E Diel, 1 Nëntor 2026

Pango-FIFA-s: Po, do ta firmos statutin, por ju pres në maj

Jepet një dritë jeshile në drejtim të zgjidhjes së konfliktit shtet-futboll. Dje, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici, ishte në zyrën e ministrit Pango, ku dhe mori garancinë për firmosjen e statutit. Pak më vonë, vetë ministri mori kontakt me FIFA-n dhe UEFA-n dhe iu premtoi atyre nënshkrimin e statutit të plotë dhe më pas regjistrimin e tij në gjykatë. Ndërkaq, UEFA dhe FIFA e kanë pranuar një gjë të tillë dhe në muajin maj, përfaqësues juridikë të saj do të zbresin në Tiranë për të diskutuar pikërisht formulimin e nenit 53 që solli këtë konflikt. Ndërkaq, parashikohet që komiteti ekzekutiv, deri në maj dhe për firmosjen e shpejtë të statutit të ngrijë përkohësisht nenin 53 dhe në maj, pas takimit, në asamblenë e klubeve dhe para kongresit të mund të ratifikojë edhe këtë nen para asamblesë.

Kjo zgjidhje e konfliktit po vjen pas një serie të gjatë polemikash e akuzash, por edhe negocimi, ku protagonist ka qenë Presidenti i Republikës. Ish-presidenti i Tiranës mori përsipër zgjidhjen e krizës së dytë më të rëndë në futbollin shqiptar, pas asaj të vitit 2006, kur Shqipëria u pezullua nga dy organizmat më të mëdha ndërkombëtare botërore dhe europiane, FIFA e UEFA. Vendi ynë është pezulluar nga ballafaqimet ndërkombëtare sërish nga FIFA (14 mars 2008) dhe UEFA (28 mars) për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike. Pango i kërkoi Dukës më parë të sillte artikulimin e nenit në fjalë. sipas një prej versioneve të statutit në ligjet italiane, franceze dhe gjermane. Edhe Zherom Shampanj, drejtor i marrëdhënieve me publikun pranë FIFA-s ofroi një version të tij të zgjidhjes së krizës, ku sipas Pangos, ai ra dakord që FSHF-ja të shkruante nenin, dhe t’ia dërgonte propozimin për miratim MTKRS-së. Dhe kjo ka ndodhur dje, të paktën në suazën e premtimit dhe në pritje të zbatimit dhe bërjes fakt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›