E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Rama të mos i fusë shkopinj nën rrota integrimit

Intervista\ Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu: Uroj që PS të mos vijojë me sjellje problematike në shtator. Nuk ndihmon procesin Dekretet, Kuvendi të tregohet më shumë rigoroz për figurat, para se të marrin një pozicion shtetëror

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në një intervistë për gazetën “Shqip”, tregon rrugën në të cilën do të ecë Shqipëria gjatë periudhës verë-vjeshtë 2010, në dy procese të rëndësishme, siç është ai i liberalizimit të vizave dhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Reforma zgjedhore, zgjedhjet lokale në pranverë të vitit 2011, komunikimi ‘i vështirë’ i qeverisë dhe mazhorancës me opozitën, por edhe marrëdhënia më e re mes dy institucioneve Presidencë-Kuvend, e cila fshihet nën parullën “kontroll rigoroz”, janë çështje të cilat ministrja Bregu i shpjegon nëpërmjet gjykimit të saj.

çfarë të mire dhe çfarë mesazhi sjell për Shqipërinë rezoluta e Parlamentit Europian?

Rezoluta e fundit e Parlamentit Europian, e cila në fakt ishte propozuar muaj më parë, ka dy të mira. Së pari, e rëndësishme është që kjo rezolutë u votua, aprovua dhe u miratua në unanimitet të plotë nga Parlamenti Europian, çka nënkupton një vlerësim e mbështetje të plotë nga të gjithë parlamentarët europianë, për gjithë ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pasi në këtë rezolutë specifikoheshin të gjitha pikat që janë pjesë e integrimit të vendit, duke filluar që nga zbatimi i kontratës sonë me Bashkimin Europian, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, duke vijuar me reformat e kryera në fusha të ndryshme, si dhe në plotësimin e kërkesave për përmirësime në disa aspekte të tjera, siç është dhe gjyqësori e të tjera çështje për të cilat Komisioni dhe Parlamenti Europian kanë treguar gjithmonë vëmendje. Së dyti, e mira e kësaj rezolute ishte se konfirmoi edhe njëherë perspektivën e mbylljes së liberalizimit të vizave për shqiptarët brenda vitit 2010. Pretendimi i opozitës për ta ngrirë këtë proces, nuk gjeti vend në votën e PE-së. Kjo rezolutë është një element, nuk është e vetmja vulë që i jepet këtij procesi, por është e rëndësishme, sepse konfirmon edhe njëherë mendimin e të gjitha palëve, se Shqipëria është në rrugë të drejtë.

Sa shanse ka Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në fundin e këtij viti, ashtu siç është deklaruar shpesh nga zyrtarët e lartë të këtij vendi? Dhe kur pritet të ndodhë liberalizimi i vizave?

Të dyja proceset janë pjesë të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Liberalizimi i vizave është parë në një rrugë më të shkurtër, për t’u dhënë qytetarëve të vendeve të Ballkanit një të drejtë që u është mohuar për vite me radhë, për shkak të problematikave që vendet tona kanë përcjellë me lëvizjet klandestine, me trafiqet dhe pasigurinë. Duhet të theksojmë këtu se Shqipëria nuk u nis nga i njëjti nivel sikurse Mali i Zi dhe Serbia. Ne jemi nisur nga një disavantazh më i madh, sepse filluam të prodhojmë dokumentet biometrike në një kohë kur vendet e tjera kishin pasur mundësi vite më parë që të lëviznin lirshëm në Europë. Janë dy momente. E para, për liberalizimin e vizave është paraqitur edhe dje raporti i raporteres Tanja Fajon, ku është konfirmuar edhe njëherë dhe është përcaktuar një kalendar në komisionin përgjegjës në Parlamentin Europian, ku do të merret vendimi për liberalizimin e vizave për dy vendet, për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Këto ditë, në terren në Shqipëri janë ekspertët e fundit të huaj, të cilët po shohin tre kriteret shtesë për të cilat u kërkua më shumë vëmendje në raportin e Komisionit Europian në muaj dhe në përfundimin e këtij raporti, pra kur ekspertët raportojnë se Shqipëria ka plotësuar kushtet shtesë, ka një kalendar i cili është përcaktuar në Komisionin e Drejtësisë, ku është kërkuar që shtatori të jetë muaji i kësaj vendimmarrjeje.

Gjithë gjasat janë që po brenda javës së dytë apo të tretë të shtatorit, kur Parlamenti Europian të fillojë punën, kjo të votohet edhe në seancë plenare. Rezoluta është një vlerë e shtuar që e lehtëson këtë votim, sepse ata parlamentarë që janë shprehur pro për rezolutën, ku ka një paragraf dukshëm për vizat, si një çështje urgjente e që duhet të përmbyllet sa më shpejt brenda 2010-s, do të votojnë përsëri edhe për raportin që do të paraqitet nga KE.

