E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil, kthehen Kaka e Adriano

Nga Altin Latifi
Fitorja është rezultati i vetëm i pranueshëm për Brazilin, në sfidën ndaj Venezuelës ditën e dielë. Brazilianët janë ekipi i vetëm që kanë luajtur në cdo kampionat botëror, por ky edicion ka nisur me disa rezultate zhgënjyese. Pankina e trajnerit Karlos Dunga vazhdon të jetë në rrezik. 

BRAZIL- Rikthimi i Kakasë dhe Adrianos mendohet se do të sjellë më shumë potencial në kombëtaren braziliane, në prag të dy ndeshjeve me Kupës së Botës ndaj Venezuelës dhe Kolumbisë. Brazili është i vetmi vend që ka marrë pjesë në çdo Botëror, por ecuria e dobët në këto eleminatore ka vënë në rrezik gjithçka. Brazili ka vetëm 13 pikë pas 8 ndeshjesh, një rezultat aspak premtues. Për Kaka, bëhet fjalë për një rikthim pas 11 muajsh në kombëtare dhe trajneri Karlos Dunga kërkon që ai të jetë vetja e tij në fushë. Ndërsa Adriano ka rifituar një vend në skuadrën përfaqësuese pas formës së mirë të treguar me Interin, por edhe për dëmtimin e pësuar nga sulmuesi i Seviljes Luis Fabiano. “Kam sërish një mundësi dhe shpresoj ta nis si titullar, por kur të jem në fushë do të jap më të mirën. Asgjë nuk ndodh rastësisht, jam duke luajtur mirë me Interin dhe rifitova sërish një vend në kombëtare”, u shpreh Adriano. Për mesfushorin Lukas, Venezuela nuk do të jetë një kundërshtar i lehtë. “Ata kanë treguar një potencial të madh deri tani, sidomos në miqësoret e fundit. Duhet të jemi të qetë dhe të kujdesshëm, pasi kur Venezuela ndeshet me Brazilin, lojtarët e saj motivihen shumë”, u shpreh Lukas. Pas barazimit zhgënjyes me Bolivinë, pankina e trajnerit Karlos Dunga është sërish në rrezik.(a.t/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›