E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil-Bregu i Fildishtë, sot në mbrëmje luhet supersfida

Pesë herë kampionët e botës do të kërkojnë të fitojnë për të arritur edhe matematikisht kualifikimin, në një grup ferri. E në fakt, mes dy kampeve nuk është se ekziston një qetësi e madhe në prag të kësaj sfide. Polemikat kanë lindur sidomos për mbrojtësen e krahut që po përdor sulmuesi Didier Drogba, që sipas palës braziliane nuk është e rregullt. Mjeku Hoze Luis Runko ka shpjeguar se "mbrojtësja ka pjesë metalike dhe nuk mund të përdoret, pasi në mes është integriteti fizik i lojtarëve. Do t'i çojmë një ankesë zyrtare FIFA-s", tha ai.

Për të njëjtën gjë ka protestuar edhe trajneri i Portugalisë Karlos Keiroz, por zëdhënësi i FIFA-s Nikolas Maingot ka shpjeguar se "vendimi i takon gjyqtarit të ndeshjes". Ndërkohë, dje në mbrëmje ka ndërhyrë edhe vetë Drogba, duke thënë se "e kam harruar dëmtimin tashmë".

Ndeshja e sotme mes Brazilit dhe Bregut të Fildishtë ka edhe një duel tjetër brenda saj, atë mes dy trajnerëve. Dunga ka qenë futbollist i Fiorentinës në Serinë A italiane me Fiorentinën, në kohën që ajo drejtohej nga Erikson. Suedezi do të ketë mundësi të takojë edhe Falkaon, që do të komentojë ndeshjen si opinionist në televizionin O Globo. "Në fushë nuk kishte asnjë diferencë mes Dungës e Falkaos, - tha Erikson. - I kam patur të dy në varësi dhe mund të them se Dunga nuk kishte asgjë mangut tij. Cilësitë teknike dhe karizma e tij më bënë shumë përshtypje, që atëherë i kishte cilësitë për t'u bërë trajner, pasi fliste shumë me shokët dhe i orientonte në fushë".

Karlos Dunga ka kërkuar kujdes për ndeshjen e sotme ndaj Bregut të Fildishtë, ndërsa është shprehur se pret që Kaka të shpërthejë në këtë Kupë Bote. "Për Rikin kemi planifikuar me kujdes përmirësimin e tij nga ndeshja në ndeshje, - u shpreh trajneri i Brazilit. - Me Korenë e Veriut mendohej se Kaka nuk do të luante për 90 minuta, por gjëja më e rëndësishme ishte ta shihje në aksion. Pres që ai të përmirësohet në takimin e dytë, megjithëse varet shumë nga ritmi i ndeshjes". Në të vërtetë, Rikardo Kaka ishte nga futbollistët më të kritikuar pas fitores 2-1 me Korenë e Veriut pak ditë më parë. Ndërkohë, Karlos Dunga nuk i la pas as këtë herë polemikat me shtypin brazilian, që ka shkruar se mesfushori Xhilberto Silva ka një dëmtim. "Ne ju lejuam në stërvitje dhe ju e kthyer atë në një cirk, - iu drejtua Dunga gazetarëve. - Kushdo që e ka shkruar këtë duhet t'u kërkojë falje lexuesve për fantazinë e tij. Ju e patë Xhilberton të stërvitet, kështu që duhet t'u kërkoni falje brazilianëve".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›