E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja Bregu: Edi Rama po konfirmon përditë se ka një skenar bllokimi

05-07-2012 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit Evropian flet pas takimit konsultativ për prioritet 6-12 të Planit të Veprimit: “Opozita do t’i bënte nder vetes nëse do pranonte kufizimin e imunitetit”
 
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh dje gjatë një interviste televizive për Abc News se përmbyllja e reformave i shërben marrjes së statusit të vendit kandidat në BE. Sipas saj duhet t’i jepet sa më shpejt zgjidhje 3 çështjeve prioritare që janë reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe heqja e imunitetit.
Bregu akuzoi liderin e opozitës se po bllokon reformat, duke mos i shërbyer integrimit dhe se ka bllokuar për dy vjet statusin kandidat.
“Ajo që mund të them është se duhet të lëvizim për të përmbyllur reformën zgjedhore. Komisioni i posaçëm parlamentar po vazhdon punën, por nevojitet konsensusi dy palesh për kompletimin e reformës. Rama duhet të punojë që vendi të mos ketë dështim. Nëse Edi Rama ka vendosur nga njëra ditë në tjetrën të bëjë lojë shahu, për të mbajtur procesin zvarrë, unë shpresoj që ky skenar të mos jetë gati i përgatitur për bllokimin. Reforma zgjedhore ka qenë në krye të detyrimeve, në krye të këtij plani veprimi. Lojë me fjalë dhe lojën e djallit, Edi Rama bën mirë të mos e bëjë”, u shpreh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Për sa i takon heqjes së imunitetit ministrja është shprehur se është i nevojshëm dhe i rëndësishëm dhe i bëri apel opozitës dhe veçanërisht lidershipit të saj, Edi Rama që duhet ta votojë heqjen e tij dhe të punojë që vendi të mos ketë dështim.
Sipas saj, opozita do t’i bënte nder vetes duke pranuar kufizimin e imunitetit ndërsa theksoi se ka një sugjerim nga Këshilli i Evropës për këtë çështje.
“Opozita do t’i bënte nder vetes nëse do pranonte kufizimin e imunitetit. Ka perceptime të ndryshme për korrupsionin, që gjithsesi ekziston dhe mazhoranca asnjëherë s’ka thënë se problemi i korrupsionit është një çështje të zgjidhur. Nga ana tjetër, nëse ne nuk japim një shembull që ky imunitet, për mua nuk është i nevojshëm, të mos jetë më mburojë. Ligji është sjellë në parlament nga viti 2008 katër herë rresht dhe opozita s’e ka pranuar. Është propozuar heqja me, ‘ndryshim kushtetues’ sipas sugjerimeve të Këshillit të Evropës, çfarë nevoje ka mendimi dhe ri-mendimi për këtë çështje? Thjesht s’ka vullnet nga Partia Socialiste. Mazhoranca nuk e ka numrin e votave për të ndryshuar ligjin, ndaj i ka ofruar opozitës variantin e saj për kufizimin e imunitetit. Ka një sugjerim dhe nuk është e nevojshme të diskutohet sërish. Nëse opozita e ka ndarë mendjen për heqjen e imunitetit, koha është tani. Nuk ka asnjë rekomandim më të fortë se heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë, veçanërisht për përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë. Heqja e imunitetit s’ka cenuar asnjë zyrtar të lartë në asnjë vend të Evropës. Heqja e imunitetit me ligj do ta ndihmonte prokurorinë në punën e saj”, tha ajo.
Ndërkaq, zgjedhja e presidentit sipas ministres Bregu ka qenë tërësisht e mbështetur në kushtetutë dhe nuk ka qenë rekomandim i KE-së si kushti i 13 për vendin, ndërsa theksoi se zgjedhja e Nishanit në krye të shtetit është uruar nga ndërkombëtarët dhe se mazhoranca shkon në zgjedhjet e 2013-ës me krenari politike.
Duke iu referuar luftës ndaj korrupsionit dhe krimit Bregu përmendi rastet e hetimit të zyrtarëve të lartë, sekuestrimin e parave dhe konfiskimin e aseteve.
“Kemi 50 raste të hetimit të korrupsionit të zyrtarëve, kemi rritje të hetimeve pro-aktive me 20 për qind, vlera e sekuestrimit për pastrim parash 500 milionë euro, konfiskimi i aseteve u rrit me 10 për qind, është rritur me 300 për qind sekuestrimi i heroinës”, theksoi Bregu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›