modestëve të Ishujve Faroe. Në takimin tjetër, Kazakistani luan me Republikën e Irlandës.

Një prej grupeve më interesante të kualifikueseve është F-ja, me sfidën në distancë ndërmjet Rusisë dhe Portugalisë. Kapelo debuton në stolin rus përballë Irlandës së Veriut, ndërsa luzitanët kanë përballë Luksemburgun. Duelet plotësohen nga përballja Azerbajxhan-Izrael.

Skuadrat që luftojnë për kreun në Grupin G luajnë të gjitha jashtë fushe, Bosnja e nis në Lihtenshtejn, Sllovakia në fushën e Lituanisë, ndërsa Greqia kundër Letonisë. Në Grupin H, me Ukrainën që është pushim, të gjithë presin të shohin në aksion Anglinë e Roi Hoxhson në transfertën në Moldavi. Ndërkohë, Mali i Zi pret në shtëpi Poloninë.

Në Grupin e fundit, I, Spanja qëndron si spektatore ndërsa në fushë zbresin çiftet Gjeorgji-Bjellorusi dhe Finlandë-Francë. Në total janë 22 ndeshje që luhen sot dhe 2 sfida të shtunën. Të gjithë kërkojnë ta nisin mbarë, ndërsa tashmë verdiktin do ta japë fusha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›