E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu Opozita na demtoi pa rrezik data e anetaresimit

Tre ditë përpara publikimit të progres-raportit të Brukselit për 2011-n dhe njëkohësisht nga opinioni për statusin e vendit kandidat, Ministrja e Integrimit e quan situatën jo komode. Majlinda Bregu shprehet se një refuzim i ri mund të ishte shmangur. Sipas saj, efekti kryesor negativ nëse përsëri nuk marrim statusin për të dytin vit radhazi, është dëmtimi i imazhit të Shqipërisë në sytë e BE-së.

"Ky vendim në qoftë negativ nuk është se na largon datën e anëtarësimit, as humbasim fonde, sepse plani financiar i BE tashmë do të lëviz në bazë të vendimit për statusin kandidat apo jo. Mali i Zi vjet nuk fitoi asnjë euro më shumë. Por sigurisht që do të kishte qenë shumë më mirë sikur ne të mos kishim prishur imazhin e mirë që Shqipëria me vështirësi e ringriti nga viti 2005. Dëmi më i madh që është bërë me bojkotin e opozitës është dëmi që i është bërë imazhit të vendit", tha Majlinda Bregu, ministre e Integrimit.

Megjithatë Bregu shpreson për një vlerësim objektiv të europianëve për punën e bërë në një vit, si dhe përcaktim të qartë të përgjegjësive të secilës forcë politike.

"Cdo ditë që kalon na bën të ndjehemi më në siklet për një situatë që e cila mund të ishte evituar vetëm me pak dashamirësi dhe ndërgjegjësi për rolin kryesor që ka opozita në parlament. Mund të ishte evituar më thjesht në rast se opozita do të kishte përmbushur detyrimin bazik për të votuar ligjet në Parlament", tha Bregu.

Të mërkurën komisioni evropian do të japë dhe notën vjetore për përmbushjen e detyrave të shtëpisë nga Shqipëria. I pritshëm në formatin e një opinioni, progres raporti i këtij viti pritet nga maxhoranca dhe opozita si një refuzim i ri nga Brukseli.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›