Bregu: Kriteri politik bllokoi statusin kandidat, opozita është përgjegjëse

Drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sannino pritet të vizitojë së shpejti Shqipërinë
Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu u shpreh sot se mungesa e kriterit politik, pengoi marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një tryezë për rishikimin e planit të veprimit të Integrimit të vitit të kaluar, ministrja Bregu theksoi se bojkoti i gjatë i opozitës dhe mosmiratimi i ligjeve me 3/5 bënë që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Mungesa e dialogut nuk mundësoi marrjen e statusit kandidat. Bojkoti i gjatë nga opozita dhe bllokimi I ligjeve me 3/5 ishin kryesore për mosplotësimin e kriterit politik. Ne presim që të mos kemi më pengesa të tilla. E rëndësishme është që ligje të tjera me 3/5 të miratohen, sikurse dhe hapa të tjerë”- tha Bregu. Ajo theksoi se është e rëndësishme që procesi i integrimit që pavarësisht se është tërhequr të jetë një proces që ta përgatisë Shqipërinë për integrimin ndërsa ka theksuar se ka mangësi ligjore në 20 fusha për të cilat duhet punuar.
“Presim që plani i rishikuar me sugjerimet tuaja të përmirësohet më tej dhe raporti të dërgohet deri në 31 janar në Komisionin Europian”- ka theksuar Bregu.
Nga ana e tij ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka theksuar se prania e tij në këtë tryezë vërteton rëndësinë që kanë këto konsultime me shoqërinë civile dhe rëndësinë që i jepet planit të veprimit në mënyrë që të ndërmerren hapa konkrete. “Ne besojmë që roli i fortë që luan shoqëria civile është një parakusht për procesin e integrimit në BE dhe kjo sepse është roli i saj është kyç për promovimin e disa vlerave që janë demokracia dhe shteti i së drejtës”- u shpreh Sequi. Për ambasadorin e BE, Shoqëria Civile mund të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin e shoqërisë në mënyrë që të ketë një sundim sa më të mirë të ligjit. “Shoqëria civile mund të luajë rol kyç në transformimi drejt një ekonomie që funksionon, një ekonomie më të mirë e cila synon begatinë në të ardhmen, i një shoqërie më demokratike ku sundimi i ligjit luan një rol kritik”- theksoi Sequi.
Gjithashtu, kreu i delegacionit të KE në Tiranë, Ettore Sequi vuri në dukje se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian Stefano Sannino. “Kolegu im Stefano Sannino po planifikon të kthehet së shpejti në Shqipëri i cili do të tregojë të njëjtat elementë që unë jam përpjekur të ndajë me ju sot”- theksoi më tej, Sequi.