E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti, hetim dhunës mbi gazetarin

• Denoncimi i gazetarit Besar Likmeta për dhunë fizike të ushtruar nga deputeti Tom Doshi vë në lëvizje Prokurorinë.Trazhgim SokolajOrgani i akuzës ka filluar hetimet për kallëzimin e gazetarit, duke mos iu referuar fillimisht ndonjë personi të veçantë. Burime zyrtare të Prokurorisë konfirmuan dje për gazetën "Panorama", se është regjistruar kallëzimi penal i gazetarit dhe po hetohet figura e veprës penale të pretenduar prej tij. Ai akuzoi deputetin e Partisë Demokristiane, Tom Doshi, për dhunë fizike të ushtruar për shkak të detyrës. "Pas kallëzimit të bërë nga gazetari, Prokuroria po heton denoncimin, nëse vepra penale e kallëzuar ka ndodhur apo jo. Nëse kjo vërtetohet më pas do të kalohet në hetime ndaj personave të veçantë", kanë sqaruar dje burimet zyrtare nga institucioni i akuzës. Burime të tjera nga ky institucion u shprehën se pjesë e verifikimeve është edhe pyetja e dëshmitarëve që kanë qenë të pranishëm në barin e "Sheraton", mbrëmjen e 10 marsit 2008, rreth orës 22:30. "Prokuroria po mbledh të gjitha provat për të verifikuar paraprakisht ngjarjen që ka ndodhur", thanë më tej burimet zyrtare. Sipas tyre, në kuadër të këtyre verifikimeve grupi hetimor ka kërkuar sqarime nga vetë gazetari Besar Likmeta për dhunën që ai pretendon se ka ushtruar ndaj tij deputeti demokristian Tom Doshi. Mes këtyre dëshmitarëve ndodhen edhe deputeti i PS-së, Arben Isaraj, i cili ndodhej bashkë me Tom Doshin kur ndodhi incidenti si dhe personeli i barit ku ka ndodhur ngjarja. Hetuesit dje kanë administruar në dosje deklaratën e këtij të fundit, ku deputeti pranon se ka qëlluar me çantën ku mban dokumentet, personin që i ishte prezantuar si gazetar i një agjencie lajmesh në internet. Në dosje kanë përfunduar edhe disa fotografi që dëshmojnë dëmtimet fizike që ka pësuar në fytyrë gazetari Likmeta. IncidentiNgjarja e mbrëmjes së 10 marsit, kur gazetari pretendon se është dhunuar nga deputeti Tom Doshi, ka ndodhur pak ditë pas publikimit të një artikulli në faqen zyrtare të agjencisë ballkanike BIRN. Në këtë shkrim thuhej se një deputet i Parlamentit të Shqipërisë ishte me diplomë false. Artikulli i referohej një dokumentacioni të bërë publik, në fakt, që në vitin 2006. Sipas këtij dokumentacioni, Tom Doshi kishte paraqitur në Parlament një diplomë nga Universiteti i Tetovës. Artikulli pa përmendur emrin e deputetit, citonte se Universiteti i Tetovës kishte konfirmuar se deputeti nuk ishte diplomuar aty. Pas publikimit të shkrimit të parë, si shtesë e tij është bërë publik një artikull i dytë, ku thuhej se deputeti Tom Doshi kishte hequr nga faqja e Parlamentit shqiptar CV-në e tij, ku ndodhej edhe diploma e Universitetit të Tetovës. Sipas artikullit, deputeti e kishte hequr CV-në e tij nga faqja e Parlamentit pikërisht pas publikimit të artikullit të parë, i cili nuk kishte përmendur ndonjë emër. Në artikullin e dytë lidhur me diplomat false është përmendur emri i deputetit Tom Doshi. Lidhur me këtë fakt, gazetari Likmeta kishte kërkuar të kontaktonte me deputetin dhe vendi i takimit është lënë në "Sheraton" në orën 22:30 të mbrëmjes së 10 marsit. Deputeti Tom Doshi pretendon se gazetari i ka kërkuar 10 mijë euro nëse nuk dëshironte vazhdimin e botimeve kundër tij. Gazetari pretendon se ka qenë duke kryer detyrën, për të