E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, e para në listën e vendeve që do fitojnë nga heqja e vizave

Kryeministri Sali Berisha ka informuar dje mbi vizitën e tij zyrtare në Bruksel, duke e vlerësuar atë si tërësisht të suksesshme. Berisha vlerësoi takimet me personalitetet politike të Belgjikës dhe atë me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe shprehu se prej tyre ka marrë mbështetjen madhore për realizimin e reformave në vend me qëllim anëtarësimit e Shqipërisë në BE, dhe se ka marrë garancinë e Brukselit për proçesin e liberalizimt të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE-së., për të cilën kryeministri vuri në dukje se “Shqipëria do të firmosë çdo marrëveshje me secilin vend anëtar të BE-së, për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave”. Duke iu referuar takimit të tij me Kryeministrin e Mbretërisë belge, Ives Leterme, Berisha tha
se u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe u ra dakord për inkurajimin e biznesin belg për të investuar në Shqipëri. Kreu i qeverisë informoi gjithashtu edhe mbi vendimin e palës belge për të hapur konsullatën e Belgjikës në Shqipëri, me synimin për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve shqiptarë drejt këtij vendi,
si dhe vlerësoi nismën “për reduktimin e mëtejshëm të tarifave të vizave për qytetarët shqiptarë”. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha vuri në dukje se gjatë takimeve ka kërkuar kalimin në fazën e liberalizimit të plotë të vizave mes BE-së dhe Shqipërisë.
“Ne do të firmosim çdo marrëveshje me secilin vend anëtar, për të bërë luftën më transparente të përbashkët ndaj krimit të organizuar, si dhe për të realizuar standardet më të larta të sigurisë dhe procedurat më moderne për kontrollin e integruar të kufijve, pasi lëvizja e lirë është jetike për Shqipërinë”, tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te takimi me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, Kryeministri Berisha theksoi se ka bërë një ekspoze të gjithë sukseseve të reformave më të thella dhe të gjithanshme në Shqipëri, të cilat janë vlerësuar si “mjaft impresionuese”, nga Presidenti Barroso. “Paraqita të gjitha rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmirësimin e klimës së biznesit, perspektivat dhe vizionin e qeverisë për të hedhur hapa të mëtejshme në këtë drejtim, si dhe përpjekjet më serioze që janë bërë në këtë vend për konsolidimin e standardeve të Kopenhagenit, shtylla këto mbi të cilat qëndron sistemi demokratik”, tha më tej Kryeministri Berisha. Përsa u takon, realizimit të reformave konsensuale në Shqipëri, Kryeministri Berisha e konsideroi “epokale ndryshimin e sistemit zgjedhor, një sistem me të cilin u abuzua dhe damkosi Shqipërinë”. Sipas tij, tashmë vendi është ndarë nga kjo e keqe, është ndarë nga neni i krizës për zgjedhjen e Presidentit me 3/5 e votave, si dhe është përcaktuar mandati për Prokurorin, pasi ishte i vetmi institucion kushtetues për të cilin nuk kishte mandat. “Me presidentin Barroso u diskutua çështja e kandidimit, por duhet të jemi realist që ky hap do të ndërmerret në bashkërendim të plotë. Ne do të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, por hapi nuk do të jetë i njëanshëm, por do të jetë një vendim që do të negociohet, dhe kjo u vlerësua nga presidenti Barroso” tha Kryeministri Berisha. Duke informuar më tej, Kreu i qeverisë vuri në dukje se gjatë takimeve në Bruksel është fokusuar edhe në çështjen e mungesës së projekteve madhore infrastrukturore të BE-së në rajonin tonë, duke kërkuar që të shqyrtohet dhe inkurajohet korridori 8, si dhe projekte të tjera që kalojnë nëpër këtë rajon. Gjithashtu sipas tij, një tjetër çështje e shtruar për diskutim ishte edhe “problemi i përpjekjeve të Beogradit, për të manipuluar 3 komuna në Mitrovicën e Veriut, çështje kjo që duhet të merret me seriozitetin më të madh”. “Paqja dhe stabiliteti në Ballkan kërkon jo paranojë pas shteteve të pastra etnike, por respektimin e standardeve europiane të minoriteteve aty ku jetojnë, sepse tre komuna homogjene të një etnie përsëriten në dhjetra raste në rajonin e Ballkanit dhe askush nuk ka të drejtë të manipulojë me to”, tha në përfundim, kryeministri Berisha.
