E Diel, 1 Nëntor 2026

Ksera debaton me median në Gjirokastër, kontestime mbi statistikat e varfërisë

Ministria e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ka ndërmarrë një tur trajnimesh me gazetarët në mbarë vendin me qëllim krijimin e një debati publik për çështjet sociale. Sot në Gjirokastër, ministri i linjës Spiro Ksera, ka qenë prezent me gazetarët rajonalë të cilët i ka ftuar ata të bëhen pjesë e promovimit të fenomeneve sociale në mbarë rajonin duke i trajtuar ato në mediat ku punojnë.

Ksera ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë mes ministrisë që ai drejton dhe gazetarëve duke u premtuar në të njëjtën kohë se zëri i tyre në trajtimin e fenomeneve të ndryshme me karakter social, do të dëgjohet medoemos nga instrumentet shtetërorë. Sipas lektores së seminarit të mbajtur dje në Gjirokastër e cila është njëkohësisht zëdhënësja e Ministrisë së Punës, Alma Lahe, fuqizimi i kapacitetit të medias për trajtimin dhe nxitjen e debatit publik për probleme sociale është themelore. Ndërkaq mjaft gazetarë të pranishëm si Ben Andoni apo Odise Kote, kanë dyshuar në të dhënat e publikuara nga ky dikaster për sa i përket numrit të varfërisë në vend apo dhe të punësimit. Sipas Kserës, varfëria në vend nuk i kalon 12% të popullatës ndërkohë që gazetarët kanë emetuar të dhëna kontradiktore me ato të Kserës ku sipas sondimeve të kryera në terren nga organizma të ndryshme ndërkombëtare, varfëria në vend është në nivele tejet të larta. Ndërkaq në nivele po të tilla qëndron edhe papunësia ndonëse instrumentet shtetërore të monitorimit, tregojnë të kundërtën e të dhënave të ofruara nga programe ndërkombëtare. Gazetarët nga ana e vet, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punës, marrjen e masave të rrepta dhe ndëshkuese për pronarët e mediave të cilët nuk kanë të siguruar gazetarët që realisht punojnë në të zezë.


T. Hoxha

Last Updated on E Shtune, 24 Prill 2010 20:23

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›