E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy ditë para protestave, sekretari i NATO-s, Rasmusen, viziton sot Tiranën



Eljona Ballhysa
Tirana zyrtare do të vizitohet sot nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, i cili do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Vizita e sekretarit Rasmusen ndodh vetëm dy ditë para zhvillimit të protestës së 30 prillit, të organizuar nga opozita, si dhe manifestimit që do të organizojë qeveria më 1 Maj. Drejtuesi më i lartë i NATO-s vjen në Shqipëri në një moment kur ngërçi politik vazhdon të mos gjejë zgjidhje, kur opozita vazhdon të bojkotojë punimet e Kuvendit dhe kur qeveria ka shënuar disa përplasje më Aleancën e Atlantikut të Veriut. Këtu veçojmë miratimin nga komisionet parlamentare të projektligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili u tërhoq nga axhenda e punimeve të Kuvendit vetëm pas presionit të vetë sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen. Pritet që në takimet e sotme të vlerësohet kontributi i Shqipërisë me misione paqeruajtëse në vendet ku operon NATO-ja, si dhe roli konstruktiv që vendi ynë ka luajtur në politikën rajonale të fqinjësisë së mirë. Ndërkaq, “pas kuintave” pritet që sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të kërkojë nga qeveria dhe politika shqiptare në veçanti zgjidhjen e ngërçit politik në vend, funksionimin e plotë të institucioneve demokratike si dhe hartimin e ligjit të SHISH-it me asistencën e ekspertëve të NATO-s.
Axhenda
Në axhendën e takimeve të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, i cili e viziton për herë të parë Shqipërinë, janë parashikuar një sërë takimesh me autoritetet më të larta të vendit. Sipas njoftimeve zyrtare nga Ministria e Jashtme, takimin e parë sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike do ta ketë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, me të cilin do të japë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas, Rasmusen do të pritet në Ministrinë e Mbrojtjes nga ministri Arben Imami, për të vijuar me takimin në Kryeministri me kryeministrin Sali Berisha, me të cilin do të ketë dhe një deklaratë për mediat. Axhenda e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s do të pasohet nga takimet me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Anders Fogh Rasmusen, ish-kryeministër i Danimarkës, u zgjodh në postin e sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës në prill 2009, gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Strasburg. Ai zëvendësoi në këtë post holandezin Jaap de Hoop Scheffer.
Presioni
Megjithëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, u mësua nga burime konfidenciale se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, ishte ai që bëri të mundur tërheqjen e qeverisë “Berisha” nga miratimi i ligjit për SHISH-in. Burimet bënë të ditur se Rasmusen i ka telefonuar kryeministrit Sali Berisha duke i kërkuar atij të tërheqë projektligjin për funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Thelbi i bisedës ka qenë se kur Aleanca ka një shqetësim të kësaj natyre, Shqipëria nuk mund ta injorojë atë dhe të vazhdojë me këmbëngulje në rrugën e nisur. Menjëherë pas kësaj telefonate, ligji u tërhoq dhe maxhoranca pranoi se do ta konsultonte me partnerët e NATO-s. Ndaj, aktualisht, projektligji gjendet në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë deri në një moment tjetër, kur të marrë edhe mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë.
I pari që reagoi kundër projektligjit për SHISH-in ishte ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Withers. Gjatë një deklarate për mediat, Withers tha se ligji i ri cenon pavarësinë e SHISH-it, e fut atë nën kontroll politik dhe dëmton imazhin e Shqipërisë. Ai kërkoi shtyrjen e votimit të këtij ligji dhe pranimin e ekspertizës së huaj. Por u desh telefonata e zotit Rasmusen që Berisha të tërhiqej nga ky ligj i kundërshtuar nga ndërkombëtarët dhe nga vetë NATO.

Qeveria përcakton fondet për bashkësitë fetare në Shqipëri

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme një fond prej 100 milionë lekësh që do të akordohen nga buxheti i shtetit për vitin 2010, duke ua dhënë bashkësive fetare që kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë.
Në bazë të këtij vendimi, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 28 milionë lekë, prej të cilave 18 360 000 lekë do të përdoren për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për punonjësit e administratës dhe 9 640 000 lekë do të përdoren për ndërtimin e për mirëmbajtjen e objekteve të kultit në Durrës, Has, Kolonjë, Tropojë-Degë.
Ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 24 milionë lekë, prej të cilave 22 680 000 lekë do të përdoren për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për punonjësit e administratës dhe 1 320 000 lekë do të përdoren për financimin për pagat e arsimtarëve të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar. Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 24 milionë lekë, prej të cilave 3 348 000 lekë do të përdoren për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për punonjësit e administratës dhe 20 652 000 lekë do të përdoren për financimin për pagat e arsimtarëve të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 24 milionë lekë, prej të cilave 4 320 000 lekë do të përdoren për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për punonjësit e administratës; 12 680 000 lekë do të përdoren për ndërtimin e për mirëmbajtjen e objekteve të kultit “Odeoni”, 7 milionë lekë jepen për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit.

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›