Senatori Xhon Kerri ngre flamurin amerikan në Uashington, në nderim të botuesit Fahri Balliu

Ikona e Partisë Demokratike Amerikane, partia e presidentit Barack Obama, ka dorëzuar mbrëmë në Tiranë çertifikatën dhe flamurin amerikan, që 26 qershorin e shkuar, u ngrit në Capitol Hill, në nderim të shkrimtarit dhe botuesit Fahri Balliu. Flamuri u dorëzua nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu si dhe zonja Linda Din, shefe e kabinetit të ish-senatorit Max Cleland
Në ditën e pavarësisë së SHBA, promovohet biografia “Zemra e Patriotit”, e ish-senatorit Max Cleland
Lulzim Basha: Ku më mirë se me 4 korrik, mund të promovojmë ravgimet e jetës së heronjve të SHBA-së
Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu është nderuar dje, në ditën e pavarësisë së SHBA-së, me vlerësimin më të lartë që amerikanët kanë për miqtë e tyre të vyer, flamurin amerikan, i cili është valëvitur më 26 qershor në Capitol Hill dhe është nënshkruar nga senatori John Kerri, posaçërisht për botuesin Balliu. Ky flamur i shoqëruar me çertifikatën përkatëse iu dorëzua atij nga ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, gjatë ceremonisë së promovimit “Zemra e patriotit”, një libër biografi për heroin e qëndresës amerikane Max Cleland. Momenti kulminant i dorëzimit të flamurit, një eveniment ky i papërsëritshëm për qytetarët e Shqipërisë, është shoqëruar me një emocion të veçantë si dhe me duartrokitje nga të pranishmit, të cilët po asistonin në një surprizë të këndshme që ambasadori amerikan po i bënte botuesit të “55’’-s në përvjetorin e pavarësisë së SHBA-ve. Senatori Xhon Kerri është njëra nga figurat kryesore të Partisë Demokratike Amerikane, një senator prej afro tre dekadash si dhe një veteran i luftës së Vietnamit. Ngritja e flamurit në Capitol Hill, në nder të shkrimtarit dhe publicistit Fahri Balliu, prej senatorit Xhon Kerri ishte një ngjarje e rëndësishme për marrëdhëniet e reja mes Shqipërisë dhe SHBA, të cilat u bashkëshoqëruan edhe nga një lutje e posaçme që ish-senatori Max Cleland kishte përgatitur posaçërisht për audiencën e nderuar, të pranishme mbrëmë në mjediset e Hotel “Tirana International”
Në 236-vjetorin e pavarësisë së SHBA, shtëpia botuese “55”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes si dhe Bashkinë e Tiranës, e organizuan promovimin e librit “Zemra e patriotit”, të Max Cleland, njërit prej patriotëve dhe ish-senatorëve më në zë sot në SHBA. Në ceremoninë e bashkëorganizuar nga Shtëpia Botuese “55”, Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia e Tiranës, morën pjesë kryeministri i vendit z. Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, ministrat e kabinetit z. Arben Imami, z.Genc Pollo, z. Flamur Noka e Myqerem Tafaj, si dhe deputetë e njerëz të politikës, artit e kulturës. I pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA në Tiranë z. Aleksandër Arvizu, si dhe diplomatë të tjerë të akredituar në Tiranë. Posaçërisht nga SHBA kishte ardhur edhe zonja Linda Din, shefe shumëvjeçare e kabinetit të zotit Max Cleveland.