Pastaj ngelet mbledhja e këshillit, e cila për shkak të një axhende të paracaktuar e ka mbledhjen e tij në fillim të tetorit, që ky proces të mbyllet brenda vitit 2010. Në të njëjtën kohë, paralel, në kalendarin kohor është dhënia e mendimin për statusin e vendit kandidat. Ne e kemi përfunduar me Komisionin Europian, e tani po presim të vijnë raportet nga ekspertët që kanë qenë në terren për fusha të ndryshme, të cilët erdhën mbas dorëzimit të përgjigjeve të pyetësorit. Kemi edhe një mision të fundit, që pritet të vijë në fund të korrikut për çështjet ekonomike dhe financiare. Dhe Komisioni Europian do të paraqesë mendimin e tij për Shqipërinë. Në momentin që mblidhen të gjitha këto mendime, komisioni bën gati opinionin e tij, i cili konsultohet me strukturat përkatëse. Brenda muajit, në momentin që do të paraqitet paketa e zgjerimit, në nëntor do të marrim një mendim për Shqipërinë. Duke u bazuar në informacionet paraprake të marra nga raportet, për vlerësimin në fusha të ndryshme, se çfarë është realizuar nga pikëpamja e reformave në Shqipëri e të zbatimit të detyrimeve që ne kemi me BE-në, gjithë gjasat janë që ky mendim të jetë pozitiv, çka do të thotë se do t’i hapë rrugë marrjes së statusit të vendit kandidat.

Uroj që Partia Socialiste, Edi Rama, të mos vijojë me sjellje problematike në shtator. Nëse ai ka ndërmend të bëjë realitet kërcënimin e fundit ndaj demokracisë, duke rimarrë protesta në shtator e duke u larguar sërish nga Parlamenti, sepse kjo nuk është një situatë e cila na ndihmon. Ndaj, nëse Rama mendon seriozisht atë që thotë, se është për integrimin e vendit në BE, duhet të mos fusë shkopinj nën rrota në çdo moment të rëndësishëm që kalon vendi. Fatkeqësisht nuk e ka bërë rrallë herë këtë gjë.

Kjo vlen dhe si një thirrje ndaj partisë kryesore opozitare në vend, për të mos e dëmtuar këtë proces të rëndësishëm, vetëm sepse ky është interesi i Ramës.

Nëse opozita vazhdon të këmbëngulë për bojkot, marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, çfarë do të ndodhë më pas?

Unë nuk të parashikoj vendimin përfundimtar të Komisionit Europian. Nisur nga një gjykim fare i thjeshtë, në momentin që Shqipëria ka bërë një kërkesë dhe ka aplikuar për anëtarësim, para saj janë disa kritere që duhet të plotësohen, që janë kriteret e Kopenhagës, ku njëri prej kritereve shumë të rëndësishëm është ai politik. Në qoftë se brenda standardeve të përfshira në kriterin politik ne kemi përmbushur pjesën më të madhe të tyre, siç ishin dhe zgjedhjet parlamentare, të cilat u certifikuan nga ndërkombëtarët si zgjedhje që plotësuan pjesën më të madhe të standardeve, pavarësisht debatit që zgjat prej një viti në Shqipëri, askush nuk mund të thotë apo të vërtetojë të kundërtën. Sikur të mos ishin certifikuar zgjedhjet e qershorit të kaluar, Bashkimi Europian kishte mundësinë reale që në datën 16 nëntor të mos votonte për të shqyrtuar aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. Kjo nuk ndodhi për faktin se ata i besuan raportit të vlerësuesve të tyre dhe një kodi zgjedhor të miratuar me konsensus nga dy partisë kryesore politike. Nëse europianët do të kishin menduar me kutinë e Ramës, ne sot nuk do ishim këtu ku jemi. E vështirë është që parlamentarët apo europianët, apo strukturat e komisionit, të kuptojnë se pse Rama një herë thotë nuk hyj e pastaj hyn në Parlament. Se pse nëntë muaj pas zgjedhjeve hyn në një grevë urie dhe me një sebep për të shpëtuar fytyrën e tij del nga kjo grevë. Se hyn në Parlament përsëri, merr vendet në komisionet parlamentare, debaton në séancë dhe pastaj thotë prapë “do dal”. Pra ka një lëvizje e cila nuk është një lëvizje reale dhe logjike për ta. Ne duhet të nisim punë për rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme. Në shtator ne i afrohemi më shumë periudhës së zgjedhjeve lokale. Nëse kjo situatë do të agravohet me idenë e Edi Ramës për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje, për t’iu larguar atyre, sikurse e tregojnë lëvizjet e tij të fundit edhe brenda partisë së tij, kjo nuk na ndihmon për statusin e vendit kandidat. Nuk është në të mirë të vendit përshkallëzimi i protestës, shembja e funksionimit normal të institucioneve legjitime, siç është Parlamenti.

Pavarësisht zërave për bojkot, PS po plotëson strukturat e saj me zgjedhjet për krerët e degëve, ndërkohë që nga ana tjetër PD-ja e ka lënë pezull plotësimin e strukturave të saj. Pra është përcaktuar Këshilli i ri Kombëtar i PD-së, por ende nuk kemi kryesinë e re të PD-së. Ju kujtojmë që në pranverën e 2011-s janë zgjedhjet lokale. Mbi ç’baza do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për kryetar bashkie?

