E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Jam kundër kundërfirmimeve të dekreteve të presidentit

Ministrja e Integrimit: Presidenti në Shqipëri nuk zgjidhet as se si zgjidhet në Amerikë, pra një grup senatorësh të cilët votojnë pastaj për kreun e shtetit

Ka shkaktuar debat sistemi i ri elektoral dhe ndryshimet kushtetuese të propozuara, të cilat duket se synojnë që të forcojnë pozitat e kryeministrit në kurriz të Presidentit të Republikës. Sipas jush, cilat janë avantazhet dhe problemet që mund të shkaktojnë ato?

Në fakt, unë nuk besoj që ky diskutim bëhet për të forcuar pozitat e kreut të ekzekutivit dhe për të dobësuar pozitat e kreut të shtetit. Shqipëria ka zgjedhur dhe është një sistem parlamentar, që do të thotë se kreu i ekzekutivit dhe kreu i shtetit zgjidhen nga parlamenti. Sigurisht që nuk ka absolutisht asnjë kontradiktë, për aq kohë sa puna e përditshme e qeverisë drejtohet nga kreu i ekzekutivit dhe kreu i shtetit ka një sërë detyrimesh të tjera, të cilat i bëjnë të mundur respektimin e atij parimi të vendosur në majë të piramidës së vlerësimit të një shtetit, të check and balance, pra të ruajtjes dhe të ndarjes së pushteteve. Besoj që ky proces i reformës zgjedhore nuk është një diskutim i nisur tani. Në qoftë se ka një gjë të re në këtë diskutim, është ajo se ky është debati më i gjerë, i cili ka përfshirë më së shumti, jo vetëm në hapësirë kohore, por edhe forca politike, parti, analistë, të gjithë për të dhënë mendime për reformën zgjedhore. Dua t’ju sjell në vëmendje që propozimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe për një sistem proporcional kanë ardhur nga kjo forcë politike e cila sot është në pushtet, por që ka nisur që përpara katër vitesh. Pra, nuk është një proces i cili nisi dje apo sot. Gjithsesi, besoj se ky është një debat i hapur, një debat i gjerë. Them që vëmendja tani është edhe më e madhe edhe për një arsye tjetër, sepse nuk ka kohë për ta tërhequr më zvarrë këtë proces dhe sigurisht që parlamenti shqiptar, por njëkohësisht edhe politika shqiptare, për të gjitha ato fenomene të cilat ne i diskutojmë si në parlament, si jashtë tij - pra, si në të qenit pjesë e politikës, si të qenit në pjesën më private të jetës sonë - ka nevojë për një impuls dhe për një strukturim të ri. Unë besoj se ajo që është më e rëndësishme është vullneti i shprehur për shmangien e këtij fenomeni, “Dushkut”, të cilin unë do ta quaja një lloj push up-i. Pra ka qenë diçka artificiale, e cila është munduar për të mbajtur në këmbë një sistem, i cili ka prodhuar shpeshherë shumë defekte; ka prodhuar paqëndrueshmëri politike, jo vetëm në Shqipëri; ka sisteme parlamentare të cilat janë përfshirë në këtë vorbull paqëndrueshmërie; krijon aleanca fluide dhe aleanca të brishta brenda në parlament; krijon edhe një lloj tensioni, sigurisht nganjëherë edhe shfaqje kërcënimi për qeverisjen. Sigurisht që është një sistem që ka nevojë për një reformë të gjerë.

Janë vënë re këto gjatë këtyre tre viteve të qeverisjes znj. Bregu?

Ka patur fenomene sigurisht. Ju të gjithë jeni dëshmitarë të mënyrës së grupimit, të formacioneve, të mënyrës se si funksionon parlamenti. Për sa i përket pjesës tjetër të kompetencave të presidentit, ju e dini që është tërhequr tashmë edhe nga paketa e propozimeve të Partisë Demokratike ai propozim apo ai amendament i njohur tashmë si neni 93, i cili parashikonte këtë kundërfirmosje të dekreteve. Unë edhe personalisht nuk e kam kuptuar në fillim se përse duhet të ishte një propozim nga ana e mazhorancës, për aq kohë sa dekretet përcillen, firmosen nga ministrat, nga kryeministri, pastaj te presidenti. Ky ishte edhe mendimi i kryeministrit, i cili nuk kishte përkrahje, le të themi për këtë amendament, ndaj edhe është tërhequr nga paketa kushtetuese.

Kush e formuloi paketën kushtetuese?

Ju e dini tashmë. Propozimet janë në pralament. Nuk ka rëndësi se kush e formuloi, rëndësi ka që ky është një debat i cili është në proces. Ajo që ka rëndësi është që, në momentin kur hidhen të gjitha alternativat në tryezë për t’u diskutuar, ka alternativa që qëndrojnë, ka argumenta të cilat hedhin poshtë një nga këto propozime. Nuk ka asnjë arsye për të etiketuar individë apo...

