Kryeministri Berisha priti Ambasadorin e Gjermanisë Bernd Borchardt, me rastin e përfundimit të mandatit të tij
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt me rastin e përfundimit të mandatit të tij si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.
Kryeministri Berisha, e falenderoi ambasadorin gjerman për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme qe Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjate gjithë këtyre viteve dhe vlerësoi kontributin që Ambasadori Borchardt dhe stafi i ambasadës në Tiranë ka dhënë në forcimin e zgjerimit e lidhjeve të gjithanshme dhe marrëdhënieve të ngushta të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve.
Ambasadori Borchardt falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare gjate kësaj periudhe.
Më tej në takim u rikonfirmua fakti se gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet midis dy vendeve kanë shënuar progres dhe arritje të reja në shumë fusha, si në fushën e arsimit, në bashkëpunimin në fushën ekonomike e financiare, në fushën e energjetikës dhe infrastrukturave të lidhura me të por edhe në kuadrin shumëpalësh në veçanti në kuadër të NATO-s dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Një ndër ngjarjet e rëndësishme që tregon për nivelin gjithnjë në rritje te interesit të investitorëve gjermanë në Shqipëri, edhe në saj të kushteve të favorshme të krijuara nga qeveria shqiptare për biznes e investime, është edhe çelja e Dhomës Gjermane të Tregtisë, e cila pritet ti jap një shtysë të mëtejshme këtij interesi dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve.
Së fundmi, në takim u ripohua vendosmëria e dy vendeve dhe qeverive për të konsoliduar edhe më tej miqësinë si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin midis të dy vendeve, në të gjitha fushat, si në kuadrin dypalësh ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, në dobi të interesit dhe të mirës së ndërsjellët të të dy popujve miq.
02/08/2010