Unë nuk jam e autorizuar të flas në emër të PD-së për zgjedhje apo përshtatje të reja figurash për sa u përket zgjedhjeve lokale. PD është një parti në qeverisje dhe është një parti në pushtet. Ky ka qenë një vit i frytshëm me reforma të qeverisë, të cilat i afronin qytetarët shqiptarë me ëndrrën e tyre europiane më shumë, sepse PD në mandatin tonë të dytë bashkë me LSI-në, qëllim kryesor ka pasur bërjen realitet të ëndrrës së shqiptarëve, që është lëvizja e lirë në Europë. Një parti e cila është në qeverisje dhe është në pushtet, është krejtësisht normale që angazhon përpjekje energjish për të plotësuar reformat, shoh këtu edhe një mungesë komoditeti për sa i përket debatit politik. E rëndësishme është që, figurat që do të jenë si kandidatë në qeverisjen lokale, të jenë figura që të mishërojnë grintën e kësaj force politike dhe të kenë vlera të cilat t’i përcjellin te komuniteti.

Në rast se opozita bojkoton zgjedhjet, PD do ta bëjë reformën zgjedhore vetëm me LSI-në?

Ju e dini që ka të paktën që nga gushti i vjetshëm një propozim i Kryeministrit shqiptar, ku ftesa i bëhet Edi Ramës që amendamentet për kodin të bëhen nga opozita. Pra, ka një ftesë reale të Kryeministrit. Koha nuk mund të presë derisa Edi Ramës t’i lindin shkëndija bashkëpunimi, gjë që druaj se nuk ka, sepse nuk e ka në karakter, sepse nuk e ofron dot paktin dhe prandaj s’e jep dot bashkëpunimin. Ky është problemi i tij. Së fundi Kryeministri ka autorizuar edhe kryetarin e grupit parlamentar, zotin Patozi, për të dialoguar dhe për të përkthyer të gjitha pikat e rezolutës së PE-së në një kalendar pune real. Kjo i jep komoditet Edi Ramës të qetësohet edhe një herë për të hyrë në zgjedhjet lokale sikundër i dha komoditet në 2009-n që të draftonte kodin elektoral dhe të propozonte amendamentin që i jepte atij siguri për transparencë. Të gjitha këto siguri që nuk e bënë atë të rrinte i qetë apo të jetonte qetësisht humbjen pas zgjedhjeve të 2009-s, ka mundësi po prapë që edhe një herë nga e para të ulet në tryezë ta bëjë realitet. Ftesën e ka të hapur për t’u ulur, ndërkohë që koha kalon.

Në marrëdhëniet institucionale është vënë re tendenca për një kontroll rigoroz mes institucioneve, konkretisht këtu e kam fjalën për Presidencën dhe Kuvendin. Ka një mosakordim, përplasje institucionale, apo tentativa për marrëdhënie të reja, që po synohen të vendosen mes këtyre institucioneve?

Unë e di që herë pas here në shtyp kthehet dëshira për ‘skoop’ dhe për të krijuar lajme për përplasje institucionale apo jo. Shqipëria në rreshtin e parë të Kushtetutës nuk është republikë presidenciale, por një republikë parlamentare, që do të thotë se Parlamenti zgjedh, voton, miraton dhe ka të drejtë edhe të kontrollojë. Ne në fakt nuk është se kemi qenë shumë rigorozë në kontrollin që i bëhet një figure përpara se t’i jepet një pozicion shtetëror. Fakti që në Parlament kthehet një procedurë dëgjimore, unë gjykoj se është për t’u vlerësuar dhe shpresoj që kushdo e ka menduar si të tillë. Edhe në një vend pune fare të thjeshtë, konkursi ndahet në dy faza, ka propozim me shkrim dhe një intervistë me gojë, gjatë së cilës çdo njeri që të punëson ka të drejtë të të dëgjojë, të të pyesë, të të verifikojë informacionin që ka dëgjuar dhe kur bëhet fjalë për figura shumë sensitive që mund të jenë anëtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, pra niveli i gjyqësorit shqiptar në çdo raport është problematik. Përmendet si një nga fushat problematike. Atëherë cila është një nga mënyrat që ta përmirësojmë e ta bëjmë sa më pak problematike? A duhet të jemi të sigurt për njerëzit që emërohen, që ata përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze vendin ku emërohen? Pra, pavarësisht dëshirës për ta quajtur debat apo konflikt institucional, unë besoj se Parlamenti ndoshta tani nuk e shfrytëzuar tërësisht mundësinë e tij për të kontrolluar dhe për të qëmtuar mbi emërimin, por edhe për pullën më pas të atyre që zgjidhen nga Parlamenti. Prandaj, nëse çdo gjë shkon në përmirësim të nivelit të kontrollit, në përmirësim të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, mbetet i mirëpritur.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›