Ceremoninë e promovimit e hapi drejtori i Shtëpisë Botuese “55”, z. Fahri Balliu, i cili, pasi falënderoi të pranishmit, shpjegoi edhe shtysat e botimit të kujtimeve të Clelandit. “Në morinë e madhe të titujve që i rekomandohen shtëpisë tonë botuese, e zgjodha personalisht e me dëshirë të madhe botimin e kujtimeve të Max Cleland, ish-senatorit të shquar të SHBA-ve, theksoi botuesi Balliu. E zgjodha Clelandin, sepse kujtimet e tij kanë një domethënie të madhe për shoqëritë e lira, e posaçërisht për shoqëritë e reja në liri, si shoqëria shqiptare. Çdo njeri e çdo shoqëri përballet shpesh me Vietnamin e vet, me Vietnamin si sfidë, por para së gjithash me domosdoshmërinë e fitores mbi Vietnamin”, tha z. Balliu në fjalën e tij. “Si për ta plotësuar simbolikën e këtij publikimi, promovimin e organizojmë me 4 korrik, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, një datë që shenjon domethënien e pavarësisë, jo veç për amerikanët, por për të gjitha shoqëritë që janë ngritur dhe jetojnë mbi parimin e lirisë. Edhe më e fortë është domethënia e 4 korrikut dhe e Max Clelandit për shqiptarët dhe shtetin që ata trashëgojnë tash e 100 vjet. Në shqiptarët trashëguam një shtet të gjymtuar, jo vetëm nga pikëpamja e territorit, por edhe nga pikëpamja e financave, infrastrukturës, etnografisë e religjionit”, vijoi më tej z. Balliu.
Më pas përshëndeti ceremoninë edhe presidenti i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, z. Petrit Ymeri, i cili evidentoi vlerat e këtij libri si dhe punën e mirë që ka bërë enti botues për sjelljen në shqip të kësaj biografie.
Si bashkëorganizator i ceremonisë, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha: “Dua të shpreh përgëzimet e mia ndaj shtëpisë botuese “55” për sjelljen me një shqipe mjaft të mirë të këtij himni të rezistencës njerëzore. Fatmirësisht, ky promovim koincidon edhe me dy momente të rëndësishme, 70-vjetorin e këtij heroi amerikan, si dhe ditën e pavarësisë së SHBA-së, një aleat dhe një mik i madh që i është gjendur Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha momentet kritike. Kjo është historia e një njeriu që ringrihet nga hiri, tejkalon gjymtimet fizike, dramat e papërshkrueshme emocionale dhe ashtu siç thotë edhe vetë, për ta kthyer dhimbjen në dobinë e dikujt tjetër”.
Ceremoninë e përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha. “Ju përshëndes të gjithëve, është kënaqësi që mblidhemi sot pikërisht në ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 korrik, me rastin e botimit të këtij libri. Sot është festa kombëtare e Amerikës dhe jo rastësisht sot u mblodhëm për të festuar botimin e këtij libri, të shkruar nga Maks Cleland. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë gjithnjë pranë nesh, në çdo situatë, na kanë mbështetur si komb e si shtet, ne shqiptarëve. Jemi krenarë që kemi një aleat të tillë si Amerika, në çdo hap që kemi hedhur si në jetën politike, edhe në atë kulturore, siç është rasti për të cilin jemi mbledhur sot. Falenderoj pa masë z. Fahri Balliu që mori iniciativën për botimin e këtij libri, që flet për historinë e një ushtari amerikan, për ravgimet e jetës së tij, për sakrificën njerëzore. Falenderoj në veçanti ambasadorin Aleksandër Arvizu, që ndodhet mes nesh, si miku më i mirë i shqiptarëve”.
Ndërsa në fjalën e tij, ambasadori amerikan Arvizu, ndër të tjera tha: “Max Cleland është një person që ka zemrën e vërtetë të një patrioti. Dëshiroj të falenderoj z. Balliu dhe të gjithë të tjerët që kanë mundësuar botimin e këtij libri për lexuesit shqiptarë. Ndërsa ju lexoni mbi historinë e këtij patrioti të jashtëzakonshëm amerikan, ju mund ta kuptoni pse ai shërben si një frymëzim për miliona amerikanë”.
