E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët pushtojnë gjykatën e Mitrovicës, heqin flamurin

• Rreth 150 protestues serbë kanë arritur dje në mëngjes të depërtojnë dhunshëm në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në Mitrovicë.Njoftohet se protestuesit hoqën flamurin e OKB-së brenda në godinë dhe e zëvendësuan atë me flamurin serb. Protesta përkon me vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hup Skefer, i cili pritet të takohet sot me kryeministrin dhe presidentin e Kosovës. Protestuesit kanë shfrytëzuar gjashtë autoambulanca për të demoluar dyert në oborrin e kësaj ndërtese.Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, tha për radion "Evropa e Lirë", se protestuesit janë përplasur fillimisht me njësitet speciale të policisë, por në vijën e parë të turmës, sipas zotit Hoti, protestuesit kanë vënë kryesisht gratë. "Njësitet e specializuara të policisë së UNMIK-ut kanë bërë përpjekjet e tyre maksimale për t'i ndaluar protestuesit e rebeluar, të cilët në linjë të parë kishin inkuadruar kryesisht gra dhe nga prapavija vazhdimisht po sulmonin forcat policore me mjete të forta të metalit dhe gurë", bëri të ditur Hoti. Ish-punonjësit serbë të gjykatave, fillimisht e kanë larguar flamurin e Kombeve të Bashkuara nga ndërtesa, për të vendosur atë serb. Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara, Ruecker, e ka dënuar fuqishëm sulmin e djeshëm mbi Gjykatën e Qarkut të UNMIK-ut në Mitrovicë. "Një bandë e madhe ka shfrytëzuar forcën kundër policisë së UNMIK-ut për të hyrë në ndërtesë. Ata, të cilët i janë kthyer dhunës në Mitrovicën e veriut, e kanë kaluar vijën e kuqe të UNMIK-ut", ka thënë Ruecker, duke e cilësuar këtë akt si tërësisht të papranueshëm. Shefi i UNMIK-ut ka udhëzuar policinë e UNMIK-ut që të rivendosë rendin dhe ligjin në veri dhe të sigurojë kontrollin e serishëm të Kombeve të Bashkuara mbi gjykatën. Në komunikatë gjithashtu thuhet se, "UNMIK-u do të mbrojë mandatin e tij në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë përjashtim".Po dje në Kosovë ka mbërritur edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hup Shefer. Ai pati takime me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Presidentin Fatmir Sejdiu. Një ditë më parë Shefer porositi Beogradin se e ardhmja e Serbisë është në integrimet euroatlantike. "Nuk kam asnjë dyshim se e ardhmja afatgjatë e Serbisë shtrihet në integrimin euroatlantik. Ne duhet t'ia bëjmë të qartë Beogradit dhe popullit të Serbisë se nuk kanë të ardhme të qëndrueshme në përqafimin e nacionalizmit".KE rrëzon kërkesën e serbëve BE: Tani të njohë pavarësinëKëshilli i Evropës ka rrëzuar kërkesën e deputetëve serbë dhe rus për hapjen e një debati në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Në të kundërt, shumica e deputetëve të KE-së kanë bërë thirrje që të gjitha shtetet e BE-së të njohin sa më shpejt pavarësinë e Kosovës. Mbledhja e Komisionit Politik të Këshillit të Evropës, punimet e së cilës po zhvillohen në Paris të Francës, ka votuar kundër propozimit të iniciuar nga deputetët serbë dhe rusë për përfshirjen me procedurë të përshpejtuar të një debati urgjent për Kosovën në axhendën e muajit prill të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Deputeti Aleksandër Biberaj, në cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kundërshtoi propozimin serbo-rus, i cili është kundërshtuar edhe nga kryetarët e delegacioneve të vendeve evropiane, që kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës. "Kosova e pavarur i shërben më së miri paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe duke implementuar çdo ditë elemente të paketës Ahtisari, Kosova është në rrugën e saj natyrale të konsolidimit të një shteti të lirë, të pavarur dhe sovran, demokratik dhe multietnik", theksoi Biberaj. Sipas tij, "Serbia vazhdon ta përdorë çështjen e Kosovës si argument në luftën e brendshme politike, por në realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj, Serbia nuk duhet ta përdorë më Kosovën si argument në zhvillimet e brendshme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›