Bregu: Marrja e statusit nuk varet vetëm nga Shqipëria

Majlinda Bregu
Shqipëria që prej prillit të vitit 2009 ka trokitur në derën e BE-së për marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në union. Në dy progres-raportet e fundit të Komisionit Evropian marrja e statusit u refuzua dhe u vendosën kushte për një gjë të tillë.
Gjatë kësaj kohe mes mazhorancës dhe opozitës është zhvilluar një debat i gjerë për fajtorin. Mazhorancë për gjatë dy viteve të fundit ka akuzuar se opozita ka bllokuar procesin e integrimit ndërsa kjo e fundit ka fajësuar qeverinë për mos plotësim të kushteve.
Por, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu në takimin e parë të punës për rishikimin e planit të veprimit për 12 prioritetet e KE-së, shprehet se “marrja e statusit nuk është vetëm në dorën e Shqipërisë por atë e përcakton axhenda e BE-së”.
Do të jetë këshilli i qershorit apo shtatorit që do të vendosë në axhendë shqyrtimin e statusit nuk jua them dot. Në momentin që Shqipëria tregon se po realizon detyrimet atëherë gjithçka është mirë, tha Bregu.
Më tej ajo tha se tashmë vendit i mbeten 10 kritere pasi 2 janë realizuar, që janë nisja e reformës zgjedhore dhe miratimi i Avokatit të Popullit. Bregu për kriteret e mbetura përcaktojë edhe dikasteret përgjegjëse.
Ky është takimi ynë i parë koordinues me të gjitha institucionet përgjegjëse për Planin e Veprimit, Ministria e Brendshme për prioritetet 6 dhe 9, Ministria e Drejtësisë për prioritetet 7, 10 dhe 12. Prioriteti 8 është Departamenti i Antikorrupsionit. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për prioritetin 11, u shpreh Bregu.
Dy muaj më parë ministrja e Integrimit e cilësoi këtë proces si abstrakt duke shtuar se procesi i zgjerimit është një proces që ka vënë në pikëpyetje edhe shumë ide në vetë Evropën.
* * *
Shqipëria pritet që brenda pak ditësh të marrë progres-raportin e Komisionit Evropian por jo statusin kandidat për anëtarësim në BE. Raporti i vitit të kaluar evidentoi 12 kushte që duheshin plotësuar për marrjen e “dritës jeshile”. Kushtet nuk janë plotësuar dhe askush nuk beson në mrekulli por ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka një shpjegim të veçantë për këtë situatë.
Sipas Bregut, anëtarësimi në BE është një abstraksionizëm dhe se mos realizimi i 12 kushteve të përcaktuara nga KE nuk e largon datën e anëtarësimit të Shqipërisë në union.
Ky vendim qoftë negativ nuk është se na largon në datën e anëtarësimit. Nuk është një proces i cili vetëm nga respektimi i detyrimeve apo le të themi i terminaliteteve teknike. Procesi i zgjerimit është një proces që ka vënë në pikëpyetje edhe shumë ide në vetë Evropën, shpjegon Bregu.
Kreu më i lartë i dikasterit të integrimit vazhdon më tej duke shtuar se gjithashtu kjo situatë nuk ndikon as në fondet që BE do të akordojë për Shqipërinë. I vetmi problem sipas Bregut është prishja e imazhit.
Pra kjo nuk na largon ne më shumë në datën e anëtarësimit, as humbasim le të themi… fonde sepse plani financiar i Bashkimit Evropian nuk lëviz më në bazë të statusit kandidat apo jo. Mali i Zi vjet nuk fitoi asnjë euro më shumë… por do të kishte qenë sigurisht shumë më mirë sikur ne të kishim treguar dhe të mos kishim prishur imazhin e mirë që Shqipëria ngriti nga viti 2005, tha Bregu.
Florenc Stafa
Sondazh
Note: There is a poll embedded within this post, please visit the site to participate in this post's poll.