E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregdeti i Vlorës në harresë për 20 vjet, pushuesit rrezikohen nga ujërat e zeza

E shtuna e parë e muajit maj është përcaktuar si dita e çeljes së sezonit veror nga ana e bashkisë së qytetit të Vlorës çka do të thotë se do të duhen edhe më pak se 15 ditë për këtë verë për çeljen e këtij sezoni. Në këtë kontekst masat e marra nga bashkia për këtë sezon lënë shumë për të dëshiruar. Këtu nuk bëhet fjalë për të punuar rërën e plazhit sepse ajo për dy apo tre ditë mund

të vihet në gatishmëri por problemi edhe për këtë sezon turistik mbetet pastrimi rrënjësor i plazheve dhe shmangja e derdhjeve të ujërave të zeza në det. Edhe pse sinjalizimet kanë qenë të shumta asnjë masë nuk është ndërmarrë deri më tani për bregdetin e qytetit të Vlorës në të cilin derdhen edhe ujërat e zeza të qytetit. Kjo do të thotë se edhe këtë vit, ashtu siç ka ndodhur edhe prej 20 vjetësh rresht, ujërat e zeza të qytetit do të derdhen direkt e në det, aty ku edhe do të lahen pushuesit. Më dramatike situata është në plazhin e vjetër dhe të ri, ku papastërtia e detit tashmë është konfirmuar edhe nga ana e drejtorisë së shëndetit publik pas matjes së ndotjes së ujit. Këtë papastërti e konfirmon edhe zyra e ruajtjes së mjedisit në qark. Në plazhin e ri, nga ish Aulona e deri tek shkolla e marinës, që është plazhi më i rrahur prej qytetarëve derdhen direkt në det plotë 6 kanale të ujërave të zeza. Madje edhe në mes të plazhit janë tre kanale që ujërat e tyre i derdhin direkt në det. Edhe pse gjatë viteve të tjera kanë qenë vetë pushuesit të cilët janë ankuar për këtë papastërti dhe që nga ajo e kanë pësuar me sëmundje të ndryshme lëkure sërish asnjë masë nuk është marrë për nxjerrjen apo mos lejimin e derdhjes së ujërave të zeza në det. Madje më e rëndë është ajo në plazhin e vjetër ku algat tashmë janë bërë të pushtetshme deri në disa dhjetëra metra në thellësi të detit. Edhe këtu nuk kanë munguar pushuesit çdo vit, ndonëse papastërtia lë shumë për të dëshiruar. Edhe pse kjo situatë është evidente nga ana e drejtorisë së turizmit janë marrë masa për një ditë inaugurimi plot këngë e valle, megjithëse vlonjatët nga ana e tyre nuk duan një ditë hareje dhe verë të stërmundimshme por kërkojnë një det të pastër. Megjithëse duhet thënë se edhe vetë ata janë pjesë e kësaj situate sepse si pasojë e kontributit të tyre nuk funksionon kanali kryesor kullues që ka mbi 15 vjet që është bllokuar dhe askush nuk është kujtuar ta zhbllokojë.


V. SAKO

Last Updated on E Shtune, 24 Prill 2010 20:22

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›