“Sot për kombin e madh amerikan është një ngjarje e shënuar, është ditëlindja e tij”, - tha Kryeministri Berisha në fjalën e tij. - “Gjatë këtyre 236 viteve nuk ka asnjë komb në botë që të ketë bërë aq shumë për lirinë e të tjerëve dhe të botës sa ç’ka bërë kombi amerikan. Kjo është e rrezatuar në të katër anët e planetit. 4 korriku është një ditë e madhe, jo vetëm për kombin amerikan, por për të gjithë miqtë e tij të lirisë në mbarë botën. Për ne shqiptarët është një ditë shumë e veçantë. Në 100-vjetorin e pavarësisë sonë, me një histori ndër më të dhimbshmet, më të vështirat, kur jo vetëm në një rast, është vënë në pikëpyetje ekzistenca e tij, ne kemi fituar, ne ia kemi dalë mbanë, sepse në momentet më kritike kemi patur mbështetjen e fuqishme të kombit të madh të lirisë, kombit amerikan. Ndaj shfrytëzoj këtë rast për t’u përcjellë ju z. Ambasador, qeverisë suaj, presidentit Barak Obama, ekipit tuaj në Shqipëri, urimet më të përzemërta në këtë ditë të madhe për ju dhe për miqtë tuaj në mbarë botën.”” “Zemra e Patriotit”; Libri mund të kishte shumë tituj, por titull më i vërtetë për jetën e Max Cleland është “Zemra e Patriotit”, sepse njeriu jeton në një univers interesash, të vogla, të mëdha, vetjake, jo vetjake, të shumëllojshme, por midis tyre njëri është interesi i të gjithë interesave, njëri përbën motivin më të madh të jetës së një njeriu, njëri përbën burimin më të fuqishëm të forcës së tij, njëri përbën burimin e mençurisë së tij në vendime. Ky është interesi kombëtar, ky është interesi publik dhe ky interes e bën Max Cleland të jetojë dhe të shërojë pasojat e tmerrshme të stresit post - traumatik, dramat e mëdha që përjetoi gjatë periudhës së rehabilitimit, humbjet në zgjedhje. Por, në çdo rast, yll polar mbeti interesi i vendit të tij, i kombit të tij. Kjo është frymëzuese për çdo shqiptar, sepse këtë vend, në ato vështirësi të jashtëzakonshme, ndër më të mëdhatë që një komb mund të ketë përjetuar ndonjëherë gjatë një shekulli, e kanë bërë patriotët, të paktë a të shumtë në numër, të shkolluar apo të pashkolluar, të pasur a të varfër, janë ata të cilët ne u detyrojmë sot Shqipërinë në 100 vjetorin e pavarësisë së saj. Në këtë aspekt, Max Cleland mishëron në vetvete, jo vetëm patriotizmin e kombit të tij, por patriotizmin e çdo qytetari që lufton dhe i beson vendit të tij”, tha kryeministri Berisha.
Në përshëndetjen e saj zonja Linda Din, solli fjalët e ngrohta, mesazhet e autorit për këtë ditë të shënuar në Shqipëri, si dhe bëri një portret për Max Cliveland-in. “Zemra e patriotit” është një vepër-biografi, e shkruar nga Max Cleland, ish-senator i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Georgia. Ky libër është një rrëfim vetjak i një heroi, në kuptimin tërësor të kësaj fjale, i cili me kurajën, shpirtin e madh, karakterin e paepur, sfidon ferrin fizik dhe psikologjik dhjetravjeçarë, të fshehur skutave të padukshme të mendjes njerëzore.
Libri është përkthyer në shqip nga Etleva Sakajeva. Max Cleland cilësohet si ikona e qëndresës amerikane në Vietnam, dhe në disa letra drejtuar botuesit Fahri Balliu është shprehur i nderuar që libri ka ardhur në gjuhën shqipe. Cleland ka qenë prej më shumë se dy dekadash një figurë-kyç e Partisë Demokratike të SHBA në shtetin e Georgia-s, një veteran i vjetër i Luftës së Vietnamit, por edhe një personazh i njohur i komisioneve hetimore e mbikëqyrëse në Senatin e ShBA. Libri i tij “Zemra e Patriotit”, është cilësuar si një nga përcaktimet më sintetike të moralit të shoqërisë amerikane në shekullin e XX si dhe për sfidat që po përvijohen në mijëvjeçarin e ri. Senatori Max Cleland është lindur me 24 gusht të 1942. Ai është nderuar me medaljen e argjendtë për merita luftarake gjatë konfliktit në Vietnam. Nga viti 2003-2007, ai ka shërbyer në Bordin e Drejtorëve të Bankës së Import-Eksporteve të SHBA, ndërkohë që aktualisht është emëruar nga presidenti Obama si sekretar i Shtetit në Komisionin për Mbrojtjen e Monumenteve të SHBA.
Lexuesi shqiptar e njeh senatorin historik të Georgia-s, nga vepra “Zemra e patriotit”, një vepër-biografi, e shkruar në bashkëautorësi me Ben Raines.