E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili behet gati per ndeshjen e dyte ne Kupen e Amerikes

Brazili, kampioni në fuqi i Amerikës Latine, përgatitet për ndeshjen e dytë në Kupën e Amerikës ndaj Paraguajit në Kordoba. ”Selesao” e nisi grupin B me një barazim zhgënjyer, 0-0 ndaj Venezuelës. Sulmuesi Aleksandre Pato tha se skuadra e tij nuk do të përsëriste të njëjtin gabim.

“Askush nuk e priste këtë rezultat. Ne të gjithë shpresonim për një fitore, por fatkeqësisht nuk arritëm të shënojmë dhe si rrjedhojë nuk morëm tri pikët. Nuk ishte një rezultat i mirë, pavarësisht se edhe ndeshja tjetër e grupit u mbyll në barazim. Tani duhet të përqëndrohemi maksimalisht dhe të mos gabojmë ndaj Paraguajit. Nëse i bëjmë gjërat ashtu si duhet, padyshim që do të fitojmë.”

Të tri gjigandët kontinental, të vetmet skuadra amerikano-latine që kanë fituar botërorit, kanë pasur një start të hidhur në Kupën e Amerikës. Kjo sepse krahas Brazilit, as Argjentina me Uruguajin nuk i fituan ndeshjet e para.

“Nuk ka skuadra të dobta. Të gjithë rivalët janë në nivel të lartë dhe kjo është arsyeja për të cilën mendoj se ndeshja ndaj Paraguajit do të jetë po aq e vështirë sa ajo ndaj Venezuelës.”

Në ndeshjen ndaj Venezuelës një vendim i gabuar i gjyqtarit bolivian Raul Orosko i mohoi Brazilit një 11-metërsh në fundin e pjesës së parë. Por pesë herë kampionët e botës nuk ankohen dhe ia lënë gjithçka fushës së lojës.

“Mendoj se cilësia e terrenit nuk ishte ajo e duhura dhe kjo na penalizoi disi sepse jemi një skuadër teknike, por nuk mendoj se ndikoi në rezultatin e ndeshjes. Nuk i kishim aq të lehtë kombinacionet, por fakti që patën raste dhe nuk i shfrytëzuam tregon se kemi përgjegjësitë tona.”

Krahas Venezuelës dhe Paraguajit, Brazili do të ndeshet edhe me Ekuadorin, me synimin për ta mbyllur në vendin e parë Grupin B.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›