Gjatë kësaj kohe në Kosovë
Kosova, shtet në ngjizje…
Nga “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes së Kosovës” sot kemi shtetin kosovar, pra kemi një sistem të pavarur politik, administrativ, legjislativ dhe qeverisës, i cili paramendohet të mbahet në funksion të popullsisë së hapësirës gjeografike sovrane kosovare. Po të marrim në analizë strukturën shtetërore kosovare, kjo strukturë ka një pavarësi politike, po fiton nga dita në ditë transferimin e sistemit administrativ të UNMIKU-t. Kuvendi i Kosovës sapo votoi Kushtetutën e re të vendit, e cila hyn në fuqi më 15 qershor 2008, duke institucionalizuar në këtë mënyrë pushtetin. Kosova është e përkufizuar si republikë demokratike, e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit dhe baraspeshës ndërmjet tyre. Në këtë ndarje pushtetesh, Kuvendi i Kosovës parashihet si organi më i lartë legjislativ, Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit dhe është gjithashtu garantues i funksionimit demokratik të institucioneve, ndërsa qeveria është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve dhe të politikave shtetërore dhe që i përgjigjet kontrollit parlamentar.
Turbullirë legjislative
Në qiellin politik kosovar tashmë konstelacioni qeverisës është i qartë, po nuk duhet harruar se ende Kosova administrohet në fushën civile dhe atë ushtarake mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe të kornizës kushtetuese të votuar gjatë administrimit të Kosovës nga Hans Haekerup. Nëse për kosovarët ndarja e pushtetit më Kushtetutë është e qartë, në vënien në jetë të këtyre koncepteve jemi ende larg. Kjo për faktin se Kosova vazhdon ende në një bashkëqeverisje me UNMIK, KFOR dhe së shpejti me misionin evropian EULEX.
Sot, shteti kosovar ka në dispozicionin e tij tri baza ligjore (rezoluta 1244, korniza kushtetuese dhe Kushtetuta e re që hyn në fuqi në mes të qershorit), gjë që nuk do t’ia lehtësojë punën qeveritarëve kosovarë në fushën e kompetencave dhe të orientimit juridik, pa lënë mënjanë pakon e Ahtissarit, e cila parashihet si një Bibël për themelet e shtetit kosovar dhe që gjithkush duhet t’i përmbahet. Shtetbërja e Kosovës tashmë ka nisur, po me gjithë dëshirën e mirë për të ndërtuar një shtet me prosperitet, kosovarët përballen përditë me realitetin e ndërthurjes së mandateve të UNMIK, EULEX, qeverisë kosovare dhe shtetit serb (në zonat e minoritetit serb).
Shteti multietnik kosovar në tranzicion....
S
ipas Adam Fergusonit, shteti i kuptuar si një rregullim politik i një bashkësie, krijohet me shthurjen e bashkësisë së parë primitive që bazohej në lidhje gjinore dhe me formimin e bashkësive me të mëdha (në rastin tonë multietnik), që u krijuan me bashkimin e më shumë grupeve gjinore, me qëllim të mbijeteses së brendshme dhe mbrojtjes nga rreziqet e jashtme. Kushtetuta e re e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e definuar si shoqëri multietnike, e përbërë nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera, ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij. Ndërkohë, minoriteti serb, i instrumentalizuar nga Beogradi, duket se po e vë në sprovë “shoqërinë multietnike”. Qeveria serbe kërkon të zhvillojë zgjedhje në Kosovë më 11 majin e ardhshëm, veprim ky i hapur antikosovar dhe që kundërshton në thelb jo vetëm Kushtetutën e re të sapovotuar, por dhe paketën e Ahtisaarit dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Vetëm UNMIK mund të mbajë zgjedhje në Kosovë dhe zgjedhjet e tjera nuk do të kenë asnjë vlefshmëri këtu, gjithnjë përderisa nuk janë kërkuar nga UNMIK”, - është shprehur Joachim Ruecker, shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë. Veriu i Kosovës dhe zonat e minoritetit serb paraqesin një sfidë të madhe për qeverinë e Kosovës, për bashkësinë ndërkombëtare me mandat administrimi dhe KFOR për sa i përket sigurisë. Serbët e Kosovës duhet të shkëpusin kordonin mjekësor nga Serbia dhe të integrohen në shtetin e tyre kosovar. Nëse një hap i tillë nuk ndërmerret, atëherë është e kotë të flasim për shtet multietnik e për bashkëjetesë në Kosovë. Për sa kohë që Beogradi do t’i përdorë serbët e Kosovës si “Kalë Troje”, do të jetë e vështirë që të tejkalohet tranzicioni shtetbërës! Ndërkohë që ne vrasim mendjen se ç’formë po merr shteti, mbi ç’bazë do të qeveriset vendi, si të evitohet turbullira legjislative, populli që i ka dhënë votën Hashim Thaçit dhe aleatëve të tij s’mendon kaq thellë, ai shikon situatën ekonomike dhe shoqërore. Dhe zgjedhjet e ardhshme janë një thikë me dy presa për këtë qeveri që i solli pavarësinë, por me pjata bosh!
Autorja është studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze “Politique Internationale”