E Diel, 1 Nëntor 2026

Brazili mbron ish-presidentin e Hondurasit, Zelaya

Ministri i Jashtëm brazilian Celso Amorim, konfirmoi se ish-presidenti i Hondurasit, Manuel Zelaya ndodhet sëbashku me bashkëshorten e tij në ambientet e ambasadës braziliane në shtetin honduren.
Manuel Zelaya u rrëzua nga pushteti në qershor të këtij viti pas një grushti shteti. "Unë fola personalisht me zotin Zelaya dhe e ftova atë që të vinte në Brazil. Por ai u shpreh se kishte ardhur në Honduras me dëshirën e mirë për të bërë dialog me autoritetet vendase", tha ministri Amorim.
Ministri i Jashtëm brazilian pohoi se Brazili e ftonte ish-presidentit si çdo refugjat politik, por ai shtoi se Zelaya nuk e kishte kërkuar një status të tillë.
Por Amorim saktësoi se autoritetet braziliane nuk e kishin ndihmuar ish-presidentin Zelaya që të vinte në Honduras. Si edhe pohoi se ambasada braziliane nuk kishte qënë më përpara në dijeni përsa i përket ardhjes së Zelaya në ambientet e saj.
Gjithashtu Amorim paralajmëroi autoritetet hondurene që të mos cënonin sigurinë e ish-presidentit Zelaya përsa kohë ai ishte i strehuar në ambasadën braziliane.
Në fund të deklaratës ministri i Jashtëm brazilian pohoi se shteti i tij do ta mbështeste Zelayan që të rivihej si president me mjete paqësore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›