E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikëpyetjet për protestën e bluzave të bardha

Plagosja e një mjeku në ambientet e QSUT shkaktoi indinjatë te kolegët e tij dhe shpuri në një protestë të paralajmëruar. Ata që mbajtën ligjëratat e tyre, kryesisht shefa pavionesh, nuk ngurruan të evidentonin problematikat, me të cilat përballet sot shërbimi ynë shëndetësor dhe të gjithë pothuaj ishin në një gjatësi vale, kur e etiketuan “Sistem të kalbur e të pareformuar”.

Ajo që të bën përshtypje, është momenti që u zgjodh për të derdhur një lumë akuzash…

Incidente të këtij lloji, madje me përmasa edhe më të mëdha, kanë ndodhur edhe në vende me demokraci të zhvilluara, me institucione të konsoliduara dhe me një sistem sigurie të lartë. Ngjarje të tipit, kur një i sëmurë mendor, apo një aventurier, maniak vrasës, ka hyrë në shkollë, apo diku gjetkë dhe ka vrarë një numër jo të vogël personash, kanë ndodhur edhe në Amerikë. Natyrisht që duhen marrë masa që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Ne jemi një vend në zhvillim me një demokraci të brishtë, ku fenomenet negative nuk mund të zhduken me një të rënë të lapsit.

Nuk marr përsipër të them se akuzat e mjekëve ishin apo jo të drejta. Ajo që të bën përshtypje, është se cilët janë akuzuesit. Disa syresh kanë qenë ministra, zëvendësministra, apo në funksione të tjera të larta në Ministrinë e Shëndetësisë në periudha të ndryshme qeverisjeje. Pyetja që më vjen ndërmend në këto çaste është: Zotërinj të nderuar! Çfarë bëtë ju në kohën tuaj për ta reformuar këtë sistem? Vallë, kalbëzimi ndodhi në një ditë, në një muaj, në një vit, apo është rrjedhojë e një periudhe 17-vjeçare të dështuar reformash në këtë sistem? Cila është përgjegjësia juaj në këtë proces dhe sa ndiheni fajtorë për këtë? Nëse është kryer një krim, ju nuk mund të lani duart si Ponc Pilati dhe të deklaroheni si viktima.

Ju folët për diletantizëm në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë, për faktin se ministri aktual nuk qenka i fushës suaj, por a mundet të thoni se ç’të re kanë sjellë në këtë sektor pararendësit mjekë, madje me tituj e specializime të kryera jashtë shtetit?!

Pra, gjetkë qëndron problemi. Te marrëdhënia që ju keni vendosur me komunitetin. Në sytë e publikut (pa dashur t’i fus të gjithë në një thes), ju jeni kthyer në disa tregtarë të pashpirt, pa më të voglin humanizëm, ku edhe fjala apo buzëqeshja njerëzore varet nga shuka e parave që u fusin nën dorë. Pará do roja te porta, pará sanitarja, pará infermierja, ndihmësmjekët dhe piramida mbyllet me Shefat e Mëdhenj që zotërojnë tituj, që kanë klinika private, që mbajnë leksione në auditore dhe që kapardisen me makina të markave të shtrenjta. Mitmarrjen apo korrupsionin kanë filluar ta quajnë dhuratë, dëshirë të pacientit se kështu iu vjen për shtat.

Nëse puna e tyre është e vështirë dhe e papaguar si duhet, po kështu është për mësuesit, për minatorët, për ushtarakët, policët që ndeshen me krimin, etj. Shteti ynë është i varfër dhe mundësitë financiare të limituara. Kërkesat janë të drejta, për aq kohë sa ato nuk dalin jashtë kufijve të arsyes. Në momentin kur doktorët kanë rënë dakord me pagën, me kushtet dhe kanë nënshkruar kontratat e punës, duhet të zbatojnë me përpikmëri detyrat dhe ligjet e shtetit. Në të kundërt, mund të krijojnë mundësi të tjera dhe t’u hapin rrugën më të rinjve, duke larguar monopolet nga ky sektor i rëndësishëm. Një vajzë e re para një muaji vrau veten, sepse prej 8 vjetësh që kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë kishte mbetur e papunë. Por kjo, me ç’duket, s’përbën lajm.

Mjekët me të drejtë protestuan, por për pacientët kush duhet të protestojë? Në këtë ballafaqim protesta e tyre do të dukej e vogël dhe mjerane. Nuk jam kundër reformave, pagesës së sigurimeve shoqërore, rritjes së pagave dhe sigurisë, por jam kundër instrumentalizimit të situatave të veçanta, përfitimeve politike të palëve të interesuara, që në thelb përbëjnë profesionalizmi dhe një antireformë me përmasa të rrezikshme.

* Mjek pranë Institutit të Shëndetit Publik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›