E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Shqipëria po vendos standarde në fushat prioritare

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi të martën, në aktivitetin informativ të Bashkimit Europian-Promovimi i zhvillimit të një zone europiane për kërkimet shkencore se “në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Europian, Shqipëria po vendos gjithnjë e më shumë standarde në fushat prioritare të këtij procesi”. Në takimin e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në mjediset e hotel ‘Sheraton’ në Tiranë, në kuadër të Javës Evropiane në Shqipëri, Ministrja Bregu vlerësoi se “arsimi në përgjithësi dhe kërkimi shkencor në veçanti janë prioritete, të cilat përbëjnë një element të rëndësishëm në procesin e përafrimit të standardeve tona me ato të BE”. Sipas saj, procesi i stabilizim asociimit për qeverinë shqiptare ka krijuar një filozofi të re nxitëse dhe të orientuar drejt rezultateve praktike. Ky proces, vijoi ministrja Bregu, do të ndihmojë Shqipërinë jo vetëm për të përballuar sfidat e integrimit europian, por dhe për të ndërmarrë më tej hapa të rëndësishëm në rrugën e konsolidimit të demokracisë. Duke u ndalur tek neni 109 i MSA për bashkëpunimin dhe kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik, ministrja Bregu tha se “ky nen përcakton zbatimin e këtij bashkëpunimi në bazë të marrëveshjeve specifike që do të negociohen dhe përfundohen në bazë të procedurave të miratuara nga secila palë”. Sipas saj, statusi i vendit të asociiuar në programe lejon Shqipërinë të marrë pjesë në të gjitha propozimet për projekte dhe të konkurrojë me të njëjtin hap me vendet anëtare për bashkëpunimin dhe kërkim dhe me veprimtari të tjera të suportit, të mbështetura nga programi i 7 kuadër, që prej 1 janarit të këtij viti. Ministrja e Integrimit shprehu besimin se “kjo marrëveshje është e rëndësishme në procesin e aplikimit për t’iu bashkuar BE-së, duke ju lejuar kërkuesve shkencorë nga universitetet dhe institucionet kërkimore shkencore të krijojnë lidhje me homologët e tyre në Europë, të zhvillojnë më tej ekspertizën e tyre shkencore dhe të përfshihen në projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme shkencore”. “Shqipëria i është bashkuar tashmë vendeve të tjera të asociiuara në programin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ministrja e Integrimit. Duke u ndalur në rolin e Ministrisë së Integrimit Evropian, si koordinatore kombëtare për programet komunitare, znj. Bregu tha se “ministria ka mbështetur aplikimin e programit të 7 kuadër, duke e konsideruar si instrumentin kryesor të kërkimit shkencor në Europë dhe duke iu përgjigjur nevojave të unionit në terma të punës dhe kërkueshmërisë si dhe duke mbajtur një rol udhëheqës në ekonominë globale të njohurive”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›