E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu-Sequi: “Progres në luftën kundër korrupsionit - e rëndësishme heqja e imunitetit të zyrtarëve”

05-07-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet takimi konsultativ Shqipëri-BE, për prioritetet “6-12” të Planit të Veprimit
 
“Shumica e prioriteteve të parashtruara në planin e veprimit janë plotësuar”.
Kështu u shpreh dje ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, gjatë takimit konsultativ me përfaqësues të Komisionit Europian, në prani të ambasadorit Ettore Sequi, lidhur me ecurinë e zbatimit të prioriteteve 6-12 të Planit të Veprimit.
Duke analizuar shkurtimisht masat e marra që korrespondojnë me secilin prej këtyre prioriteteve, ministrja Majlinda Bregu tha se ky Plan Veprimi nuk mund të konsiderohet as i dështuar, as i pasuksesshëm, sepse pjesa më e madhe e detyrimeve që dikton ai, është zbatuar. “Në cilësinë e ministrit të integrimit që ka koordinuar procesin e planit të veprimit, duhet të them se ushtrimi i këtij Plani nuk është i dështuar, as i pasuksesshëm, pasi detyrimet që i janë dorëzuar Shqipërisë, janë detyrime që në pjesën më të mirë të tyre, janë zbatuar”, u shpreh ajo.
Ministrja u ndal në dy çështje që i konsideroi të rëndësishme, heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe reformën zgjedhore, çështje këto që sipas saj, mund të trajtohen paralelisht pa penguar njëra-tjetrën, mjafton që forcat politike të gjejnë vullnetin e duhur politik. “Duhet të përsëris ftesën publike që Partia Demokratike dhe kjo mazhorancë i ka bërë Partisë Socialiste që të dorëzojnë së bashku në Byronë Parlamentare, brenda këtij sesioni, kërkesën për të përfshirë në kalendarin e punimeve plenare çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Nuk ka asnjë pengesë, e cila do të na vononte ne që jemi në parlament, për të trajtuar çështjen e heqjes së imunitetit, pasi mazhoranca është e gatshme të votojë cilindo version që opozita e sheh si të arsyeshëm, qoftë me ndryshime ligjore, qoftë kushtetuese. Më lejoni të them që personalisht mendoj se çështja e heqjes së imunitetit duhet të konsiderohet si një çështje e dytë në listën e çështjeve që PS ka vendosur ta trajtojë si pjesë e paketës së nëntorit. Për reformën zgjedhore, shpresoj të ketë zhvillime në orët dhe ditët në vazhdim, sepse është një çështje shumë e rëndësishme, jo vetëm sepse është një nga prioritetet e Planit të Veprimit, por edhe sepse sjell në një atmosferë të përbashkët mirëkuptimi dhe mirëbesimi forcat politike. Nuk gjej arsye se përse heqja e imunitetit duhet të konsiderohet si një çështje që tërhiqet zvarrë derisa të përmbyllet komisioni i reformës zgjedhore. Për mua janë dy çështje dhe detyrime që mund të qëndrojnë shumë mirë së bashku, sepse Komisioni i reformës zgjedhore nuk e mbyt klimën bashkëpunuese për heqjen e imunitetit, sikurse nga ana tjetër, heqja e imunitetit, ndodh apo nuk ndodh para përmbylljes së komisionit të reformës zgjedhore, nuk e pengon këtë të fundit të vazhdojë punën”, tha Bregu.  
Lidhur me prioritet 6-12, ministrja bëri një përmbledhje mbi progresin e arritur në harkun kohor të 3 muajve nga miratimi i Planit e Veprimit, përmbledhje kjo që u detajua më pas nga analiza e përfaqësuesve të institucioneve në tryezën e djeshme. “Lidhur me reformën në administratën publike gjatë kësaj periudhe përpjekjet janë përqendruar në përmirësimin e kuadrit ligjor, në kuadër të ndryshimeve të ligjit të shërbimit civil, zbatimin e duhur të kuadrit ligjor ekzistues si dhe në forcimin e kapaciteteve. Lidhur me projektligjin për shërbimin civil ka pasur një proces gjithëpërfshirës konsultative me te gjitha palët e interesit. Konferenca e fundit konsultative u zhvillua më 29 maj 2012, në të cilën morën pjesë të gjitha palët e interesuara dhe propozimet e dala po reflektohen ne draft-ligj. Në zbatim të urdhrit të Kryeministrit për uljen e kontratave të përkohshme në shërbimin civil, përqindja e kontratave të përkohshme është reduktuar në 8.3 për qind, me synimin që deri në shtator të zbresë në 2.5 për qind siç përcaktohet nga urdhri i lartpërmendur. Vazhdon procesi i trajnimit për nëpunësit civil sipas Planit të Trajnimeve. Përveç buxhetit të akorduar për vitin 2012, një fond prej 21 443.76 EUR i është akorduar ITAP-it posaçërisht për trajnimet. Lidhur me reformën gjyqësore, vlen të përmendet fakti që pas zhvillimit të konsultave gjithëpërfshirëse me aktorët kryesor, projektligji për Gjykatës së Lartë dhe ai për Konferencës Gjyqësore Kombëtare, janë në Këshillin e Ministrave për miratim. Në shërbim të transparencës është instaluar sistemi i regjistrimit audio në Lezhë dhe Korçë. Në luftën kundër korrupsionit, tashmë nuk është i ri fakti që ne kemi ndërtuar një sistem që do të vijë duke u përmirësuar dhe rifreskuar, atë që Komisioni Evropian e ka kërkuar në gjuhën e track rekord-it dhe të dhënat e para të vitit 2012 që do të kemi rastin t’i bëjmë publike javën që vjen, flasin për një trend në rritje të rezultateve pozitive. Por, kur flasim për rezultate në luftën kundër korrupsionit ju siguroj se më e rëndësishme se çdo ndryshim i shifrave nga njëri muaj në tjetrin, mbetet dëshmia e vullnetit politik për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në luftën kundër krimit të organizuar, është shënuar progres gjatë kësaj periudhe në fushën e luftës kundër trafikut të drogës, forcimit te bashkëpunimit me agjencitë e huaja ligjzbatuese, si edhe me forcimin e kuadrit institucional dhe operacional. Vetëm gjatë tremujorit të parë të 2012, është rritur me 33 për qind numri i operacioneve me metoda speciale të hetimit, krahasuar kjo me tremujorin e parë të vitit të kaluar”, tha më tej ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. 
 
