E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i ZMQ: 34 për qind më pak shqiptarë do votojnë vitin e ardhshëm

Zgjedhjet e ardhshme do kenë më pak votues. Kështu do jetë, nëse do i besojmë sondazhit të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, e cila paralajmëron se do ketë abstenim në masë të votuesve gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në një sondazh të realizuar nga ana e ZMQ për ecurinë e reformave, bie në sy se qytetarët ndjehen të anashkaluar në këtë drejtim. “Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve vazhdon të jetë e angazhuar për të dhënë kontributin e saj në procesin e gjatë e të vështirë të reformimit të disa prej aspekteve më të rëndësishme politike, shoqërore e të forcimit të shtetit ligjor. Mbi të gjitha, këto reforma kanë si qëllimin e tyre kryesor forcimin e shtetit ligjor nga të gjithë dhe për të gjithë. Për një kohë të gjatë jemi treguar të kujdesshëm në vëzhgimin e ecurisë së tyre. Kemi vlerësuar dhe analizuar të gjitha propozimet e kundërpropozimet, reagimet e argumentet, të cilat vazhdojnë të vijnë si kontribut nga i gjithë spektri politik. Dhe këtu kemi ndaluar. Pikërisht, sepse ato vazhdojnë të vijnë vetëm prej tyre, duke injoruar në mënyrë arbitrare interesat e publikut”, - thanë drejtuesit e kësaj zyre gjatë prezantimit të sondazhit.

Sipas tyre, rënia e ndikimit dhe besimit të partive politike në opinionin publik, shprehet qartë edhe në këtë sondazh të kryer nga ZMQ. Kjo rënie rrezikon seriozisht institucionin e votës së lirë në vendin tonë.

“ZMQ i është drejtuar drejtpërsëdrejti qytetarëve të shprehin me zërin e tyre atë që ata mendojnë në lidhje me diskutimin mbi reformat, për të kuptuar sesa larg nevojave të tyre qëndron politika shqiptare”, - thanë drejtuesit e ZMQ.

Më poshtë janë disa nga përfundimet e tyre:

1. Shqiptarët nuk e ndjejnë veten të përfshirë në procesin e diskutimit dhe vendimmarrjes mbi reformat nga ku rrjedh edhe përfundimi tjetër, se ata nuk besojnë se këto reforma do të kenë jetëgjatësi dhe se ato bëhen me qëllim konsolidimin e shtetit ligjor. 2. Rënia e besimit dhe përfaqësimit të klasës politike ul legjitimitetin e procesit të reformave dhe kjo del qartë nga rënia e dukshme e gatishmërisë për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve janë kthyer në numra, duke humbur personalitetin dhe rolin e tyre për të çuar zërin e publikut dhe nevojat e tyre në vendimmarrje.

3. Publiku shqiptar kërkon me forcë që të jetë pjesë e vendimmarrjeve kryesore, që nga zgjedhja e presidentit nga populli dhe deri te mënyra e leximit të votës. Vendosmëria e tyre për të marrë pjesë në këto procese është plebishitare.

Në përfundim, ZMQ ka shprehur falënderime ndaj mediave në emër të shqiptarëve, që ka qenë pararojë dhe burimi i vetëm i informimit të publikut në lidhje me procesin e reformave.

Shumica mbështesin sistemin mazhoritar

Shqiptarët janë për një sistem mazhoritar. Kështu deklarojnë të intervistuarit nga ZMQ. Sipas sondazhit, ka një rënie të gatishmërisë për të votuar më 34%. Gjithashtu, qytetarët kërkojnë në mënyrë plebishitare të përfshihen në zgjedhjen e presidentit, reformën në drejtësi dhe sistemin zgjedhor. Të intervistuarit janë skeptikë, se ndryshimi i sistemit do garantojë votën e lirë të shqiptarëve. Sipas sondazhit, shqiptarët i japin rëndësi përzgjedhjes së kandidatëve si ndikim në procesin zgjedhor. Ata thonë se zgjedhja e presidentit nga populli, riformatimi i KQZ dhe rregullimi i procesit të votimit (votimi elektronik) duhet të jenë pjesë e debatit për reformën

Më pak besim tek ekzekutivi

Drejtuesit e ZMQ thonë se gjatë sondazhit kanë arritur në përfundimin se shqiptarët nuk kanë besim te drejtësia dhe nuk mendojnë se sistemi i drejtësisë është i pavarur. Sipas tyre, institucioni më i besueshëm është Presidenca e ndjekur nga KLD, duke lënë shumë prapa ekzekutivin me Ministrinë e Drejtësisë.

Shqiptarët besojnë se reforma në drejtësi është e rëndësishme në forcimin e shtetit ligjor. Për ta reforma është e rëndësishme, sepse lufton korrupsionin në gjykata

Për qytetarët është e rëndësishme që reforma të përqendrohet në përmirësimin e shërbimeve në gjykata, prokurori etj., dhe te rritja e llogaridhënies ndaj publikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›