Jo, për të treguar më shumë procedurën se si u hodhën.

Ishin propozime të mazhorancës. Ndërsa, për ato të pjesës së zgjedhjes së presidentit, e cila mbetet ende në diskutim, ju e keni të gjithë parasysh krizën e vitit të fundit. Nëse pati një gjë të mirë në kuptimin mediatik, është që kriza presidenciale prodhoi lajme dhe media kishte lajme për pesë javë rresht; do të ketë zgjedhje, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme; cili është kandidati i ri, kush hyn, kush del, raundet.

Përvec Greqisë, e cila, me sa di unë, e zgjedh presidentin me 3/5 e votave, demokracitë dhe parlamentet e vendeve të tjera, për aq kohë sa pushteti i takon parlamentit në zgjedhjen e figurave kryesore, e zgjedhin me një shumicë, pra me 50 % të parlamentit plus një, që në rastin tonë është 70 plus një. Sigurisht që kjo lloj pasigurie që krijohet në qarqet e politikës, fenomene të ndryshme që shfaqen apo ngrejnë kokë në momente të veçanta sikurse ishte vjet edhe zgjedhja e presidentit, por edhe ky lak që iu vihet qytetarëve, nëse reformat e ndërmarra zhvillohen nuk zhvillohen, ky përcaktim/mospërcaktim i datës së zgjedhjeve të parakohshme në varësi të rrethanave të ndryshme, besoj që duhet të marrin fund.

Znj. Bregu, a jeni dakort ju me deklaratën e kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila thotë se, në një republikë si e jona, figura e presidentit duhet të jetë më tepër honorifike dhe protokollare?

Në fakt, presidenti, figura e kryetarit të shtetit është një figurë që ka dy funksione kryesore. Pra, garanton respektimin e kushtetutës dhe nuk është partizan, pra është mbi palët. Për aq kohë sa presidenti nuk është mbi palët, garanton një funksionim dhe respektim të dokumentit kryesor të shtetit dhe ruan atë parim që përmendëm pak më parë të chek and balance, nuk besoj se ka arsye për ta konsideruar rolin e tij honorifik. Sigurisht, Shqipëria nuk është një Republikë Presidenciale. Pra, presidenti nuk është i zgjedhur nga elektorati. Unë nuk kam asgjë kundër që presidenti të zgjidhet nga populli, por Shqipëria është Republikë Parlamentare, këtë formë ka zgjedhur. Presidenti në Shqipëri nuk zgjidhet as se si zgjidhet në Amerikë, pra një grup senatorësh të cilët votojnë pastaj për kreun e shtetit. Por, në mënyrën se si është i draftuar pozicioni i presidentit, në ruajtjen dhe respektimin e linjës kushtetuese dhe në mosmbajtjen e anësive, pra të asnjërit krah politik, besoj se më shumë se kujtdo i jep atij një lloj pushteti absolut, në kuptimin që duhet respektuar mbi pushtetet e tjera.

Ndërkohë, një deklaratë, të themi, e fuqishme politikisht ka qenë ajo e presidentit Topi, e dhënë për “Top Channel”, me të cilën ne kemi hapur edhe edicionin informativ. Znj. Bregu, ai është deklaruar kundër ndryshimeve kushtetuese. Unë po citoj fjalë për fjalë çfarë ka thënë ai: “Të prekësh në mënyrë të shpeshtë Kushtetutën, do të thotë të mos jesh serioz me dokumentin themeltar. Vendi gjendet në një moment politike amatoreske, e cila frymëzohet nga përpjekje të çastit dhe kjo e bën klimën të rënduar, sidomos kur ka tendenca për të dominuar mbi pushtetet.” Cili është komenti juaj?

Besoj që kjo vërteton atë që thashë pak më parë, që as deklaratat dhe as pozicioni i presidentit nuk është honorifik. Kjo Kushtetutë nuk është e përsosur sikurse çdo lloj dokument tjetër i prodhuar nga njerëz. Një dokument i prodhuar nga njerëz, sigurisht që mund të ketë gabime, përfshi edhe rrethanat, kohën në të cilën është krijuar. Por, absolutisht jam dakort me presidentin, në momentin kur thotë se çdo lloj ndërhyrje duhet bërë me maturi dhe pjekuri dhe jo në mënyrë të paargumentuar.

Më duket edhe pak akuzuese kjo deklaratë dhe jo thjesht për të treguar parimisht se çfarë duhet bërë.

Zoti Topi është në përmbushje të funksionit të tij si president për të gjykuar, për të vendosur dhe sigurisht për të respektuar dokumentin themelor të shtetit.

Marrë me shkurtime nga “Ora News”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›