Ambasadori i KE në Tiranë, Ettore Sequi
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Ettore Sequi, i pranishëm në takim, tha se është bërë tashmë e qartë edhe nga Komisioneri Fyle, që Shqipëria duhet të shënojë progres në zbatimin e një mase të madhe të reformave, në mënyrë që t’i mundësojë Komisionit Europian, ta rekomandojë atë për statusin e kandidatit në tetor. “Ju e dini fokusin që KE vazhdon t’i japë marrëveshjes politike të nëntorit, dhe ju e dini që plotësimi i reformës zgjedhore dhe parlamentare, mbeten akoma jetësore, por kjo nuk do të thotë që ne do të humbim vëmendjen ndaj prioriteteve të tjera nga 6 deri në 12. Një rekomandim pozitiv për statusin e kandidatit, është akoma i mundshëm për Shqipërinë, por koha është e shkurtër dhe vullneti i fortë politik nga të gjitha palët është esencial që Shqipëria të ecë përpara drejt BE-së. Ju mund t’ia dilni dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim, por vendimet mund të merren vetëm nga Shqipëria. Komisioneri Fyle inkurajoi të gjitha forcat politike të punojnë për 12 prioritetet kyçe duke dhënë rezultatet e shumëpritura përpara se Komisioni Europian të publikojë progresin e raportit në vjeshtë, tha ambasadori Sequi, duke e mbyllur fjalën e tij më një frazë në gjuhën shqipe, ‘tani, duhet me lëviz’”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›