Higjiena, gjoba dhe pezullim aktiviteti
Drejtoria e Shëndetit Publik ka vënë në sitë të gjitha subjektet që tregtojnë mallra ushqimore në Tiranë. Qëllimi i këtij monitorimi, i cili ka nisur që prej disa javësh, është evidentimi i kushteve higjieno-sanitare, në të cilat ruhen dhe tregtohen produktet ushqimore. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Mhill Gecaj, tha se nga kontrolli i 272 mostrave të produkteve ushqimore, ku shumica u përket bizneseve që tregtojnë akullore për analiza bakteriologjike, është konstatuar se 11 subjekte nuk kanë respektuar kushtet higjieno-sanitare. Në kuadër të kësaj, sipas tij janë marrë masa deri në pezullimin e aktivitetit. "Deri më tani kemi dërguar për analiza plot 272 mostra dhe kemi vendosur gjoba në të gjitha ato subjekte ku janë konstatuar shkelje. Nisur nga kjo, i garantoj të gjithë qytetarët e Tiranës që nuk do të tolerohet asnjë lloj shkelje e këtyre standardeve që paraqesin rrezik për shëndetin e popullatës. Aktualisht janë 11 vendime mbylljeje provizore", sqaroi Gecaj. Por kontrollet, sipas drejtorit të Shëndetit Publik, janë përqendruar edhe në depistime për shkallë pastërtie, për sa u përket mjeteve të punës dhe pastërtisë së punonjësve. Gjithsej janë kryer rreth 473 depistime. Krahas mbylljes së subjekteve, janë vendosur 28 gjoba në ato subjekte ku janë konstatuar shkelje të kushteve minimale që kërkohen për mirëmbajtjen e këtyre aktiviteteve.
#