kërkuar sqarime nga deputeti. Pas akuzave të Tom Doshit, se Besar Likmeta kishte kërkuar para, gazeta tentoi dje disa herë të kontaktojë me gazetarin, por telefoni i tij rezulton i mbyllur gjatë gjithë kohës, kurse kontakti në rrugë të tjera është i pamundur.Socialistët: Akti i dhunës dëmton politikën dhe KuvendinPartia Socialiste gjatë një deklarate për shtyp ka dënuar ashpër këtë veprim të ushtruar nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë. PS-ja përmes deklaratës së saj kërkon të respektohen parimet e lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë. "Akti i dënueshëm ndodhur ditë më parë, nuk i bën nder politikës në përgjithësi dhe institucionit të Kuvendit në veçanti. Liria e fjalës dhe shprehjes së mendimit të lirë duhet të qëndrojnë në themel të demokracisë shqiptare dhe duhet respektuar nga të gjithë", deklaron Partia Socialiste. Deklarata e selisë rozë vjen menjëherë pas reagimit të ambasadorit amerikan në Tiranë, John L. Withers, i cili e dënoi këtë akt, duke e quajtur sulmin e deputetit Doshi si burracak, dhe ka shtuar se ngjarja është akoma më e rëndë po të kihet parasysh fakti se në këtë ngjarje kanë qenë të pranishëm dy anëtarë të Parlamentit. "Kam ndjekur nga afër raportimet rreth sulmit burracak kundër gazetarit Besart Likmeta nga Tom Doshi në prani të Arben Isarajt. Raporti i të drejtave të njeriut i qeverisë amerikane i publikuar vetëm dy ditë më parë, e bën plotësisht të qartë që dhuna dhe kërcënimet për dhunë kundër shtypit janë të patolerueshme në demokraci", deklaroi ambasadori Withers.PDK: Të zbardhet incidenti me gazetarinPartia Demokristiane, pjesë e grupit parlamentar të së cilës është edhe deputeti Tom Doshi ka kërkuar dje zbardhjen e të gjithë ngjarjes së pak ditëve më parë, ku deputeti demokristian ka rrahur gazetarin Besart Likmeta. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja politike e PDK-së, Erestina Halili, është shprehur se kjo forcë politike është kundër dhunimit të medias. "PDK, deklarohet kundër çdo lloj forme presioni dhune apo shantazhi që mund t'u bëhen gazetarëve për shkak të detyrës që ata kryejnë. Ky, mbetet një parim nga i cili nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë lëkundje. Vetë komunikimi i hapur që PDK dhe drejtuesit e kësaj partie kanë me median është një provë e qartë e respektimit të plotë dhe pa mëdyshje të pushtetit të katërt në vendin tonë. Sa i përket incidentit, Doshi-Likmeta, PDK deklaron se kjo ngjarje duhet të zbardhet me qëllim sqarimin e pozicioneve", theksoi Halili në konferencën e djeshme për shtyp. Duke iu referuar deklarimeve si të deputetit Doshi ashtu edhe të gazetarit Likmeta, Halili theksoi se deputeti demokristian duhet të ishte vetëpërmbajtur pavarësisht nga pretendimi i tij se është provokuar. "Deputeti Doshi në deklaratën e tij, pretendon se zoti Likmeta nuk ka paraqitur asnjë dokument, në të cilin të provohet se ai është gazetar. Në këtë kuadër, sipas tij, zoti Likmeta ka qenë në takimin me deputetin Doshi thjesht si qytetar. Pavarësisht kësaj, PDK shprehet se deputeti Doshi duhet të kishte treguar vetëpërmbajtje edhe pse pretendon se është provokuar nga qytetari Likmeta. Ne vlerësojmë faktin, që deputeti Doshi nëpërmjet një deklarate të botuar në media i ka kërkuar falje publike, qytetarit Likmeta", theksoi më tej Halili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›