Shqipëri-Kosovë, reciprociteti merr përmasa shqetësuese

Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadori Islam Lauka
Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka i ka kthyer përgjigje deklaratës së Ministres së Tregtisë Mimoza Kusari-Lila. Lauka thotë se pala kosovare po e fsheh të vërtetën, duke fajësuar vetëm Doganat e Shqipërisë që po aplikojnë çmime referente. Ai tregon gjatë këtij viti, Doganat e Kosovës në disa raste kanë aplikuar këso masash për mallrat e Shqipërisë.
Sipas tij, marrëveshja e qershorit në të cilën thirret zv.kryeministrja, mes dy vendeve për heqjen e këtyre masave asnjëherë nuk ka ekzistuar me shkrim, por ka qenë vetëm një vullnet politik për heqjen e tyre.
Nuk ka qenë marrëveshje. Ajo ka qenë një shprehje e vullnetit nga ana e kryeministrit. Por, mesa duket pavarësisht vullnetit të dy vendeve fqinje dhe vëllazërore, që marrëdhëniet i kemi pa diskutim shumë të mira, ka nevojë që kjo marrëveshje të fiksohet me shkrim, thekson Lauka.
Ai mohon që i tërë faji është te pala shqiptare, e cila thotë se nuk i ka bërë publike rastet e aplikimit të masave ndaj produkteve të Shqipërisë për shkak të marrëdhënieve specifike që ka me Kosovën.
Unë këtu do të kisha kërkuar nëse bëjmë diçka publike, ajo duhet të jetë e drejtë dhe informacioni duhet të jepet për të dyja anët sepse po u dha për vetëm njërën anë, siç krijohet përshtypja tani, del sikur vetëm Shqipëria po i aplikon këto dhe ajo është mëkatare. Ky është problemi, për fat të keq, ne të dy palët jemi mëkatarë në këtë çështje, thekson Lauka.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë pohon se Kusari-Lila është ngutur me letrën e saj drejtuar kryeministrit dhe me paralajmërimin për reciprocitet.
* * *
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, është ankuar në mbledhjen e qeverisë së Kosovës se si Shqipëria po shkel marrëveshjet tregtare me Kosovën. Kusari-Lila ka thënë se nga Dogana e Kosovës është informuar që Dogana e Shqipërisë prej së martës ka filluar çmimin referent për pataten e Kosovës prej 18 centë dhe ka vendosur kuotë në sasi për eksportin e verës nga Kosova për në Shqipëri. Sipas saj, të dy këto veprime nga ana e Qeverisë së Shqipërisë janë në kundërshtim me marrëveshjen që është arritur me kryeministrin Berisha në qershor të këtij viti për heqjen e çmimeve referente dhe unifikimin e procedurave fiskale Kosovë-Shqipëri.
Të dyja këto veprime dhe vendime nga ana e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë janë në kundërshtim me marrëveshjen të cilën e kemi arritur me kryeministrin Berisha në qershor të këtij viti për heqjen e çmimeve referente dhe unifikimin e procedurave fiskale Kosovë-Shqipëri, ka thënë Kusari-Lila. Ne sot iu kemi drejtuar me një letër kryeministrit Berisha duke i kërkuar heqjen e këtyre dy masave, por njëkohësisht duke e informuar që masat janë në kundërshtim me Marrëveshjen e tregtisë së lirë, nënshkruese të së cilës janë edhe Kosova edhe Shqipëria.
Kusari-Lila shpreson që nga Tirana të vijë një përgjigje pozitive por ende nuk ka një reagim zyrtar për këtë gjë. /KD/