LSI i kërkoi sot mazhorancës të bëjë publik planin antikrizë
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi sot nga qeveria të bëjë publik planin antikrizë për t'i paraprirë kështu përfshirjes së vendit në krizën globale ekonomike. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, në një konference për shtyp, tha se "kriza ekonomike është një realitet i dhimbshëm dhe me pasoja shkatërrimtare" dhe se "Shqipëria nuk ka asnjë plan antikrizë". Në emër të LSI, Vasili i kërkoi qeverisë që në mënyrë të menjëhershme duhet të bëjë publike Planin Antikrizë , ta miratojë atë në Parlament, ndërsa duhet të bëjë publike edhe sektorët e ekonomisë dhe grup-bizneset që janë më të rrezikuar dhe që duhen mbështetur". Qeveria shqiptare përshëndeti sot raportin e Global Insight, ku Shqipëria renditet vendi i parë në Evropë dhe e dhjeta në botë për rritjen e lartë ekonomike për vitin 2009. Në një deklarate për shtyp, Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, njëherazi zëdhënëse e qeverisë, theksoi se "ky raport, i cili vjen pas vlerësimeve të Bankës Botërore, që shpalli Shqipërinë vendin e dytë në botë për zhvillimin ekonomik si dhe të Trasparency International, që e renditi Shqipërinë të dhjetën në botë për luftën kundër korrupsionit, konfirmon vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare".
...