Ligji për procedurat tatimore, Berisha: Qeveria është kategorike për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese/Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se “qeveria është kategorike për zbatimin e të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe në këtë kuadër edhe për zbatimin e vendimit, i cili kthen për rishqyrtim ligjin për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri Berisha garantoi se “i do apo jo këto vendime të gjykatave, ekzekutivi është për zbatimin e tyre”. “Ne nuk injorojmë vendimet e gjykatave, pasi një vend demokratik nuk e lejon këtë, ndaj ne do t’i qëndrojmë çdo vendimi që do të japë Gjykata Kushtetuese. Nuk mendoj se ekzekutivi do të marrë një hap kundërthënës, por dua të them se ka një vendim fatal i cili i jep të gjithë pushtetin gjykatës”, tha Kryeministri ,duke theksuar se “i gjithë pushteti në mënyrë absolute nuk duhet t'i jepet gjykatës”. Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo çështje nuk zgjidhet me kundërshtim dhe me moszbatim të vendimeve, por zgjidhet me reforma”. “Nëse t’i kapesh kontrabandë dhe gjykata bllokon vendimin e ekzekutivit, gjykata merr rolin e doganierit, taksambledhësit, ekzekutivit, policit, pra i bën të gjitha dhe kjo është në kundërshtim me kodin administratriv”, tha Kryeministri Berisha. Megjithatë ai vuri në dukje se “këto probleme vendi duhet t’i zgjidhë me reforma dhe jo me përballje të pushteteve me njëri-tjetrin”.
Përsa i takon dekretit të Presidentit të Republikës që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për legalizimet, Kryeministri garantoi se “ashtu si në çdo rast, do të ketë negociata intensive përpara se dekreti të shkojë në Kuvend”. Kjo, sipas tij është një praktikë e ndjekur në mënyrë të vazhdueshme dhe jashtë kësaj praktike nuk del asnjë dekret. “Dua t’ju siguroj se çdo gjë thelbësore do të merret për bazë, pra do të negociohet gjithçka dhe jo vetëm sugjerimet e Presidentit”, tha Kryeministri Berisha duke e konsideruar këtë “një proçes tërësisht normal”.
Së shpejti emërimi në postin e zv/Kryeministrit/Shefi i ekzekutivit Berisha informoi dje se “së shpejti do bëhet emërimi në postin e zv/kryeministrit, ndërkohë që republikanët si parti e koalicionit të djathtë do të përfaqësohen në qeveri”. Lidhur me emërimin e zv/ kryeministrit, përfaqësimin e republikanëve në qeveri, por edhe për ndryshimet që mund të sjellë në qeveri situata brenda PDK-së, parti aleate e djathtë e cila përfaqësohet në kabinetin qeveritar me postin e Ministrit të Shëndetësisë dhe të dy zv/ministrave, Berisha tha se “PR ka të drejtë të jetë në qeveri pasi është një parti e koalicionit, ndaj pas vendimit që ka marrë për t’u përfaqësuar në qeveri, kjo do të bëhet”, tha Kryeministri Berisha. Ndërsa nuk pranoi të komentojë zhvillimet e fundit brenda PDK-së. Kreu i qeverisë tha se “unë nuk mund të hyjë në asnjë rast në punët e brendshme të asnjë partie politike, pasi unë jam kryeministër dhe nuk kam të bëjë me problemet e brendshme të partive aleate dhe joaleate”. “Nard Ndoka është një ministër dhe këto probleme i zgjidh partia e tij”, theksoi Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë nuk ka komentuar as kërkesën e ministrit Ndoka për tërheqjen e dy zv/ministrave të tij Gurakuqi dhe Bushati, duke theksuar se “Kryeministri funksionon mbi bazën e marrëveshjeve, mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazën e apeleve televizive”.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›